Kryedemokrati Lulzim Basha  ka zhvilluar këtë pasdite një takim me të rinjtë e FRPD në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se ka ardhur koha që fjalët të ndahen nga veprat  duke i bërë vend rinisë e duke larguar ata politikanë që mbajnë karriget me thonj.

“Shkëlqimi në sytë e mi është për dy arsye: Kur shikoj shpresën që rrezaton në sytë tuaj dhe e dyta se do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. Shikojeni rininë e Partisë Demokratike, plot me besim, vendosshmëri në kohë të vështira për Shqipërinë. I kam sytë e qeshur e plot shpresë. Ka ardhur koha t’i ndajmë fjalët nga veprat. Fjala e parë është t’i bëjmë vend rinisë. Por si? Kur dikush që ka gjithë jetën në politikë e nuk largohet, e mban karrigen me thonj. Ata bien dakord për çdo gjë e nuk bien dakord për vettingun e politikanëve sepse nëse bëhet karriget në parlament do të boshatisen. Nuk jemi këtu për të mbajtur fjalime, jemi sepse ju besoni që kur karriget që u takojnë rinisë, 1 mijë herë më shumë se sa jeni në këtë sallë nuk do të mendojnë të ikin. Që forca juaj ka ndryshuar Shqipërinë dëshmia e parë është PD”- tha ai.

Fjala e plotë e kreut të PD-së Lulzim Basha:

Dita ka filluar me një agjendë të ngjeshur për mua, por në çdo moment të agjendës e dija që në orën 5 kisha takim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Dhe me çdo orë që i afrohesha këtij takimi, me zi më zinte vendi.

Kur u futa në këtë sallë, e kuptova se ndjesia që kisha është mëse e përligjur dhe shkëlqimi në sytë e mi, Marsid, është për dy arsye: e para e punës kur shoh shkëlqimin në sytë tuaj që rrezaton shpresën për këtë vend, përmes rinisë, përmes demokracisë, që do të thotë përmes Partisë Demokratike dhe Forumit Rinor, të gjithsecilit prej jush këtu në këtë sallë dhe ata jashtë kësaj salle që përfaqësoni.

Dhe e dyta, e kam thënë dhe në takimet e tjera, ta përsëris dhe në këtë takim: Si do të jetë Partia Demokratike sot, do të jetë Shqipëria nesër. Shikojeni Partinë Demokratike, shikojeni Forumin Rinor të Partisë Demokratike, Në një nga ditët më të shkurtra të vitit, në një nga ditët më të ftohta të vitit, në një nga ditët më të vështira për Shqipërinë në këto 30 vite, kohë të vështira ekonomike, kohë të vështira sociale, kohë të turbulluara politike dhe shikoni pastaj këtë sallë plotë me shpresë, plotë me entuziazëm, plotë me besim, plotë me vendosmëri, për të mos e dorëzuar Shqipërinë tek e nesërmja.

Prandaj i kam sytë e qeshur dhe plotë shpresë Marsild. Ermal, kur iu drejtove dhe i pyete të rinjtë a mund të ecim përpara me të vjetrën, përgjigjja që oshëtiu nga salla, është përgjigjja që jep çdo i ri, çdo e re. Edhe ata që nuk janë anëtarë të Forumit, nuk janë të angazhuar politikisht, apo ndoshta janë angazhuar në anën tjetër, në anën e kundërshtarit tonë politik. Ka ardhur koha t’i ndajmë fjalët nga veprat. Fjalë thotë çdokush, veprat na diferencojnë. Me fjalë, gjithsecili është më i miri i botës ose më e mira e botës, por janë veprat ato që përcaktojnë se sa të vërtetë jemi. Dhe fjala e parë është t’i bëjmë vend rinisë. Si do t’i bëjmë vend rinisë, pa më thoni pak. Në qoftë se dikush që ka gjithë jetën në politikë  nuk e lëshon karrigen, përkundrazi, mbahet me thonj. Në qoftë se e mbajnë në rreshtin e parë të salduar pas vetes, po edhe në rreshtin e dytë, edhe rreshtin e tretë, edhe rreshtin e katërt me fije të dukshme e të padukshme. Ata që nuk bien  dakord për asnjë gjë, për një gjë bien  dakord, mos të lëshojnë karriget.

Nuk bien  dakord për asgjë, për një gjë bien dakord, mos të bëjmë vetting të politikanëve. Pse? Sepse po u bë vettingu i politikanëve, e sigurt është që shumë karrige do të zbrazen. Dhe në ato karrige, duhet e do të vijnë politikanë të rinj, rinia shqiptare që do t’i dalë për zot vendit. Dhe efekti i kësaj që do të vij dhe do të vij patjetër dhe ju e dini që do të vij, prandaj jeni këtu sonte apo jo? Nuk jemi sonte këtu thjesht për të mbajtur fjalime apo për të parë njëri-tjetrin, megjithëse edhe kjo do të mjaftonte për të më kënaqur e për t’i bërë sytë e mi të qeshur, por nuk jemi këtu vetëm për këtë. Jemi sepse ju besoni. Besoni që në atë moment, në ato karrige që i takojnë rinisë. Dhe karrige e kam fjalën për vendimmarrje. Vendimmarrje politike që i takon rinisë. Atëherë 10, 100, 1000 herë më shumë seç jeni në këtë sallë, nuk do të mendojnë të ikin, por do të mendojnë të qëndrojnë e të përfaqësohen nga më të mirët e brezit tuaj. Që forca juaj ka ndryshuar Shqipërinë, për këtë dëshmia e parë është vet Partia Demokratike. Ne, demokratët, partia jonë, familja jonë, është vepër e rinisë studentore dhe e rinisë shqiptare.

32 vite më parë, ishte rinia shqiptare e vetmja që pati guximin. Në një kohë që nuk i përngjante asnjë kohe që mund të imagjinoni, në një vend që nuk i përngjante asnjë vendi në Evropë, edhe atyre që ishin komunist, për nga frika që u kishte futur njerëzve, për nga dëshpërimi që i kishte futur njerëzve. Të vetmit që patën guximin të ngrihen ishin të rinjtë, po pastaj iu bashkuan dhe të tjerë dhe u kthyen në një lëvizje të pandalshme. U kthyen në një lëvizje që shndërroi diktaturën në një tigër prej letre dhe brenda muajsh e detyroi jo vetëm të pranonte pluralizmin, por dhe të dorëzonte pushtetin e marrë dhe të mbajtur me anë të frikës dhe të terrorit. Ëndrrat e asnjë rinie nuk janë realizuar. Shumë prej tyre nuk i kemi në Shqipëri, por i kemi në emigracion. Të njëjtin fat e presin shumë prej shokëve, bashkëmoshatarëve tuaj. Nëse

Shqipëria vazhdon të qëndrojë kështu siç është sot, me premtime të pambajtura prej 31 vitesh. Me politikanë që u plakën e duan të vdesin në karrigen e pushtetit. Duke filluar nga ky. Ka 6 vite që thotë do ta lë politikën, do ta lë politikën dhe çdo vit shpik marifete, truke dhe bën krime elektorale për të marrë më shumë pushtet, për të gllabëruar çdo pushtet. Pse? Sepse pushteti pa masë, pushteti pa kufij, korrupton pa kufij. Është natyra e pushtetit dhe është natyra e njeriut. Jo më kot vendet më demokratike të botës, kanë vendosur kufij. SHBA-të, kushdo qoftë individi, thonë jo më shumë se dy mandate. Dhe këtë kam propozuar dhe unë, këtë propozon dhe Partia Demokratike. Më i zoti në botë të jesh, dy mandate. Po nuk realizove dot për dy mandate, atë që ke pasur si vizion, atë që ke premtuar ti dhe ekipi yt, atëherë ka ardhur koha t’i lësh vendin dikujt tjetër.

Vetëm vendosja e rregullave të tilla, do të mundësojë të kalojmë nga fjalët tek veprat. Dhe ne e kemi një plan i cili të kalojmë nga fjalët tek veprat, i cili përbëhet nga shumë komponent dhe nuk kam ndërmend të zgjatem më shumë. Me disa prej tyre ju jeni njohur gjatë fushatës së 25 prillit. Dhe në qoftë se disa prej tyre do kishin qenë, nuk do ishte bërë masakra zgjedhore e 25 prillit. J’ua thashë në fillimi, vettingu i politikanëve. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ata 200, apo 220 njerëz kryesorë politikë, në mënyrë të detyrueshme t’iu bëhet vetingun i pasurisë dhe i lidhjeve me botën e nëndheshme. Atë që kërkojnë për gjyqtarët, prokurorët, policinë, noterët, marangozët, çiklistët, bletarët, peshkatarët, po e bëj për të qeshur, por nuk është për të qeshur, e kërkojnë për të gjithë vetëm për veten e tyre nuk e pranojnë. Nuk e pranojnë, pse? Sepse për atë që u thashë: Sepse sot në politikë nuk numërohen me gishtat e një dore, por janë shumë, shumë ata të cilët nuk përfaqësojnë interesin e njerëzve. Ata që nuk justifikojnë pasurinë apo burimet e pasurisë së tyre. Ata që kanë ardhur aty si vullnet i botës së nëndheshme të krimit dhe jo si vullnet i qytetarëve.

Dhe kur të bjerë “ding dongu” i vettingut në politikë, të gjithë ata detyrojnë të lirojnë karriget e tyre, të cilat iu kthehen qytetarëve. Së dyti, kufizimi i fatit të të qëndruarit në pushtet. 2 mandate për kryeministrin, meqë është edhe zyra më e fuqishme e shtetit. Dy mandate dhe pas kësaj të ketë një qarkullim. Mund të jetë e njëjta parti të cilës i besohet vota, mund të mos jetë e njëjta parti, s’ka rëndësi, dy mandate. Atë që se ke bërë dot realitet për 2 mandate, për 8 vite, nuk e bën dot realitet për më shumë. Përkundrazi, degradon. Ja ku i keni provat. Një qeveri, e cila mbahej pas pushtetit dhe që sillte kosto të jashtëzakonshme tek njerëzit, duke përfshirë tek rinia, tek rinia studentore dhe jo vetëm, shikoni si ka humbur çdo lidhje me realitetin. Çdo tipar të dhembshurisë njerëzore. Çfarë mund të presësh? Pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Kufizimi i mandateve, vettingu në politikë, janë instrumente për ta pastruar politikën, për ta bërë atë më llogaridhënëse, por edhe për ta hapur vendin për të rinjtë. Si ndryshe mund të vij rinia dhe të marrë përgjegjësitë që kërkon dhe që i takojnë? Si ndryshe mund të eci vendi përpara? Po cila është themeli i të gjitha këtyre? Pse na ndodhin të këqijat që na ndodhin? Themeli janë zgjedhjet. Themeli është vota. Ndaj kemi propozuar që, edhe sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen të paktën po kaq të forta sa në Itali. Një vend që është anëtarë i Bashkimit Europian. Ku cilësia e jetës është ku e ku krahasuar me Shqipërinë. E kanë pasur atë problem dhe si e kanë zgjidhur. Nuk dënohesh me gjobë, jo. Në qoftë se një politikan kapet duke blerë vota, duke bashkëpunuar me mafien, duke blerë vota, duke blerë mandatin, dënohet deri në 20 e ca vite burg, 21 apo 22 vite burg. Pse? Pse një dënim kaq i rëndë, pothuajse sa një vrasje. Sepse vret shpresën. Kur vret zgjedhjet, vret votën, vret shpresën. Si e vret? Ja pra duke kapur pushtetin. Një politikë që kap pushtetin me mjete të tilla, nuk ka fytyrë njerëzore. Sado që të trukohet, çfarëdo që të bëjë, sido që të vishet, sado bukur të aktrojë, të recitojë, të ngërdheshet, nuk ka fytyrë njerëzore. Dhe Shqipërisë i duhet një politikë me fytyrë njerëzore dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse i duhet rinia. Sepse i duhet kjo që po ndodh tani që mund të duket për disa një përplasje politike. Jo, jo. Kjo është një përplasje brezash dhe një përplasje kulturash.  Rinia nuk di të flasë me gjuhen e shpifjes, të gënjeshtrës, të përçmimit. Nuk di të linçojë, ka një tjetër kulturë. Di edhe kur është e zemëruar ta shprehë atë siç e shprehën studentët edhe në dhjetorin e 90’ës edhe në dhetorin e 2018-ës,  di ta mbledhë zemërimin, por di ta mbledhë atë me një forcë të papërfytyrueshmë, por edhe të bukur në të njëjtën kohë.  Nuk ka zemërim më të bukur e ai i rinisë, është ai që ka ndryshuar Shqipërinë, është ai që do ta ndryshojë Shqipërinë.
Ndërsa kjo tjetra nuk është zemërim, është hidhësi, është përçmim, është mungesë respekti për njëri-tjetrin. Por ti mund të mos jesh dakord me njëri-tjetrin, por duhet  ta respektosh njëri-tjetrin, kjo është shoqëria, kjo është  qytetaria, ky është  komuniteti, kjo është shoqnia. Po pse të gjithë dakord me njëri-tjetrin jeni ju kur  jeni si shokë apo si shoqe në grupe? Sigurisht që jo. Po çfarë do të thotë kjo? Ku dikush shpreh një mendim ndryshe i suleni me fjalët më të ndryra që ka fjalori? Jo, absolutisht. Rinia shqiptare, kudo ku është, para kamerave, në media, jashtë medias, në sport e kudo ka një tjetër mënyrë komunikimi që e ruan edhe kur ka ndryshim mendimi respektin për njëri-tjetrin, dinjitetin e njëri-tjetrit. Prandaj ardhja e rinisë është domosdoshmëri sepse është pjeë e kësaj që po ndodh që është pjesë e një ndryshimi të thellë kulturor, është ndryshim midis një kulture të kaluar ku po s’mendove si unë nuk vlen 2 lek, je tradhtar, je i shitur, je i marrë peng, je serb, je grek, je i pabesë, besëprerë, besësharruar, besëngjitur, besëthyer. Pse? Pse s’mendoj si ty? Ne maksimumi mund t’i pranojmë këto sloganet në statium nëpërmjet tifozëve, por në jetën e përditshme a mund të bëhet përpara pa pranuar mendimin ndryshe? Po pse u ngrit rinia para 30-vitesh? Pikërisht për mendimin ndryshe, përndryshe rrinim me një parti, me një mendim dhe e pamë se ku shkuam. Sa mirë ju që nuk e mbani mend. E dini ku shkuam apo jo? Me keq se Afrika, as bukë nuk kishte për të ushqyer popullsinë. Pyesni prindërit se ku përfunduam. Aty do të shkojmë prapë? Në një Shqipëri  që është në grupin e 5 njerëzve? Një politikë me fytyrë njerëzore mund të burojë vetëm nga vota e lirë. Vota e lirë mund të garantohet vetëm atëherë kur drejtësia dhe ligji të bëjnë të mundur që politikanët që  prekin votën të mos kapërdisen që e morën votën në emrin e tyre të shkojnë atje ku e kanë vendin dhe jo për 6 muaj, por për aq sa i çon Italia, për 22 vjet.
Pjesë e reformës tonë politike është kjo, vetingu në politikë, forcimi i sanksione për ata që vënë dorë mbi votën e shqiptarëve. Kush prek votën e shqiptarëve, ka prekur fëmijët e shqiptarëve, ka prekur ardhmen e shqiptarëve. Dhe ja ku i kemi provat sot, ja ku e kanë katandisur vendin dhe këtu duan ta mbajnë. Kështu e duan Shqipërinë , jo kështu siç jemi këtu ne sonte. Ky është tmerri i tyre, ky është ankthi i tyre. Një sallë e mbushur me të rinj jo për koncert, as për zbavitje, por me plane politike, me plane politike për Partinë Demokratike, me vizion  politik personal, me vendosmëri për të mos u dorëzuar, por për të qëndruar, për të luftuar dhe për të fituar
Ne këtë do bëjmë, ky është plani ynë. Le ta shpallim para të gjithëve, nuk e kemi plan sekret S’mbajmë ne sekrete. Le t’ia themi çdo shqiptari e në veçanti të rinjve shqiptarë, t’i kthejmë politikës fytyrën njerëzore, duke nisur me fytyrën e rinisë shqiptare. Politika me fytyrë njerëzore do t’ia kthejë institucionet e shtetit shqiptarëve se sot vetëm të shqiptarëve nuk janë. Dhe kur institucionet nuk janë të shqiptarëve, ku institucionet i ka kapur një grusht njerëzish çfarë ekonomie mund të kesh në këtë vend. Nuk ka ekonomi dhe kur s’ka ekonomi xhepat janë bosh, tavolinat janë bosh, shtëpitë janë bosh, zemrat janë bosh. Nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar me institucione që nuk ju takojnë qytetarëve dhe  ky është një tjetër element pjesë e rëndësishme e vizionit politik të Partisë Demokratike, politikë me fytyrë njerëzore, çlirimi i votës përmes sanksioneve  ndaj politikanëve, vetingu i politiknëve, afatet jo më shumë se 2 mandate. Këto do të ndihmojnë që institucionet t’u kthehen shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare. Dhe vetëm kjo do të bëjë të mundur sigurisht përmes vizioneve të ndryshme që Shqipëria të kenë një ekonomi që t’i mbajë të rinjtë këtu. Këtu nuk i mbajnë llafet, por këtu i mbajnë veprat, këtu mund t’i mbajë vetëm një sistem arsimor i cili i përgjigjet kërkesave të kohës. Çfarë na mungon ne? Arsimi ka diçka ndryshe, edhe po të kesh arsimin më të mirë në botë në qoftë se studenti nuk do të mësojë, s’do të mësojë e s’ke çfarë të bësh, hidh miliarda ti po nuk ke çfarë të bësh. Dhe ka vende, pa e thënë se cilat që e kanë këtë. Hedhin miliarda dhe produkti është mediokër. Shiko shqiptarët, kur jepet mundësia nga familje të shtresës së mesme apo edhe të varfëra se si shkëlqejnë në universitetet më konkurruese të botës. Kjo do të thotë që ne duhet të investojmë tek arsimi si një urgjencë kombëtare. Është po aq e rëndësishme sa mbrojtja kombëtare. Siç është mbrojtja për të mos u pushtuar nga një armik, që sot është edhe më e sigurtë se kurrë falë faktit se jemi anëtarë të NATO-s, falë Partisë Demokratike që mos pushtohemi përfundimisht nga depresioni ekonomik që sjell shkatërrimin e vendeve të punës, papunësinë dhe largimin e  e rinisë, na duhet investimi tek arsimi sepse kemi një rini të mrekullueshme e cila me një investim të duhur në arsim është e gatshme për sfidat dhe mundësitë që ofron shekulli 21, për një punësim dinjitoz këtu në vendin e tyre , me të ardhura të mjaftueshme për të menduar themelimin e familjeve, blerjen e një shtëpie, e një apartamenti, një jetë normale në vendin tënd, afër familjes tënde, prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve tuaja. Këto janë objektiva plotësisht të mundura. Mjafton që t’i kthejmë politikës fytyrën njerëzor dhe kështu t’ia kthejmë institucioneve shqiptarëve dhe jo jë grushti njerëzish. Ne do ta bëjmë. Marsidi tha do ta bëjë Lulzim Basha, unë kam nderin dhe privilegjin t’i prij kësaj sakrifice sepse ma keni ngarkuar ju dhe nuk tërhiqem asnjë hap prapa.
Por unë vetëm nuk e bëj dot. Askush nuk e bën dot vetëm. Ky është një mision i madh, është një ndryshm që ndodh njëherë në brez. Nuk është thjeshtë ndryshim politik, po jua them edhe njëherë, është ndryshim kulturor. Kultura e brezit tuaj bëhet gati të marrë në dorë fatet e Shqipërisë.
Ndaj ju ftoj, ju lus, ju pyes: A do ta bëjmë së bashku Shqipërinë ndryshe? Bashkë në këtë udhëtim për të ardhmen e rinisë, për të ardhmen e Shqipërisë.
Zoti e bekoftë rininë shqiptare.
Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Suksese dhe evidentoni më të mirët dhe zgjidhni më të mirë për Forumin Rinor të PD, sepse sic është PD sot, siç është rinia demokratike sot, do të jetë Shqipëria nesër.
Zoti ju bekoftë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: