Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë gjithmonë perfekte, por në çdo kohë do të lindin shkëndija për elementë të ndryshëm në secilën përfaqësuese. Fakti i të konsideruarit të barabartë gjithkënd që ka origjinë shqiptare prodhon shpesh edhe shkëndija të ngjashme si ato për Edon Zhegrovën e shumë të tjerë përpara tij.

Kosova mbron me fanatizëm prejardhjen e familjes së ngushtë, e cila për shumë nga futbollistët është me banim në territorin shtetëror të saj, porse Shqipëria gëzon të drejtën e të qenurit përfaqësuese e gjithsecilës krahinë për të mos përjashtuar askënd që flet shqip. Në të tilla raste, “topi” kalon te vetë lojtari apo familja e tij që duhet të zgjedhë.

Por, së fundmi, terreni nuk do të jetë kaq i panjohur sa ka ndodhur të jenë edhe skuadrat nga të cilat janë formuar elemente të ndryshëm. Meritan Shabani është talenti që po katapultohet te Bajerni. Cila vallë do të triumfojë për ta bindur?

GJERMANIA
Kosova e ka prezantuar në krye të listës së lojtarëve të rinj në moshë, për të cilët po tenton t’i bindë të zgjedhin përfaqësuesen e saj. Në një postim në rrjetet sociale, Federata e Kosovës ka prezantuar Meritan Shabanin (Bajern), Mërgim Berishën (Magdeburg), Elvis Rexhbecaj (Volfsburg) dhe Florent Hadërgjonaj (Hadërsfilld) si emrat e rinj që po i tenton t’i ketë në përfaqësuese. Po Shqipëria? Secili prej tyre, me dëshirën me të madhe, do të tentohet edhe nga pala kuqezi.

Përfaqësuesit rajonalë apo edhe vetë trajneri i Kombëtares ose nga drejtoria e ekipeve Kombëtare do të tentojnë që të bindin çdo element premtues, mirëpo këtë herë rreziku është shumë i madh që një lojtar me origjinë shqiptare të zgjedhë… Gjermaninë. I promovuar te Bajerni, me të cilën shënoi edhe në miqësore ndaj Sitit, Shabani mund të bindet më së pari nga federata gjermane. Deri më tani, 19- vjeçari nuk është aktivizuar në asnjë përfaqësuese moshash, ndaj mbetet për t’u parë se çfarë zgjedhjeje do të bëjë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/shqiperi-kosove-duel-te-bajerni-lufte-e-ftohte-per-talentin-e-bavarezeve/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb