Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, policia ka skeduar bandat kryesore kriminale në vend. Sipas policisë ato janë 40, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri të pengmarrjet dhe vrasjet.

Task Forca qendrore dhe ato rajonale të ngritura për drejtimin e operacionit “ Forca e Ligjit ”, kanë në dorë një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. 3 javë nga nisja e këtij operacioni, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit.

Durrësi konsiderohet si zonë më e nxehtë për shkak të pozitës gjeografike dhe influencës që i sjell porti më i madh i vendit. Vetëm në Durrës dhe Shijak janë të paktën 7 grupe kriminale. Vlora renditet e dyta me të paktën 5 grupe kriminale, që dyshohet se aktivitetin e kanë të shtrirë edhe përtej Adriatikut.

Elbasani është një tjetër pikë e nxehtë, me të paktën 3 grupe kriminale që janë të skeduara ndër vite në dosjet e policisë. Po kaq grupe ka edhe Shkodra dhe Fieri, por në këto dy qarqe, policia thotë se ka goditur nga një grup. Kryeqyteti, ku edhe vëmendja është më e madhe, duket më i qetë.

2 grupet kriminale të skeduar në Tiranë, sipas policisë kanë qenë inaktivë kohët e fundit, edhe për shkak të goditjes që mori në 2016-ën njëri prej tyre. Korça, Kuksi, Berati, Lezha, Gjirokastra dhe Dibra duket se janë qarqet që do të preken më pak nga “ Forca e Ligjit ” megjithëse policia po përditëson të dhënat në bazën e saj të dhënave.

Nga skanimi i grupeve kriminale rezulton se 53 % e tyre merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 % me trafiqe të paligjshme, 18 % me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje, dhe 18 % me krim ekonomik./Top Channel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb