Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu është bashkuar reagimeve për zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Gjatë fjalës së tij Ruçi tha se Shqipëria është një vend që bind për sigurinë e tij, duke shtuar se vendi ynë mund të kontribuojë për sigurinë botërore.

“Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023 është një sukses i merituar i Shqipërisë. Në këtë arritje kanë meritë të gjitha institucionet shqiptare, që jo thjesht lobuan, por ditën të krijojnë perceptime të drejta dhe bindën 175 shtetet anëtare për garancitë që ofron Shqipëria si një kontribuuese për demokracinë, zhvillimin dhe paqen. Qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare kanë meritën e tyre të madhe në këtë proces. Kjo nuk është thjesht një arritje diplomatike, por kombëtare. Vetëm një vend që bind për institucione demokratike zhvillim, stabilitet e siguri, mund të kontribuojë në sigurinë dhe paqen në botë. U shpreh mirënjohjen të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, të cilët iu përgjigjën lobimeve të Kuvendit dhe kontribuuan në votimin për Shqipërinë.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb