Shqipëri-Kosovë nuk do të ketë praktikisht kufij për festat zyrtare dhe në fundjave. Ministri i Brendshëm Bldi Çuçi ka prezantuar sot marrëveshjen që do nënshkruhet për krijimin e lehtësirave të kalimit në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas.

“Protokolli i parë që do nënshkruajmë me homologun Svelça që përgjatë periudhës së verës dhe gjatë fundjavave kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”, tha ministri Çuçi .

Çfarë parashikon marrëveshja?

Para 3 muajsh, në mars të këtij viti, kuvendi i RSH miratoi marrëveshjen që mundësonte kalimin e kufirit për banorët e zonave kufitare të dy shteteve, në vendkalime dhe në zonat më të afërta për banorët përgjatë vijës kufitare, edhe jashtë pikave të kalimit kufitar. Kalimi i kufirit për ta do të bëhet në çdo orë përgjatë 24 orëve, pa nevojën e vulosjes apo regjistrimit të dokumenteve të identifikimit dhe pa nevojën e mbikëqyrjes direkt të autoriteteve të kufirit.

Banorët e zonave kufitare do të pajisen me lejen kufitare, duke plotësuar një formular të thjeshtë dhe unik në portalin qeveritar e-Albania. Qytetarit do ti dërgohet leja e miratuar elektronikisht në adresën e tij e-mail brenda 5 ditëve. Kjo leje është e vlefshme deri në 5 vjet dhe pa asnjë kosto për shtetasit shqiptar;
 Autoritet kufitare do të përcaktojnë gjithashtu korsi dhe hapësira të dedikuara, nëpërmjet të cilave banorët e pajisur me lejen kufitare do të kalojnë pa kontroll dhe jashtë radhëve që mund të ketë në kufi, duke u dhënë përparësi kalimit të tyre.

Cilat janë përfitimet?
Nga kjo marrëveshje përfiton një popullsi prej më shume se 98 mijë banorë e shtrirë në 3 qytete, Kukës, Krumë dhe Tropojë dhe në 19 njësi administrative të Qarkut së Kukësit.

Protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar në PPKK Morinë, Kukës
Çfarë është?
Duke u nisur nga rritja e fluksit të lëvizjeve në të dy anët e kufirit, me qëllim që ti shërbejmë sa më mirë lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve, me nënshkrimin e këtij protokolli do të lehtësojmë edhe më procedurat e kalimit të kufirit për shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë në pikën kufitare Morinë.

Si do të funksionojë?
Me këtë protokoll ne vendosim që për periudhën nga 1 Qershori deri më 30 shtator, ditëve të fundjavave gjatë gjithë vitit dhe ditëve të festave shtetërore, shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë të kalojnë kufirin pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare. Kjo bëhet me qëllim shmangien e radhëve dhe përshpejtimin e lëvizjes së qytetarëve;
 Aspekti i dytë i këtij protokolli, prek aspekte të integrimit dhe unifikimit të shërbimeve kufitare me Republikën e Kosovës. Në këtë kuadër janë përcaktuar përgjegjësitë e secilës palë në administrimin e godinave dhe të ambienteve dhe procedura të detajuara për veprimtarinë e përditshme të përbashkët të personelit të kufirit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb