Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, i kushton disa radhë në faqen e tij të “Facebook” disa figurave të njohura në vend, që sipas tij, meritojnë mirënjohje për kontributin e dhënë apo shërbimet e kryera në të mirë të atdheut, në të mirë të popullit, në të mirë të kombit.

Në postimin e tij, Luan Rama tregohet kritikë ndaj institucioneve shtetërore që nuk i nderojnë ato figura, teksa thekson se “Duke iu referuar praktikave shtetërore të nderimit, rëndom bie në sy praktika e nderimit apo e vlerësimit post mortum, pra pas vdekjes, të shumë personaliteteve, përkundër harresës, nëse do të duhet të përdorim një fjalë oportune, në gjallje të tyre”.

Mesazhi i plotë:

HIERARKIA E VLERAVE DHE NDERIMI SHTETËROR SI MIRËNJOHJE
Jo për të përcaktuar ndonjë rend të meritave ose të kontributeve të dhëna prej aksh shkencëtari apo shkrimtari, artisti a qoftë edhe prej ndonjë veprimtari publik të shquar, po për të tërhequr vëmendjen, më shumë se sa të opinionit publik, atë të institucioneve shtetërore, po rrekem të cek në keto rradhë një dukuri që në vlerësimin tim në vend që të ishte shenjë nderimi, është dëshmi e mungesës së njohjes prej institucioneve shtetërore të përgjegjësive që ato duhet të ushtrojnë edhe kur është fjala për nderimin shtetëror të atyre që e meritojnë këtë mirënjohje, për kontributin e dhënë apo shërbimet e kryera në të mirë të atdheut, në të mirë të popullit, në të mirë të kombit.

Fatmirësisht, historia jonë prej shekujsh e deri në kohët më të vona na ofron emra të mëdhenj që gjurmët në të i kanë lënë me veprën e tyre, duke i bërë kështu vend vetes me meritën e shërbimeve të çmuara që kanë kryer, pa menduar e pa bërë llogari nëse emri i tyre do të ishte ose jo në regjistrat apo evidencat e burokracisë së shtetit.
Edhe pse në pamje të parë duket si një çështje e ndërlikuar prej qasjeve të ndryshme, kryesisht të estetëve, biografëve e deri diku edhe të kritikëve të artit, mendoj se nuk është aq e vështirë sa e bëjnë, pavarësisht subjektivizmit që në raste të tilla është i pa evitueshëm.

Vepra e realizuar apo shërbimi i kryer e ka gjykuesin e vet, dhe ai është populli, vlerësimi dhe respekti i tij.
Pa dashur të merrem me të gjithë aspektet e veprimtarisë shoqërore ku padyshim ka kontributorë që meritojnë nderimet më të larta, dua të ndalem më specifikisht tek disa prej emrave të kulturës tonë kombëtare që meritonin dhe meritojnë më shumë vëmendje, më shumë mirënjohje, më shumë respekt dhe nderim shtetëror, proporcionalisht me atë mirënjohje dhe nderim që ata kanë marrë dhe marrin prej vetë popullit.

Prenk Jakova, jo vetëm prej faktit se është kompozitori i operas “Mrika” që është e para vepër e kësaj gjinie në historinë e muzikës shqiptare, po për gjithë kontributin e madh që ka sjellë në kulturën tonë kombëtare, është shembulli më domethënës i dy qasjeve të ndryshme ndaj emrit dhe veprës së tij; harresës dhe mungesës së nderimit shtetëror nga njëra anë dhe nderimit me gjithë respektin e merituar prej qytetarëve, anipse jo të gjithë e njohin veprën e tij dhe e kuptojnë vlerën që ajo ka në kulturën tonë kombëtare.
Mirëpo, Prenk Jakova “zyrtarisht” nuk është as “Mjeshtër i Madh” siç janë bërë të tillë pothuaj të gjithë ata që gjejnë një mikrofon e ja marrin këngës, pavarësisht se nuk kanë asnjë meritë e asnjë kontribut.

Lista me emra të tillë të mëdhenj për nga vepra që kanë krijuar dhe për nga kontributet që kanë dhënë, por që janë lënë në harresë është e gjatë. Emrat e Çesk Zadejës, Nikolla Zoraqit, Feim Ibrahimit, Pjetër Gacit, Petro Markos, Zef Jubanit, Loro Kovaçit, Tano Banushit, Jakov Xoxes, Vangjush Furxhiut janë vetëm disa prej të harruarve, edhe pse ata e shumë të tjerë si ata meritonin e meritojnë shumë më tepër vëmendje, shumë më tepër respekt e nderim.

Nëpër qytetet tona e sidomos në Tiranë ka plot sheshe dhe rrugë që mbajnë emra njerëzish anonimë dhe me vlera të dyshimta, për të mos thënë që ka rrugë që mbajnë edhe emra banditësh, ka buste e memoriale për individë që në perceptimin popullor por edhe në gjurmët e historisë kanë qenë e mbeten të shenjuar për krimet që kanë kryer, ndërkohë që mungojnë emrat e shumë njerëzve të shquar që do t’i bënin nder çdo qyteti, e mbi të gjitha, do të ishin referenca të vlerave tona si popull e si komb.
Kemi nevojë për keto referenca, kemi nevojë për modele që frymëzojnë me emrin dhe veprën e tyre, sepse kështu na jepet mundësia të shfaqemi edhe si një popull i kulturuar.

Duke iu referuar praktikave shtetërore të nderimit, rëndom bie në sy praktika e nderimit apo e vlerësimit post mortum, pra pas vdekjes, të shumë personaliteteve, përkundër harresës, nëse do të duhet të përdorim një fjalë oportune, në gjallje të tyre.
Përpara disa ditësh Presidenti i Republikës nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” disa artistë të shquar të kinematografisë tonë, ndër ta edhe “Artistin e Popullit” Viktor Gjika, duke na dëshmuar kësisoj jo vetëm ndjeshmëri, por edhe respekt për artistin e madh, nderimi i të cilit është mirëpritur nga të gjithë artistët shqiptarë e të gjithë ata që e kanë njohur Viktor Gjikën.

Pa e zbehur aspak vlerën e merituar të nderimit, imagjinoni për një çast se çfarë peshe do të merrte ky nderim nëse do të qe bërë sa qe gjallë regjisori i madh, që edhe ai të ndjente, të prekte e jetonte nderimin shtetëror me dekoratën e lartë siç ka ndjerë gjatë gjithë jetës respektin, nderimin dhe dashurinë e popullit.
Për fatin e mirë të tyre, por padyshim edhe për të gjithë ne e për fatin e madhe të artit kombëtar sot jetojnë e madje edhe punojnë duke na dhënë vepra dinjitoze përfaqësues të mëdhenj të plejadës së artistëve elitarë të kulturës tonë si piktorët e skulptorët Ksenofon Dilo ( 1932 ), Hasan Nallbani ( 1934 ), Thoma Thomai ( 1936 ), Hektor Dule ( 1939 ), Zef Shoshi ( 1939 ), të gjithë mbi tetëdhjetë vjeç e plot të tjerë në moshën e tyre apo edhe më të rinj se ata.

Uroj t’i kemi jetëgjatë e të vazhdojnë të na japin vepra dinjitoze në lartësinë e artit të tyre, por nëse askush nuk kujtohet t’i nderojë e vlerësojë për kontributin që kanë dhënë e vazhdojnë të na japin, nëse Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve nuk kujtohet e madje as dënjon t’ua hapë dyert e galerisë që të ekspozojnë veprat e tyre e jo më t’i propozojë për ndonjë nderim të veçantë, shpresoj të paktën që këto rradhë të mund t’i shërbejnë Presidentit të Republikës për t’i nderuar sa janë gjallë, siç ka bërë më parë me shumë veneracion edhe me personalitete të tjerë të shquar si Dhimitër Anagnosti, Muntaz Dhrami, Sali Shijaku e të tjerë.
Janë artistë me të cilët do të krenohej çdo popull. Me shumë prej tyre dhe me të tjerë që nuk i kanë emrat në këto rradhë por që janë e do të mbeten përjetë në kujtesën e popullit dhe në panteonin e kulturës tonë kombëtare; artistë të kinemasë e teatrit, të muzikës dhe arteve pamorë, shkrimtarë e shkencëtarë të fushave të tjera të dijes, krenohen akademitë dhe universitetet ku studiuan.
Ata janë nderi i Shqipërisë, ata janë nderi i vërtetë i kombit, janë referenca të krenarisë tonë, ndaj nderimin dhe mirënjohjen ua kemi detyrim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb