TIRANË – Biznesmeni dhe politikani kosovar Behgjet Pacolli, ka ide konkrete sesi marrëveshjet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të konkretizohen dhe të mos i lihen në dorë burokracisë. Sepse ai dyshon shumë se kështu mund të ndodhë.

Si pionier i inisiativës për mbledhjen e dy qeverive, Pacolli shprehet në Fb:
“Dikush do të thotë se qeveritë, dikasteret e ndryshme kanë stafe, kanë drejtori të ndryshme. Vërtet besohet se specialistët e ministrive përkatëse do të merren me angazhime të reja shtesë në kuadër të një programi të bashkëpunimit kombëtar? Vërtet duhet të shpresojmë se burokracitë tona do të gjejnë kohë për të ofruar zgjidhje për problemet kryesore të zhvillimit tonë kombëtar, për korridoret rrugore, për harmonizimin e legjislacionit, për sa e sa probleme të tjera? Unë dyshoj.

Si zgjidhet problemi? Së pari nëpërmjet institucioneve ad hoc që duhen krijuar. Së dyti, nëpërmjet bashkëpunimit me një softuer kombëtar, një Institut të mendimit ekonomik kombëtar, i cili do të fokusohet pikërisht në identifikimin e problemeve dhe zgjidhjet e tyre ligjore, ekonomike, etj. Në këtë institut do duhet të përfshihet mendimi më i mirë kombëtar, brenda dhe jashtë vendeve tona, madje duke shfrytëzuar më së shumti diasporën tonë, profesorët tanë të universiteteve më të mira botërore, ndërmarrësit me renome, etj, etj.

Për ta mbyllur, unë besoj në ardhmërinë tonë të përbashkët, përndryshe nuk do të angazhohesha në të,”- përfundon ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb