Trajneri i përfaqësueses shqiptare Edi Reja, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshëm për shtyp para sfidës ndaj Islandës. Ai e ka cilësuar këtë sfidë të rëndësishme edhe pse nuk është më në lojë vendi i parë, ndërsa ka saktësuar se pret një reagim nga skuadra pas disfatës në Izrael.

“Kemi rreshtuar disa herë cilat janë arsyet e situatës. Unë shpresoja që në këtë Ligë Kombesh të rriteshim, e kemi bërë se kemi bërë edhe miqësore që kanë shkuar mirë, kemi bërë paraqitje të mira. Prisja rritjen e cilësisë, por për fat të keq duhet të diskutojmë përsëri gabimet që nuk bëhen nga reparti, por individi. Që kur jam këtu kemi lëshuar shumë herë. Kundërshtarët e kanë shfrytëzuar shumë mirë gabimin tonë. Nëse duam të rritemi duhet të jemi bashkë e diskutojmë këto situata që shfaqen që të mbërrijmë te momenti që të mos përsëriten këto gabime. Është e kotë që të rreshtojmë gabimet në ndeshjen ndaj Izraelit, ishin shumë. Dy golat u dhuruan, pastaj edhe te barazimi i lamë hapësirë në kundërsulm e nuk duhet të ndodhë. Kur je në fushë duhet të përdorësh kokën, futbolli është i bërë nga ekuilibri, të cilën ne e humbëm totalisht ashtu si edhe ndeshjen. Po ndodh vazhdimisht por nuk arrijmë t’i përmirësojmë, është e kotë të flasim.

Formacioni? Ndonjë ndryshim do të ketë se kur ka ndeshje çdo tre ditë, duhet të shoh gatishmërinë, ka ndonjë problem fizik, por të shohim ta zgjidhim nesër. Kam folur me mjekun dhe kemi diçka të vogël, por uroj të kem të gjithë në dispozicion. Pastaj ka ndonjë të lodhur, se ka disa lojtarë që kanë luajtur pak me klubet e tyre, me këto ndeshje me intensitet ndokush e ndjen më shumë. Ta shohim nesër dhe si ndjehen, nëse ndjehen mirë do të bëj zgjedhje, përndryshe do të aktivizoj ata që nuk luajtën ndaj Izraelit. Ndaj do të shoh e verifikoje edhe modulin në bazë të lojtarëve.

Nuk kemi përmbysur asnjë rezultat? Duhet të pranojmë që skuadra demoralizohet kur pëson gol, duhet të reagojmë pasi ndeshja është e gjatë. Kemi pasur ndeshje ku kemi pasur kohë të rikuperojmë. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë, nga aspekti i karakterit e personalitetit duhet reaguar e mundohemi të marrim rezultatin. Është e pashpjegueshme, si gabimet që ndodhin shpesh. Këto i shtohen kësaj situatë nga ana psikologjike e mendore, këtu flitet që duhet të fitojmë. Por fillimisht duhet të organizohemi, krijojmë një skuadër e punojmë njëri për tjetrin, që të formojmë ekuilibra. Kur i humbim pastaj humb gjithçka, pasi kur pëson, reagon në mënyrë negative, siç ndodhi në Izrael. Ne u nisëm për të fituar, mund të ndodhë që je duke sulmuar me 6 apo 7 para, por mbrapa duhet vëmendje. Por ne lamë hapësira, kjo nuk bën se ekipi duhet të jetë shumë i ekuilibruar. Kemi parë shumë ndeshje ku minutat e fundit mund të ndryshojnë fatin e një ndeshje ndaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm.

E ardhmja? Nuk është mendimi që kam tani, mendoj vetëm për Islandën, nuk mendoj për të ardhmen. Unë mendoj vetëm për këtë ndeshje, pas Islandës ka kohë të mendoj për të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është kjo ndeshje. Pastaj vetëm Zoti mund të kuptojë atë që do të ndodhë.

Kritikat sa më përket mua, nuk më prekin, djemtë mund t’i kenë ndjerë pak më shumë. Se kritikat duhet të jenë, por në ndeshjen mbrapa duhet të reagosh, duhet të jesh shumë më i inatosur për të arritur objektivin. Në ndeshjen e parë time me Islandën kemi bërë ndeshje të mirë dhe meritonim të fitonim, por nuk ia dolëm. Këtu i mundëm. Nëse luajmë me vendosmëri, përkushtim e karakterin e duhur, është e qartë që mund të fitojmë, është e qarë që nuk duhet të bëjmë gabime që ndodhin shpesh. Duhet të luajmë me besim te aftësitë, jo duke menduar për atë që ka ndodhur, por të fokusuar te ndeshja. Kur të hyhet në fushë, përballë publikut tonë, duhet të jemi të qetë, duhet të jemi shumë të qetë. Ndaj Islandës duhet karakter i fortë, janë të aftë fizikisht dhe kanë karakter të fortë ndaj ne duhet të kemi të dominojmë në këtë aspekt”, tha Reja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: