TIRANE – Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave të Shqipërisë, Elona Gjebrea Hoxha dhe Koordinatori Kombëtar për Antitrafikimin në Malin e Zi, Zoran Ulama, kanë nënshkruar sot protokollin shtesë për Intensifikimin e Bashkëpunimit në Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe për përmirësimin e identifikimit, njoftimit, referimit dhe kthimit vullnetar të ndihmuar të viktimave, apo viktimave të mundshme të trafikimit.

Ky protokoll është në vijim të përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për përmirësimin e bashkëpunimit policor ndërkufitar me vendet fqinje për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave potenciale të trafikimit, si dhe për të intensifikuar shkëmbimin e shpejtë dhe të saktë të informacionit policor dypalësh.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, tha se “Pas një pune intensive sot po finalizojmë një angazhim të përbashkët disamujor: nënshkrimin e protokollit shtesë me Republikën e Malit të Zi për “Intensifikimin e Bashkëpunimit në Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe për Përmirësimin e Identifikimit, Referimit dhe Kthimit Vullnetar të Ndihmuar të Viktimave apo Viktimave të Mundshme të Trafikimit”.

Protokolli shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Malit të Zi, erdhi edhe si nevojë e intensifikimit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve dhe plotëson më së miri Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës të Malit të Zi, për bashkëpunim në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafiqeve të paligjshme dhe aktiviteteve të tjera ilegale.

Ky protokoll shtesë do të sjellë shkëmbimin e rregullt të informacioneve, me anë të të cilave do të bëhet i mundur parandalimi, identifikimi dhe dokumentimi i veprave penale që lidhen me trafikimin e personave.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb