KUKES – Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici zhvilloi një takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Ferid Agani, Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe ekspertë të fushës së mjedisit.
Në këtë takim, u diskutua për basenin ujëmbledhës të hidrocentralit të Fierzës, ku Prefekti Gjici tha se “çështja e menaxhimit të këtij baseni është një çështje e përbashkët, e Shqipërisë dhe Kosovës, ndaj dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i japë Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë mbështetjen për dhënien e statusit të “Liqenit” këtij baseni”.
Ndërkohë, Ministri Agani gjatë fjalës së tij u shpreh se bashkëpunimi do të jetë në fusha konkrete dhe në mbledhjen e radhës, së të dy qeverive, do diskutohet dhënia e statusit. “Ndërkohë, ka nisur së zbatuari një projekt prej 60 milion euro, me qëllim përpunimin e ujërave të zeza që hidhen në ujërat e këtij baseni, nga qytetet e Kosovës”- tha ai.
Ambasadori Qemal Minxhozi, tha se ky basen, me marrjen e statusit të “Liqenit” do të mund të shfrytëzohet edhe për sektorin e turizmit, duke qenë se pozicioni i saj ka resurse, që kërkohen të vizitohen nga turistë vendas e të huaj.
Baseni ujëmbledhës i hidrocentralit të Fierzës, çdo vit është kthyer në një “katastrofë” ekologjike, për shkak të ndotjes që krijohet nga mbetje të ndryshme që grumbullohen në të, që vijnë nga Kosova dhe njësitë vendore të qarkut të Kukësit. Gjatë vitit të kaluar, brigjet e këtij baseni, u mbuluan nga qindra ton mbeturina, për largimin e të cilave shumë institucione u angazhuan për pastrimin e tij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: