KOSOVË- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është takuar me homologun e tij, ministrin kosovar të Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. Panariti dhe Krasniqi kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët për njehsimin e standardeve të miellit dhe tregtimit të tij mes dy vendeve.

Ndërkohë, në bisedimet mes dy homologeve mësohet se janë edhe planet e afërta për njehsimin e standardeve edhe për produkte të rëndësishme si, qumështi, vera, vaji dhe patatja.

Ndërkohë nënshkrimi i marrëveshjes për njehsimin e standardeve të miellit dhe tregtimit të tij mes dy vendeve, ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka përshëndetur nëpërmjet një statusi në Facebook.

“Tjetër hap drejt bashkimit të forcave të kombit tonë! Sot në Prishtinë u vendos praktika e certifikatës së njëjtë për prodhimet bujqësore”, shkruan Rama.

FJALA E DY MINISTRAVE PARA MEDIAS:

KRASNIQI: DUAM T’I EVITOJME KEQKUPTIMET E PANEVOJSHME

“Ne biseduam edhe për disa hapa konkretë, nëpërmjet delegacioneve tona, të cilat do t’i ndërmarrim para mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të përbashkët të dy qeverive që do të zhvillohet në Tiranë. Më vjen mirë që kemi një pajtueshmëri për të gjitha çështjet, për prioritetet tona qeveritare dhe ministrore dhe unë shpresoj se deri në vizitën e ardhshme që ne do të bëjmë në Tiranë, do të kemi hapa konkretë për realizimin e këtyre qëllimeve dhe me shpresën se në mbledhjen e dy qeverive do të kemi dokumentet e gatshme për nënshkrim. Në këtë drejtim edhe Agjencioni i Ushqimit dhe i Veterinarisë që drejtohet nga z.Gjinovci, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, do të luajë rolin e vet të rëndësishëm, deri në momentin kur të kalojë edhe formalisht, pas ndryshimit të ligjit të ushqimit, nga zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Bujqësisë si Agjencion. Gjithsesi mbetemi të përkushtuar si dy qeveri dhe si dy institucione qeveritare, për të arritur dhe për të realizuar këto objektiva të përbashkët dhe për të mundësuar një funksionim shumë efikas, i cili do të evitojë në të ardhmen keqkuptimet e panevojshme, të cilat ndonjëherë na kanë ndodhur të dy palëve, por që për të cilat nuk ka qenë vullneti i asnjërës prej tyre.”

PANARITI: PO ARRIJME T’I NJEHSOJME STANDARTET

“Ja ku jemi këtu për të ndarë me ju disa arritje. Së pari ne arritëm që të njehsojmë standardet në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit.Po sot unë pata rastin që t’i paraqes ministrit Krasniqi dhe propozimet tona për njehsimin e standardeve edhe për artikuj të tjerë ushqimorë duke filluar nga qumështi, verërat, mjafti, vaji etj. Presim që pala kosovare të japim opinionin e tyre në mënyrë që së shpejti të dalim edhe me një paketë të përbashkët të standardeve të sigurisë dhe cilësisë edhe për këto produkte. Kështu bëjmë edhe një hap tjetër të vendosur për unifikimin e standardeve.

Nga ana tjetër me z. Krasniqi ramë paraprakisht dakord që ne të njehsojmë edhe dokumentet bashkëshoqëruese të mallrave të artikujve bujqësorë. Pra që dokumentet të jenë unike dhe të njohura reciprokisht nga të dy autoritetet tona. Kjo do të bëjë të mundur kalimin pa asnjë lloj pengese të mallrave me dokumentet përkatëse. Pra, ne po materializojmë atë ambicie të përbashkët të dy qeverive tona për të krijuar platformën unike kombëtare të ushqimit, me standarde të njehsuara, me procedura të njehsuara, si një hap vendimtar dhe i rëndësishëm drejt ambicies që dy vendet tona kanë për të integruar sistemet dhe standardet e tyre me ato të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, diskutuam me z. Krasniqi edhe për çështjen e rajonalizimit të produkteve bujqësore. Të dy vendet tona duhet të punojnë për krijimin e një tregu të përbashkët, një hapësire të përbashkët ekonomike.”

PYETJET NGA GAZETARET:

Nëse flasim për kufirin që ka ekzistuar prej vitesh e dekadash midis dy vendeve, tashmë që rrugët e bashkëpunimit ekonomik janë hapur, një vit pas mbledhjes historike të dy qeverive dhe kur na ndajnë vetëm pak javë para mbledhjes së radhës që do të zhvillohet në Tiranë, si do të vijojë të jetë ky bashkëpunim?

Edmond Panariti: Më lejoni të theksoj se ai është një kufi administrativ, por për mua është një kufi virtual në kuptimin e hapësirës tregtare dhe shkëmbimit të lirë të mallrave dhe të shërbimeve. Dhe duke u nisur edhe nga avantazhi që krijon infrastruktura e re, ne kemi një autostradë që tashmë lidh dy vendet tona. Ky është një avantazh jashtëzakonisht i madh që ne akoma nuk po e shfrytëzojmë me potencial të plotë dhe sfida jonë e ardhshme, madje unë e diskutova edhe me ministrin Krasniqi, është që ne të zhdukim njëherë e përgjithmonë ato radhë të automjeteve që ende për fat të keq i shikojmë në pikën tonë doganore. Aty duhet të shikojmë rrjedhje pa pengesa të lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe shërbimeve. Sigurisht edhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ne do ta adresojmë këtë problem. Ajo që na takon ne si ministra është që ne bëmë hapin e parë, solid dhe të qëndrueshëm për heqjen e pengesave administrative për lëvizjen e produkteve, të cilat tashmë i nënshtrohen mekanizmit të konkurrencës së lirë. Por, nga ana tjetër për të krijuar hapësirën e duhur për të gjithë operatorëve, prodhuesve e agropërpunuesve në hapësirën që unë e quaj panshqiptare. Është hapësirë që nuk i takon as Shqipërisë, as Kosovës, por i takon gjithë popullit shqiptar.

Memli Krasniqi: Pajtohem plotësisht me përgjigjen e z. Panariti. Ai është një kufi administrativ, i cili nuk mund të krahasohet me atë për të cilin keni shkruar para 20 viteve. Sot është një pikë e cila nuk i ndan, por i lidh Kosovën me Shqipërinë. Është një pikë e cila është mundësia më e mirë e shqiptarëve për lëvizjen e njerëzve, të mallrave e të shërbimeve. Është ajo pika, e cila edhe përmes infrastrukturës jashtëzakonisht moderne ka mundësuar një qarkullim shumë më të lehtë, shumë më të shpeshtë mes kombit shqiptar. Nëse z. Panariti i janë dashur 2 orë e gjysmë që të vijë në Prishtinë, në shumë zona në Shqipëri nevojitet 3 orë a më tepër për të mbërritur në to. Kjo i ka afruar shqiptarët dhe vendet tona. U ka ofruar një mundësi shumë të madhe ekonomike gjë që ka qenë qëllimi i qeverive të ndryshme, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Padyshim, që pajtohemi me faktin që kjo mundësi duhet të shfrytëzohet edhe më shumë, edhe më mirë. Veprimet konkrete për të cilat folëm edhe sot, e që do të implementohen edhe në të ardhmen e afërt do të mundësojnë një përdorim shumë më të mirë dhe efikas në funksion të zhvillimit ekonomik edhe më të madh të dy vendeve tona. Është në interesin tonë të përbashkët që tregu për prodhuesit, për përpunuesit e tregtarët e dy vendeve tona të jetë më i madh, së paku 5 milion. Nëse ne arrijmë këto qëllime fisnike, padyshim që jo vetëm do të jemi shembulli i bashkëpunimit rajonal, por do të jemi edhe më të fuqishëm për ta rritur këtë 5 milionësh në të ardhmen, në mënyrë edhe sektori privat, edhe fermerët si përfitues direkt, por edhe qytetarët tanë të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtyre mundësive.

Kur priten të nënshkruhen këto marrëveshje?

Memli Krasniqi: Në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive që do të mbahet në Tiranë, pas asaj të mbajtur në Prizren, të jemi të gatshëm për t’i nënshkruar këto marrëveshje. Disa nga ato marrëveshje që u përmendën ka një pajtueshmëri. Për standardet e produkteve të ndryshme do të kemi diskutim me të gjitha palët e interesit, edhe me prodhuesit, edhe me bizneset përkatëse në mënyrë që të kemi një pajtueshmëri sa më të gjerë, për të krijuar një mundësi shumë më të mirë për të eliminuar barrierat që në të kaluarën kanë shkaktuar probleme. Qëllimi ynë i përbashkët është mbledhja e ardhshme e dy qeverive.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb