Tirana u shortua në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë përballë Teutës. Në një prononcim për mediat, drejtori sportiv i bardhebluve, Tefik Osmani, u shpreh se Tirana do të luftojë deri në fund për Kupën dhe se gjithashtu beson shumë se skuadra do të arrijë të ruajë titullin kampion në Superiore.

“Jo të them të drejtën të tre skuadrat ishin të forta. Është ndeshje shumë e rëndësishme, sepse të dyja ndeshjet të çojnë në finale. Ka një tjetër specifikë Kupa, që e arrin shumë shpejt një trofe. Nuk është si kampionati që janë shumë ndeshje. Do ta vlerësojmë në maksimum dhe besoj se do të dalim me sukses.

Të them të drejtën, si stafi dhe unë mendojmë se titullin kampion e kemi të fituar. Besoj se do të ishte e bukur që të fitonim edhe Kupën.

Mendoj që Tirana qëkur është krijuar gjithmonë e ka pasur bindjen e saj që titulli kampion edhe Kupa duhen fituar.

Unë e përmenda dhe më përpara. Të tre skuadrat janë të forta. Normalisht ai që do jetë në finale me ne, besoj se do e meritojë plotësisht.

Është një ndeshje shumë e rëndësishme ajo me Erzenin në fundjavë. Dihet që skuadra e Erzenit është surpriza e kampionatit. Normalisht që në çdo ndeshje futemi për tre pikë dhe shpresoj e besoj që t’ia arrijmë qëllimit.

Pak a shumë e dini dëmtimin e Patrik. Besoj që Abazajn ta kemi gati. Gjithmonë ne jemi bazuar te elementët e rinj që ne besojmë shumë që kanë një të ardhur shumë të ndritur përpara, jo vetëm te Tirana, por edhe jashtë kufijve.

Është marrë një vendim që stadiumi “Air Albania” do të jetë i mbyllur për shkak të problemeve që ndodhën në derbi. Normalisht që ne kemi luajtur dhe ndeshje të tjera në Elbasan. Vërtet fusha është fantastike. Ambienti pothuajse është njësoj. Nuk besoj se do të ketë problem.

Edhe kur më është bërë një intervistë në fillim të kampionatit, kam thënë që do të jetë një luftë midis Partizanit dhe Tiranës. Por shpresojmë që të jemi ne ata që do të buzëqeshin në fund”, u shpreh Osmani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb