TIRANË – Shqipëria dhe Turqia vendosin të nënshkruajnë marrëveshjen për Tregtinë e Lirë. Për këtë qëllim ka vizituar sot Tiranën, Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zejbekçi, pasi të dyja vendet kanë rënë dakord të zgjerojnë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Ministri shqiptar i Zhvillimit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ai turk, Nihat Zejbekçi, kanë dhënë sot një deklaratë të përbashkët për shtyp. Zejbekçi deklaroi “dëshiroj të falënderoj shumë mikun tim të dashur, zotin Ahmetaj. Sot jam tepër i lumtur që ndodhem në Shqipëri, në një vend mik dhe vëlla. Kjo ishte një vizitë tepër e shpejtë. Sot në mbrëmje unë do të kthehem në Turqi, por dua të theksoj rëndësinë e kësaj vizite. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë marrëdhënie shumë të mira dhe ecin në drejtim pozitiv.

Volumi tregtar midis dy vendeve tona këto dhjetë vitet e fundit, e sidomos tre-katër vitet e fundit, është rritur rreth katër herë. Aktualisht janë rreth 300 firma që punojnë në Shqipëri dhe investimet e tyre të përgjithshme arrijnë në 1 miliardë dollarë.

Unë mendoj se potencialet ekonomike tregtare të Turqisë dhe Shqipërisë nuk duhet të mbeten brenda territoreve të tyre, nuk duhet të jenë të kufizuara, por duhet të shtrihen akoma më shumë. Prandaj ne si Turqi gjithmonë i inkurajojmë investitorët tanë që të vijnë për të investuar në Shqipëri, sepse ne Shqipërinë e shohim si një vend partner strategjik në Ballkan. E shikojmë Shqipërinë si një vend partner në logjistikë, në prodhim, kudo.

Sot me mikun tim të vyer ramë dakord për një çështje mjaft të rëndësishme lidhur me marrëveshjen e tregtisë së lirë, që do të thotë: “miqësi pa kufi, marrëveshje pa kufi”. Jemi miq shumë të mirë, jemi vëllezër shumë të mirë, kemi lidhje të vjetra historike, por duhet të kemi një partneritet mjaft të mirë edhe në ekonomi. Dëshiroj ta dini që kam ardhur në Shqipëri dhe e ndiej veten si në shtëpinë time. Me këtë rast përshëndes kolegun tim, mikun tim dhe gjithë popullin shqiptar,”- theksoi ministri turk.

Ndërsa ministri Ahmetaj tha: “I kam theksuar Ministrit Zejbekçi që presim që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe sapo ramë dakord që të zgjerojmë në fushën e shërbimeve dhe në fushën e investimeve marrëveshjen për tregtinë e lirë, që konsiderohet një hap shumë i mirë në hapjen e dyanshme, qoftë të tregut turk për kompanitë shqiptare, qoftë të tregut shqiptar për kompanitë turke. Miku im, Ministri Zeybekci dhe unë, besojmë që gjatë vitit 2015 ne gjithashtu mund të punojmë që ta zgjerojmë marrëveshjen edhe në fushën e bujqësisë.”

Ministri Zejbekçi pritet nga Kryeministri Rama

Kryeministri Rama priti sot në një takim Ministrin e Ekonomisë së Turqisë Nihat Zeybekçi, me të cilin diskutoi për hapësirat e reja të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet investimeve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Duke vlerësuar Shqipërinë si një vend mik e partner të rëndësishëm të Turqisë, Ministri turk Nihat Zeybekçi shprehu angazhimin e qeverisë turke për të intensifikuar dhe thelluar kryesisht bashkëpunimin në dimensionin ekonomik.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se qeveria shqiptare ofron një qasje krejt të re ndaj investimeve të huaja, nëpërmjet një kuadri ligjor inkurajues dhe nxitës të këtyre investimeve. Rama garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj investimeve turke në vend, duke i konsideruar ato si një shtysë e rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve mike.

Energjitika dhe Industria, Zejbekçi takohet me Gjiknurin

Takimi me ministrin turk
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti sot në një takim delegacionin turk të kryesuar nga Ministri i Ekonomisë z,Nihat Zejbekçi.Gjiknuri vlerësoi se është momenti që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të mund të intensifikohet dhe numri i bizneseve turke që zgjedhin të investojnë në Shqipëri të rritet.

Ministri Zejbekçi nënvizoi se Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe me rëndësi strategjike për Turqinë. Sipas tij, ekzistojnë hapësira për ta intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve. Ai tha se në të ardhmen do të vijnë edhe më shumë biznese turke që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri. Ai nënvizoi se korridoret energjitike marrin edhe më shumë vlerë ndërsa Shqipëria bëhet pjesë e tyre.

Sipas mediave turke, Shqipëria për Turqinë ka një pozicion të rëndësishëm në partneritetin tregtar dhe në atë ekonomik. Miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve, që bazohet në lidhjet rrënjësore dhe kulturore, po zgjerohet akoma edhe më shumë me mbështetjen reciproke në arenën ndërkombëtare, zhvillimi i vizitave të nivelit të lartë dhe me marrëveshjet e nënshkruara.

Marrëveshja për Tregtinë së Lirë, shkruan TRT,e cila u nënshkrua në vitin 2006 dhe hyri në fuqi në vitin 2008, përbën një forcë të madhe lëvizëse në marrëdhëniet dypalëshe tregtare dhe ekonomike. Aktualisht, negociatat me autoritetet shqiptare janë në vazhdim me synimin për përfshirjen e shërbimeve dhe fushën e investimeve në STA.

Para marrëveshjes së STA në 2005 importet e bëra nga Shqipëria arrinin vlerën 16 milion dollarë, kjo shifër në vitin 2013 u rrit afërsisht 5 herë duke vajtur në 82 milionë dollarë. Eksporti ndaj këtij vendi në vitin 2005 ka qenë 191 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2013 u rrit në 266 milionë dollarë.

Ndërsa në periudhën dhjetë-mujore të këtij viti, kapaciteti bilateral tregtar midis Turqisë dhe Shqipërisë ka vazhduar të rritet ndjeshëm. Eksportet e tanishme në Shqipëri në krahasim me periudhën e një viti më parë kanë pasur një rrije me 20% në nivelin prej 260 milionë dollarëve, ndërsa importet duke treguar 52 % rritje ka arritur në 81.5 milionë dollarë. Kapaciteti i tregtisë dypalëshe është planifikuar të rritet në 500 milionë dollarë, në një kohë sa më të shkurtër.

Turqia importon nga Shqipëria materialet e ndërtimit prej hekuri dhe çeliku, këpucë lëkure, lëkura dele dhe qengji, produkte tekstilesh, përbërësit bimor që përdoren në farmaceutikë dhe parfumeri si dhe skrap alumini. Ndërsa Turqia eksporton në këtë vend veshje, pajisje elektrike, drithëra dhe produkte furre, pompa, kabllot dhe telat, materialeve të ndërtimit alumini dhe plastika.

Kompanitë turke sigurojë punësim për tre mijë persona

Marrëdhëniet e investimeve dhe kontraktuese mes të dy vendeve po tërheqin vëmendjen si një zonë e rëndësishme në këtë drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Deri tani investimet e Turqisë në Shqipëri janë afruar 1 miliard dollarë. Ndërsa punësimi që sigurojnë kompanitë turke në Shqipëri është rreth tre mijë persona. Në anën tjetër kontraktorët turq në Shqipëri kanë realizuar 24 projekte kontraktuese me një vlerë afërsisht në total 1 miliard dollarë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb