Policia e Elbasanit ka marrë nën kontroll stadiumin “Elbasan Arena” që prej ditës së djeshme duke mos lejuar hyrjen në impiant të asnjë personi të paautorizuar. Sipas “Panorama Sport” këto masa ekstreme vijnë si pasojë e situatës alarmante në lidhje me zhvillimin e ndeshjes, e cila u zhvendos nga Shkodra në Elbasan për shkak të rrezikut të ndonjë sulmi terrorist.
Pas vendimit të FIFA-s për ndryshimin e stadiumit, forcat e rendit në Shqipëri po ndërmarrin çdo masë të mundshme për të siguruar mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”.
Ky është një rast i paprecedent për Shqipërinë, teksa asnjëherë më parë nuk është vënë në diskutim zhvillimi normal i një ndeshjeje si pasojë e kërcënimit nga terrorizmi.
TAKIMI NË TIRANË
Ndërkohë sot rreth orës 13:30 në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtori i Rendit Publik, Gjovalin Loka priti në një takim, përfaqësues të Federatës si dhe të kompanisë që merret me sigurinë e stadiumit të “Elbasan Arena”.
Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, takimi u zhvillua për të koordinuar masat me qëllim mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Izrael që do të zhvillohet në Elbasan Arena më datë 12 Nëntor. Policia e Shtetit, ka hartuar një plan masash që pritet të bëhet me dije në ditët në vijim.
NDRYSHIMI I STADIUMIT
Zhvendosja e ndeshjes Shqipëri-Izrael nga stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër tek “Elbasan Arena” është bërë me kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe arsyeja ka qenë mungesa e sigurisë në impiantin e qytetit veriperëndimor. Pas lajmit të publikuar në media se arrestimet e disa personave në Shkodër ishin kryer sepse Mossad kishte njoftuar se ata mund të kryenin akte terrorizmi në stadium gjatë ndeshjes, u vendos ndryshimi i impiantit.
Kërkesa në FIFA nuk është dorëzuar nga Federata Izraelite e Futbollit, siç mund të mendohej, por nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundi ka dorëzuar në FIFA një kërkesë për zhvendosjen e ndeshjes në Elbasan dhe ajo është aprovuar nga organizata e cila rregullon eliminatoret e Botërorit 2018 në kuadër të së cilës zhvillohej kjo ndeshje.
“Pasi Federata Shqiptare i kerkoi FIFA-s të lëvizte vendndodhjen e ndeshjes kundër Izraelit për shkak të kushteve të sigurisë, FIFA vendosi që ndeshja të zhvendosej ne Elbasan, pranë Tiranës. Federata e Izraelit e aprovoi këtë ndryshim”, shkruhej në njoftimin e Federatës Izraelite.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb