Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” rikthyen në vëmendje historinë e Anës. 9-vjeçarja vuan nga tumori dhe rrezikon jetën pasi dhe shikimi i është dobësuar ndjeshëm për shkak të tumorit. “Më tha një ditë vajza, mami në shkollë nuk po shikoja mirë, mu errësuan sytë dhe më dhemb shumë koka. Erdha në Tiranë me vajzën dhe bëmë një rezonancë. Doktori më tha vajza ka tumor… nuk dëgjova gjë tjetër më.”. Këto janë fjalët e një nëne që përballet me një sprovë të jashtëzakonshme.

E bija, Ana, vuan nga tumori në kokë. Shikimi i është dobësuar ndjeshëm vogëlushes, e cila është veçse 9 vjeçe. Nëna e Anës na tregoi se e ka rritur të bijën mes vështirësive të mëdha, kjo pasi edhe babai i vajzës e ka braktisur. “Shumë e trembur jam, vajzën mezi e kam rritur, e vetme. Babai i saj na ka braktisur qëkur unë isha shtatzënë. Nuk ka dashur t’ja dijë. Jam përpjekur që vajzës të mos i mungonte asgjë, por kjo është si një bombë për mua, nuk e përballoj dot. Nuk e shoh e duroj dot më, kur shoh vajzën, të më thotë se i dhemb shumë koka. Ajo rrezikon jetën. Kemi folur me një spital privat këtu në Tiranë, por operacioni është tejet i kushtueshëm dhe unë nuk kam fare mundësi. I kërkoj dashamirësve si Elvis Naçi, i kërkoj ndihmë që ta shpëtoj vajzën time.”-tha nëna e Anës.

Elvis Naçi shpërndau thirrjen për ndihmë për rastin e Anës në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” . Pasi paratë për operacionin u mblodhën brenda 24 orëve , vajza u transportua me ambulancë nga reparti i neurologjisë tek spitali Pediatrik për në Stamboll ku do të kurohet në një spital. Nëna e Anës falenderon Elvis Naçin dhe gjithë donatorët që kontribuuan për t’i shpëtuar jetën vajzës së saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb