Shqipëria renditet e dyta në Europë për përdorimin e antibiotikëve në raport me popullatën fakt ky që po shoqërohet me rritje të rrezistencës mikrobiale edhe ndaj antibakterialëve të gjeneratës së tretë.

Alarmi ka vite që është ngritur nga mjekët infeksionist shqiptarë por situata vijonë të mbetet e njëjta, pacientë që vetëkurohen me antibiotikë që lirisht i blejnë në farmaci, e nga ana tjetër mjekë kryesisht të familjes që nga mosdija si dhe nga presioni i prindërve e lirojnë dorën në dhënien e antibiotikëve edhe në mes të sezonit gripal ku mbi 70 % e patologjive janë me origjinë virale.

Në një intervistë për “BalkanWeb” përballë gaetarit Erjon Skëndaj, Prof. Dr. Tritan Kalo mjek infeksionis në QSUT e cilësoi problemin si tepër serioz nisur nga mentaliteti i gabuar që ka bërë vend në popullatën e gjerë ku antibiotiku konsiderohet si ilac për ulje te temperatures.

“Sipas shifrave antibiotiko-mania po njeh rritje nga viti në vit referuar sasisë së antibakterialeve që importohen tregues që rriten ndërsa popullata po largohet jashtë. Nëse antibiotiku nuk përshkruhet nga mjeku dhe merret jo në përputhje me llojin e bakterit duke u marrë në dozë të pamjaftueshme nuk e shëron infeksionin dhe rrit rrezistencën ndaj antibiotikut. Janë të shumta rastet kur prindërit i bëjnë presion mjekut që të përshkruajë në recetë antibiotik për ulje temperature në rastet kur fëmija e tyre ka temperaturë cka është aspak shkencore dhe e gabuar.70 përqind e infeksioneve në kohën e dimrit janë me origjinë virale dhe përdorimi i antibiotikëve është totalisht jo efikas.”-shprehet prof.dr. Kalo.

E ndërsa flitet shumë për keqpërdorimin e antibiotikëve tek njerëzit janë të pakët ata që ngrenë zërin për efektet e antibiotikëve në ushqimet që konsumojmë cdo ditë, kryesisht në produktet blektorale.

Profesor Kalo thotë se mbi 50 përqind e antibitikëve prodhohen për kafshët që këto të fundit të rriten në peshë dhe në prodhimtarinë e qumshtit e më pas gjithcka kalon përmes ushqimit te njerëzit përfshirë edhe mikrobet që në shumë raste kanë treguar rrezistencë ndaj antibakterialëve.

“Mbi 50% të antibiotikëve që prodhon industria farmaceutike janë për përdorimin tek kafshët bën që popullata të ushqehet me antibiotikë përmes prodhimeve që merr nga mishit të pulës vezës, mishit të vicit dhe derrit, e bashkë me to ne marrim edhe mikrobe rrezistente ndaj antibiotikëve.”

Por nëse nga njëra anë mikrobet po bëhet gjithnjë e më rrezistente ndaj antibiotikëve industria e barnave gjithnjë e më pak po hulumton për antibakterial të rinj. Sipas profesor Kalos sot e gjithë vëmendja e kompanive farmaceutike në botë është drejtuar tek zbulimi i antiviralëve dhe antidepresivëve të ndikuar nga fitimet e mëdha monetare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb