Shumë vende të botës e kanë ngritur shkallën e mbrojtjes në nivelet më të larta pas sulmeve terroriste në Paris.

Kjo ka bërë që kreu i Shtetit, Bujar Nishani, të thërrasë në një takim urgjent kryetarin e Shërbimit Informativ, Visho Ajazi.

Një ditë më parë, shërbimi sekret ngriti alarmin, duke theksuar se ISIS ka “rrënjë” të thella në Shqipëri.
Mbi 140 shqiptarë që janë rekrutuar në radhët e ISIS në periudha të ndryshme, ndërsa rreziku për rekrutime të reja është ende i madh.
Këtë e ka pohuar dje drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika’.
Numri një i shërbimit sekret ndër të tjera kërkoi që vëmendja duhet të fokusohet në institucionet arsimore, pasi janë këto institucione që gjurmohen shpesh nga ekstremistët.
“Numri i atyre të cilën kyçen në këto rrjete është në rritje. Mbase njerëzit duan më shumë vëmendje nga shteti, shkolla, shoqëria, komuniteti fetar, pasi janë me probleme financiare, edukimi dhe duhen adresuar”, pohoi Lika në një takim me drejtues të Komunitetit Mysliman, përfaqësuesve të ambasadave të huaja në vendin tonë dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.

Krahasuar me numrin e popullsisë, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia konsiderohen si ndër zonat më problematike në Ballkan përsa i përket numrit të lartë të pjesëmarrësve në organizatën terroriste dhe formave të rekrutimit.
Kryesisht përzgjedhin të rinj me probleme ekonomike dhe jo shumë të arsimuar, pasi konsiderohen si kategoria që mund të manipulohet dhe më pas dërgohen në mënyrë tepër të organizuar në Siri apo Irak, në dy nga vendet ku ISIS është shtrirë frikshëm.

Për kryetarin e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, qeveria shqiptare duhet ta adresojë luftën ndaj ekstremizmit kundër medias online.

Sipas tij, rekrutimi online është një metodë që është vënë re edhe në vendin tonë.

“Rrjetet sociale janë një nga burimet kryesore që kjo organizatë terroriste përdor për rekrutimet e reja”, theksoi ai.

Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë në Paris kanë reaguar krerët e shtetit në Shqipëri.

POLICIA E SHTETIT KALON NË GJENDJE GATISHMËRIE TË LARTË
Pas ngjarjeve tragjike të ndodhura mbrëmjen e kaluar në Francë, Policia e Shtetit ka kaluar që prej orëve të mesnates në gadishmëri të përforcuar.
Zyra e shtypit të Ministrisë së Brendshme bën me dije se, shërbime shtese policore janë vendosur në objekte qe konsiderohen me risk, siç janë ambjentet publike me frekuentim të lartë, pranë ambasadave apo rezidencave, akset kryesore rrugore etj.
“Policia e Shtetit ka hartuar një plan te detajuar për evidentimin dhe mbikqyrjen e gjithë elementeve të dyshuar që mund të kenë tendenca për akte terrori.
Në të gjitha pikat e kalimit kufitar po verifikohen me kujdes te veçantë çdo person që hyn ne territorin shqiptar apo del prej tij.
Gjithashtu Policia e Shtetit ka rritur intensitetin e shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë per persona te caktuar qe mund te shfaqin tendenca te akteve terroriste.
Policia e Shtetit kerkon gjithashtu bashkëpunimin e qytetarëve dhe i fton ata te mos ngurojne te telefonojne per çdo shqetësim apo problematikë, duke i garantuar per reagimin e shpejtë dhe ne kohë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: