TIRANE- “Alo, z.Ministër, jam i dënuari X….”. Telefonatat “bezdisëse” që të dënuarit bënin në adresë të Ministrit të Drejtësisë, duket se kanë vënë jo pak në “siklet” Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Ndaj për t’i dhënë fund njëherë e mirë, situatës jo fort të këndshme, kur kreu i dikasterit të Drejtësisë, shqetësohej ore e pa orë, shpesh pa shkak, madje edhe kur ndodhej në takime zyrtare, Drejtoria e Burgjeve, ka udhëzuar të gjithë shefat e policisë në të 23 institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, që të kontrollojnë me rreptësi telefonatat e të dënuarve.

‘BalkanWeb, disponon një e-mail i nisur me datë 27 janar 2017, në adresë të shefave të policisë në burgje, të cilëve u lihet detyrë të udhëzojnë vartësit, që të mbikëqyrin telefonatat e të dënuarve. “Me urdhër verbal të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, çdo bisedë telefonike, e bërë nga ana e të dënuarve, do të mbikëqyret me rreptësi nga ana e një punonjësi policie si dhe do t’i kontrollohet paraprakisht numri të cilin do të marrë i dënuari”, thuhet në e-mail, shkruan BalkanWeb.

E-maili i Drejtorisë së Burgjeve
E-maili i Drejtorisë së Burgjeve

Shefat e policisë paralajmërohen se do të mbajnë përgjegjësi administrative nëse nuk zbatojnë urdhrin në fjalë. Shumë të dënuar nuk e kanë pritur mirë kërkesën që u është bërë nga punonjësi i policisë në burg, duke e konsideruar shkelje të të drejtave të tyre. Të dënuarit thanë për ‘BalkanWeb’, se nuk ka asnjë arsye përse t’i vënë në dispozicion policit të burgut, numrin e telefonit që do të telefonojnë, pasi kryesisht janë numrat e familjarëve të tyre.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb