Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, viti 2019 është shpallur nga qeveria shqiptare si Viti i NAT0-s.

Por aktit zyrtar, më 2 prill 2009, në Samitin e Strasburgut, për finalizimin e aspiratës së Shqipërisë për t’u bërë anëtare e NATO-s me të drejta të plota, i parapriu Samiti i Bukureshtit, një vit më parë, ku Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit për në NATO.

Ambasadori Dashnor Dervishi, në shënimet e tij lidhur me zhvillimet e atij Samiti, sjell për gazetën “Panorama”, disa nga momentet interesante të atyre ditëve në Bukuresht. Cila ishte situata në Shqipëri në prag të zhvillimit të këtij takimi; ngjarja e rëndë në Gërdec, që do të vinte në dilemë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

SHQIPËRIA – 10 VJET NË NATO

Mbajtja e Samitit të NATO-s në Bukuresht, nga 2 deri 4 prill 2008, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për Rumaninë, por edhe në shkallë botërore; në mënyrë të veçantë, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme edhe për vendin tonë dhe për rajonin e Europës Juglindore. Duke u ndodhur në Rumani, si ambasador i vendit tim, pa dyshim që ishte një ngjarje dhe eksperiencë e veçantë edhe për mua, edhe stafin e ambasadës në Bukuresht.

Samiti i NATO-s filloi dhe mbaroi brenda tri ditëve, por përgatitjet, zhvillimi dhe ndikimi i tij do të shtriheshin shumë më gjatë në kohë, si para, ashtu edhe me efektet pas tij. Shënimet për këtë ngjarje pasqyrojnë vetëm atë pjesë të dukshme të perceptimeve nga vendi ku do të zhvillohej Samiti, gjatë kohës së ushtrimit të detyrës në Bukuresht; ato nuk marrin përsipër të tregojnë politikën e madhe, që luhej midis fuqive të mëdha apo konjukturat në Bruksel, ku ndodhej Selia e NATO-s

Samiti i NATO-s, i mbajtur në Bukuresht, ishte mjaft i rëndësishëm në mënyrë të veçantë për Rumaninë, pasi e vuri atë për disa ditë në epiqendër të vëmendjes së opinionit publik në botë. Në fillim të muajit mars, një muaj para Samitit, në Bukuresht vjen për një vizitë zyrtare ministri i Mbrojtjes së vendit tonë, Fatmir Mediu, i ftuar nga homologu i tij rumun, Teodor Melescanu. Gjatë qëndrimit në Rumani u bënë shumë takime e vizita në disa reparte dhe qendra të rëndësishme të ushtrisë rumune. Në bisedimet zyrtare, por edhe gjatë gjithë takimeve të tjera, delegacioni shqiptar mori konfirmimin e plotë nga pala rumune, se në samitin e ardhshëm Shqipëria do të merrte ftesën e anëtarësimit. Për ne, konfirmimi dhe gjithë informacionet që merrnim nga pala rumune, lexoheshin si pasqyrim i mendimit dhe qëndrimit të vendeve të tjera të rëndësishme të NATO-s, pasi informacioni që vinte nga Rumania ishte në një masë më të lartë besueshmërie si vend organizator.

190

“Samiti i Bukureshtit do të jetë samiti i zgjerimit dhe ne mirëpresim vendet e Kartës së Adriatikut. Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Rumanisë jo vetëm për marrjen e ftesës, por dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të plotë”, konfirmoi ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Teodor Melescanu. Të dy ministrat ranë dakord që niveli i bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura të rritej më tej, në mënyrë të veçantë në misionet e përbashkëta në vendet me konflikte. Delegacioni pati takime edhe me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Bogdan Olteanu, dhe me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Kostika Canacheu, ku mori mbështetje jo vetëm për marrjen e ftesës për anëtarësim, por dhe për hapat e mëtejshëm të ratifikimit të plotë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Parlamenti rumun.

Për nder të delegacionit të nivelit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, organizova një drekë ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga Presidenca, Parlamenti, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Bukuresht të ministrit tonë të Mbrojtjes, u dhanë shenjat e para të një debati të pritshëm, lidhur me kapacitetet e rezervave të armatimit dhe municioneve ushtarake në Shqipëri, të mbetura që nga Lufta e Ftohtë para viteve ‘90. Pikërisht ato ditë, u bë i njohur edhe problemi i angazhimeve të vendit tonë për pakësimin e armatimeve dhe demontimin e municioneve, që për qeveritarët tanë krijonte mundësira të mëdha për t’u përfshirë në trafiqet ndërkombëtare dhe korrupsion. Një bisedë e gjatë telefonike e korrespondentin e “New York Times” me ministrin tonë ishte sinjali që i parapriu skandalit, i cili pritej të shpërthente me trafikun e armëve dhe municioneve.

Më 14 mars, në kuadër të një seminari ndërkombëtar të organizuar nga NATO, Ilir Kulla, këshilltar në Presidencë, mori takim me homologët e tij rumunë. Gjatë bisedave, u trajtuan problemet e sigurisë në të dy vendet tona, u shkëmbyen eksperienca në kuadër të reformave të ndërmarra, si dhe u shpreh angazhimi për një bashkëpunim më të ngushtë midis institucioneve të sigurisë.

Revista

Të nesërmen, rreth mesditës, telefonata të shumta na vijnë nga Tirana, lidhur me shpërthimin e sapondodhur në Gërdec, në depon e demontimit të municioneve ushtarake. Një shqetësim i madh na pushtoi jo vetëm për fatkeqësinë e ndodhur në afërsi të Tiranës, por duke qenë në Bukuresht, në prag të samitit të NATOs, dilema e parë që na lindi ishte se çfarë do bëhej me ne, lidhur me anëtarësimin. Dy ishin alternativat: ose çdo gjë do të anulohej, pasi aleatët do të shikonin te Shqipëria një vend të paaftë, të korruptuar e të pabesueshëm, ose anëtarësimi do të bëhej më i sigurt, pasi lënia jashtë e Shqipërisë do të paraqiste rrezikshmëri më të lartë, si për vendin, ashtu edhe për rajonin, për vetë faktet e mësipërme. Në fakt, predominoi e dyta.

Kjo gjë u vu re që në reagimet e para, si në kontaktet me zyrtarët rumunë, nga jehona në shtypin vendës, ashtu edhe nga bisedat në takimet me Trupin Diplomatik. Ngjarja shihej si një aksident tragjik, në kuadrin e përpjekjeve që po bënte ushtria shqiptare për t’iu përafruar parametrave të NATO-s, nëpërmjet demontimit të municioneve të tepërta. Asnjë fjalë, që mund të vinte në dyshim marrjen e ftesës në Samit. Ndryshe nga herë të tjera, shtypi i orientuar rumun nuk i la shumë vend debatit të brendshëm, që shpërtheu në luftën dhe akuzat midis partive politike në Shqipëri për atë tragjedi, duke e lidhur atë me afera korruptive.

Në javën e fundit të muajit mars, revista mujore “Ballkani dhe Europa” botoi një intervistë timen. Flitej për disa arritje të vendit tonë në aspekte të ndryshme, duke argumentuar në mënyrë të veçantë rolin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura, si një faktor që jepte kontributin e saj për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe në disa vende në krizë, krahas forcave të NATO-s, në kuadër të ISAF. Vlerësohej gjithashtu mbështetja e Rumanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për tri vendet e A-3 në këtë proces integrimi, në mënyrë bilaterale dhe shumëpalëshe.

Deri më 24 mars, nga Komiteti Organizator në Bukuresht ende nuk po na jepej programi përfundimtar i Samitit. Megjithëse ata e kishin një draft pothuajse përfundimtar, nuk ishin të autorizuar ta shpërndanin në Bukuresht, por vetëm nëpërmjet misioneve në Bruksel. Ishte ambasadori i Kroacisë, që na njohu me draftprogramin e Samitit. MPJ e vendit të tij, i a kishte përcjellë programin, që kishte marrë nga Misioni i tyre në Bruksel në rrugë të rezervuar.

Samiti i Bukureshtit ishte më i madhi nga të gjitha samitet e organizuara nga NATO më parë, si nga pikëpamja organizative dhe e pjesëmarrjes së gjerë, ashtu edhe nga tematikat, larmia e debateve dhe vendimeve që u morën.

Atmosfera e punimeve të Samitit ishte ekstremisht solemne nga të gjitha pikëpamjet, si nga rëndesa e sallës kryesore ku u zhvilluan seancat plenare, ashtu edhe nga prania e udhëheqësve më të rëndësishëm të planetit tonë.

Në Samit ishin të pranishëm kryetarët e shteteve, kryeministrat, ministrat e Mbrojtjes dhe ata të Jashtëm, së bashku me delegacionet që shoqëronin nga 26 vende anëtare të NATO-s; kryetarët e shteteve nga 23 vende partnere, në kuadrin e Këshillit të Partnershipit Euroatlantik, nga Europa Lindore, Azia Qendrore dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Japoninë dhe Australinë.

Ishin ftuar Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvil, dhe i Ukrainës, Victor Jushcenko; Presidenti i Iranit, Hamid Karzai; Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Në Samit morën akreditimin rreth 3.500 gazetarë, më shumë se 200 fotoreporterë dhe kameramanë. 12 mijë oficerë Policie dhe xhandarë u vendosën me shërbim në Bukuresht. 6 avionë luftarakë Shqiponja F-15 u vendosën në bazën ushtarake të Campia Turzii, në mbështetje dhe për shoqërimin e avionëve qeveritarë.

Në prag të Samitit u organizuan manovra ushtarake në Detin e Zi dhe u morën masa të larta sigurie të kontrollit të rrugës nga Konstanca në Bukuresht.

Gjatë një jave, trafiku i Bukureshtit u bllokua plotësisht, duke mbajtur hapur vetëm korridore për automjetet e delegacioneve. Lëvizjet bëheshin vetëm me autobusë për anëtarët e delegacioneve, përveç kryetarëve të shteteve që lëviznin me vetura.

jë interviste të përbashkët me Presidentin e Rumanisë, Basescu, shprehu habinë për praninë e madhe të gazetarëve në Samit, 3500 gazetarë të akredituar. Ai vuri në dukje interesin e madh që kishin gazetarët për axhendën e Samitit dhe faktin se 50 vjet më parë asnjë njeri nuk e imagjinonte dot se Rumania do të ishte mikpritëse e Samitit të NATO-s. Të dy i kërkuan falje popullit të Bukureshtit për vështirësitë që do t’u krijoheshin ato ditë, për shkak të kufizimeve të trafikut.

Më 1 prill do të zbrisnin në aeroportin e Bukureshtit avionët qeveritarë të Kryeministrit të Kanadasë, Stephen Harper; të Presidentit të Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili; të Presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai; të Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs, Jaapde Hoop Scheffer. Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy; Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown; Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-Moon mbërritën më 2 prill.

Presidenti i SHBA, George W. Bush, mbërriti në aeroportin e Bukureshtit ditën e mërkurë, datë 1 prill. Delegacioni amerikan përbëhej nga 180 anëtarë. Vetëm në aeroport ishin të pranishëm rreth 30 ushtarë për sigurinë e Presidentit amerikan. Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Bush në Bukuresht qysh nga vjeshta e vitit 2002, mbas Samitit të Pragës, kur Rumania mori ftesën për në NATO.

Të martën, më 30 mars, përpara se të mbërrinte në Bukuresht, Presidenti amerikan Bush qëndroi një natë në Kiev, prej nga deklaroi se SHBA do të mbështeste fort Ukrainën dhe Gjeorgjinë për anëtarësimin në Planin e Veprimit (MAP), gjë që do të ishte një nga qëllimet e rëndësishme të Samitit të Bukureshtit. Ndaj këtij synimi kishte rreth 10 vende që ishin kundër, ndër të cilat edhe Franca, Gjermania etj.

Pasi bëri një vizitë të shkurtër në bazën amerikane në Mihail Kogalniceanu, Bushi së bashku me Basescun morën pjesë në Forumin Transatlantik, ku mbajtën nga një diskutim të shkurtër lidhur me axhendën dhe objektivat e Samitit: zgjerimi i aleancës me Shqipërinë, Kroacinë dhe ndoshta edhe Maqedoninë, si dhe përfshirjen në MAP të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mbërriti në Bukuresht për të marrë pjesë në takimin NATO-Rusi, ditën e fundit, pa praninë e gazetarëve. Me mbarimin e punimeve të Samitit, Bush dhe Putin do të niseshin për në qytetin e vogël rus të Sotchit, në bregun e Detit të Zi për t’u takuar edhe një herë së bashku. Së bashku me stafin e ambasadës, më 1 prill kishim dalë edhe ne në aeroport për të pritur Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm Basha dhe atë të Mbrojtjes Oketa, si dhe një grup deputetësh nga partitë parlamentare, gazetarë, etj; gjithsej rreth 50 vetë. Kaluam pothuajse gjithë ditën në aeroport, pasi përfaqësuesit nga Tirana kishin zgjedhur linja të ndryshme për të mbërritur në Bukuresht, me avionë që mbërrinin në orë të ndryshme. Gjatë pritjes në aeroport, ishim të detyruar të mos kishim asnjë komunikim me celular, pasi gjatë uljes së avionëve të rëndësishëm, valët e shërbimit telefonik me celularë ishin të ndërprera.

Siç ishte bërë e ditur që më parë, temat kryesore të Samitit të NATO-s në Bukuresht ishin ato të zgjerimit, partneriteti me Rusinë dhe vendet e tjera të Lindjes, siguria në rajonin e Detit të Zi, mbështetja për vendet që ishin në ballë të luftës kundër terrorizmit etj.

Rumania mbështeti me forcë zgjerimin, që ishte edhe tema më e rëndësishme e Samitit, jo vetëm për tri vendet e Ballkanit, por edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kjo gjë ishte pjesë e strategjisë së saj, për interesat kombëtare, për të mos mbetur një vend në kufi të Aleancës. Të njëjtën mbështetje dha edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë për Serbinë.

Në një intervistë të gjatë në TV, të hënën në darkë, më 29 mars, Presidenti Basescu, ndër të tjera, theksoi se Lufta e Ftohtë tashmë kishte mbaruar dhe Rusia nuk kishte pse të trembej nga afrimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë me aleancën perëndimore. Ndaj Rusisë nuk ka asnjë vend anëtar të NATO-s që mund ta sulmojë, ndërkohë që të gjithë së bashku kemi të përbashkët luftën kundër terrorizmit. Ai iu drejtua direkt Presidentit rus Putin, duke i bërë thirrje që të vinte në Bukuresht dhe të bëhej partner i tyre.

Më tej, Basescu përmendi se tri objektivat më të rëndësishme të Samitit do të ishin zgjerimi i NATO-s, gjendja në Afganistan dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe mbrojtja kundër kërcënimeve të shekullit të XXI. Pasi deklaroi se përveç ftesës që do t’i bëhej Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë si dhe afrimit në MAP të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ai bëri thirrje për nevojën e një zgjidhjeje globale për rajonin. Në këtë kuadër, ai shtoi se Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia nevojitej që të përafronin marrëdhëniet e tyre respektive me Aleancën në Bukuresht.

Gjatë një interviste të mëparshme në prag të Samitit të NATO-s, Basescu kishte bërë thirrje edhe për nevojën, që NATO, si një organizatë ushtarake, duhej të garantonte infrastrukturat e transportit të energjisë në Europë, duke përfshirë edhe Rumaninë si një furnizuese e rëndësishme, e aftë të mirëpriste një ngjarje të rëndësishme të NATO-s në Bukuresht./ Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb