NGA:Eglantina Alliaj*
TIRANE- Shqipëria dhe Greqia angazhohen të rrisin bashkëpunim për të nxitur promovimin e turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Me ndërmjetësimin e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor Tiranë dhe nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme te Republikës së Shqipërisë në Janinë, u nënshkrua në Janinë një memorandum bashkëpunimi midis Shoqatës Shqiptare të Turizmit dhe Shoqatës së Hotelierëve të Janinës. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryetari i Sektorit te Hoteleve në ATA, Zak Topuzi dhe Kryetari i IRHA, Konstandin Vllaho.

Në takimin që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor Tiranë, Irena Toçi pati me kryetarin e bashkisë së Janinës, Thomas Begas dhe Prefektin e Janinës, Alekos Kahrimanis, theksi u vu tek promovimi i turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta, duke filluar nga programet europiane IPA II për të cilat kërkohet një bashkëpunim ndërkufitar.

Një ndër objektivat e përbashkët të kësaj marrëveshjeje ishte koordinimi për promovimin e përbashkët të destinacioneve Shqipëri e Greqi, veçanërisht të zonave ndërkufitare, për të siguruar një pozicionim me të mirë në tregjet ndërkombëtare, që lidhen me turizmin dhe vlerat e tij ekonomike.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: