Nga: JOSIF PAPAGJONI*
Me Hamit Kabën kam një njohje të vonë. Si profesor i historisë, i specializuar për marrëdhëniet ndërkombëtare, posaçërisht ato mes Luftës II Botërore dhe “Luftës së ftohtë”, bisedat tona kanë qenë të mbushura me kureshtje nga ana ime dhe kompetencë nga ana e tij, për “teatrin” politik të zhvilluar në këtë ndërmjetme kohore, një zgrip ekzistencial për kombin shqiptar përballë mobilitetit të pushtetit dhe kufijve, por edhe më gjerë, në rrafshet e filozofisë politike. Ai është shef departamenti në Institutin e Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Por emrin ia kisha hasur në mjaft kuvendime shkencore. Pastaj m’u bënë të ditura edhe botimet e tij si “Shqipëria në rrjedhën e Luftës së Ftohtë” (studime dhe dokumente), UNRRA në Shqipëri 1944-1947, ose si bashkautor në vëllimin III “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze” apo “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse, 1946-1962”. Dhe ja tani libri i fundit i tij “Shqipëria dhe të mëdhenjtë – nga Lufta e Dytë Botërore në Luftën e Ftohtë”. Teksa ma dhuronte librin e hurbnim së toku një kafe mbushur me shaka, mirësi, biseda e respekt për njëri-tjetrin, afërmendsh edhe për atë çka libri përmbante si hulumtim e si argumente, si përherë më bënte përshtypje sensi i së vërtetës te ky njeri, ajo ndjesi që historianët e kanë si ashtën e tharmin e vetëdijes së tyre, kurse ne kumtarët e shirët të librave letrarë, të mendjeshkrepjeve apo eseve, nuk e kemi dhe aq. Ne e zgjatim pakëz “bishtin” e ngjarjes me lundrimet në përfytyrim e hamendje, grishemi pas avullit të filozofimit, ani pse edhe ato kanë përbrenda humbellat e tyre mistike, përpëlimën mes ontologjisë së qenies apo pyetjet e pafundme të mendjes dyshuese, që lakmon kurthin logjik dhe alkiminë e mendimit. Diçka prej kësaj, sidomos në disa hipoteza të shtruara për gjykim, ka tek-tuk dhe Hamiti në librin e fundmë. Por gjithsesi, ato janë fare pak; është thjesht një vesk përsipri, sepse të menduarit e tij është tërësisht hipotekë mentale e faktit të ftohtë, me argumente dhe gjësende që janë të “shkruara e zeza në të bardhë”. Pra, jo “verba volant”, por “scripta manet”…! Përmbajtja e librit është vetë titulli dhe nëntitulli i tij. Shqipëria e vogël mes të mëdhenjve, politikëbërësve dhe sanksionuesve të hartave gjeopolitike të botës pas çdo ploje botërore dhe përplasjeje ushtrish. Dhe kjo Shqipëri e vogël, periferike, ashtu e brishtë, e gëlltitur nga orekset e fqinjëve grabitqarë e tinëzar, ca më keq e përdhosur dhe e ngrënë deri në kockë nga një sundim thuajse biblik 500-vjeçar që gati-gati e shoi me fis e me farë dhe i ndërroi identitet (jo thjesht atë religjioz, por edhe më thellë, atë të palcës, zakonit dhe antropologjisë) – kjo Shqipëri pra, me zor sa lindi nga gjaku dhe mençuria e 12-ës me Ismail Qemalin e co., me zor u fut në algjebrën politike të Konferencës së Londrës të 1913-ës, kur u ravijëzuan disa kufij provizorë duke thirrur nga oborret gjermanike një mëkëmbës-mbret, Princ Vidin me të shoqen e tij të mençur dhe ndoca shqytarë të zellshëm, plot dashuri për këtë vend të “humbur” nga grigja, ndër ta edhe kapiteni i xhandarmërisë, Koloneli Tomson. Dhe gjithë ajo katrahurë e 1914-ës, me arketipat e pabesë, të ricikluar tek Esat Pasha dhe një injorant turkoshak Haxhi Qamili, veshur me xhaketë gjenerali e shallvare turke, madje këmbëzbathur, luanin me të gjorën Shqipëri, i kafshonin tinëzisht brinjët dhe flirtonin me zezonën. Edhe Konferenca e Paqes e 1919-ës pas mbarimit të Luftës I Botërore e la në hava çështjen shqiptare: as mish e as peshk. Lumnisht qe vullneti i SHBA-ve për të mos e zhbërë këtë vend, dikur theror i Europës dhe fatos i krishterimit me të zulmshmin Gjergj Kastriotin. Por pikëpyetja e madhe e ekzistencës së saj nuk hiqej assesi nga tavolinat e të Mëdhenjve edhe gjatë Luftës II Botërore e gjer në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Autori, qëmtues i thekur i dokumentit, posaçërisht me hulumtimet dhe zbulimet e bëra në arkivat e SHBA dhe Anglisë, ka mundur të hedhë tufa drite për lojën dhe karuselin e rrezikshëm të fatit të Shqipërisë. A-si i saj i madh dhe i patjetërsueshëm ka qenë pikërisht Amerika, anipse mendjengushtësia e udhëheqjes komuniste, me një bizantinist të prapë në krye, bëri çmos për ta zvogëluar rolin vendimtar të vullnetit të saj. Edhe sovjetikët me Stalinin, ndoshta për projektin e tyre ekspansionist në Ballkan, nuk ia dorëzuan Shqipërinë dhëmbëve të fqinjëve, Jugosllavisë dhe Greqisë. Qe një fat apo platformë gjeopolitike e mirëllogaritur e takimit Çërçill-Stalin në Moskë në 42-shin dhe e vetë Jaltës dy vjet më pas, kjo ia vlen ende të studiohet. Sidomos raporti me Greqinë ka qenë tejet delikat dhe i vështirë, për shkak të qëndrimit të Anglisë, e cila duket se e ka pasur të përkëdhelurën e saj, pra dhe pranimin heshturazi të pretendimit të viseve jugore shqiptare të ashtuthëna “Vorioepir”. Kjo lojë letrash, për të mos thënë “bixhoz”, paçka se e natyrshme në logjikën e operacioneve gjeopolitike të fuqive të mëdha në rang botëror, ka ardhur në dioptrinë skrupuloze të Hamit Kabës në një mënyrë fort “diskrete”, ashtu si lentia e mikrobiologut mbi një qelizë gjenetike.
Autori ka bërë gërshetime të zgjuara midis faktit, si e dhënë e pohuar, e patjetërsuar dhe e dokumentuar, me abstragimin që ofrohet si mendim e qëndrim shkencor i paanshëm, pasuar nga disa përfundime që tashmë mëtojnë ta zgjerojnë dimensionin e këtij fakti si bulb. Kjo metodë e njohur dhe e suksesshme e shqyrtimit shkencor duket se ka gjetur hapësirën logjike në parashtrimin e fenomenit historik të paraqitur; ka gjetur të arsyetuarit e drejtë, përfshi maturinë për të dalë përtej “tunelit”, pra në perspektivën e ngjarjes si dhe të vetë mendimit shkencor. Kalamburi politik që mund të deshifrohej nga gjasat e shumta që sjell studiuesi në pyllin e errët të interesave dhe raporteve të ndërlikuara midis shtetit shqiptar, pushtuesve italo-gjermanë, qeverive kuislinge, nga njëra anë dhe guerileve e luftëtarëve të rezistencës antifashiste, më së shumti të lëvizjes komuniste që zotëronte arenën e luftës, përfshi kahet e ndryshme të elitës politike të vendit, nga ana tjetër, – e gjithë kjo, sipas meje, ka qenë jo pak e lehtë për t’u shtjelluar dhe për t’u shpleksur. Tok me projektet e aleatëve për Shqipërinë e pasluftës, statusin e saj, kufijtë, orientimin politik, karakterin e regjimit, madje dhe hipoteza e gjetur prej autorit për një marrëveshje sekrete të 17 shtatorit 1944 midis Lëvizjes Nacionalçlirimtare, komandantit gjerman Baier dhe kryeministrit kuisling Ibrahim Biçaku, në pjesën e parë të librit me nëntitullin “Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore”, i japin lexuesit informacione të pasura edhe për kontributet e dy organizatave të njohura atdhetare në Amerikë, “Vatrës” dhe “Shqipëria e lirë”, doemos brenda nuancave të tyre, orientimit politik të secilës si dhe hipotekave e suporteve që ato mëtonin, përfaqësonin apo mbërrinin në kancelaritë evropiane e posaçërisht ato amerikane. H. Kaba jo një herë e largon syrin nga paraqitja panoramike, që është kahja më zotëruese e librit, drejt spikamave që u ngjasojnë studimeve parciale, shpesh në qelizë, të cilat rrethrrotullohen brenda një personaliteti, siç janë p.sh. shkrimet kushtuar Baba Fajës në vështrimin e disa burimeve britanikë dhe amerikane apo qëndrimet e Fan Nolit ndaj Zogut, karakterit të regjimit të pritshëm, fragmenti dritësues i vetëdijes së tij atdhetare, brenda luhatjeve të motivuara, kundruall luftës dhe integritetit të vendit pas mbarimit të saj.
Historiani nuk ka qëndruar në skemat e vjetra, përkundrazi sjell një optikë tejet realiste, duke e refuzuar ashkun romantiko-komunisto-nacionalist për kinse Luftën Nacionalçlirimtare, si i vetmi faktor përcaktues i njohjes së Shqipërisë si shtet i pavarur e me kufij të padiskutueshëm. Përkundrazi, pa e mohuar këtë faktor të brendshëm tejet të rëndësishëm, ndërkohë studiuesi ofron mjaft të dhëna, ashtu si dhe argumente, që fati i Shqipërisë dhe i kufijve të saj gjer në Konferencën e Paqes në Paris, ka qenë po aq thellësisht i ndërvarur nga qëndrimi i fuqive të mëdha në një përplasje të fortë mes parimeve të vetëvendosjes dhe interesave gjeostrategjike. Gjithë po aq studiuesi prek një nga problemet tejet të rrahura pas vitit 1990 në historiografinë shqiptare, nëse Lufta Nacionalçlirimtare ishte e gjitha një “luftë civile”, ishte me elemente të luftës civile apo ishte e gjitha “çlirimtare”, nën frymëzimin dhe orientimin e aleatëve. Autori anon nga teza e dytë, duke e mohuar përcaktimin e luftës çlirimtare të shqiptarëve si “luftë civile” (duke sjellë edhe argumente për këtë), sikurse nga ana tjetër, duke e detabuizuar veshjen dhe arsyen absolutiste të para vitit 1990 nga historiografia komuniste, kur gjithçka i atribuohej Partisë Komuniste si faktori ekskluziv, thuajse absolut dhe i padiskutueshëm i çlirimit të vendit dhe sigurimit të integritetit territorial të tij etj. Skakiera gjeopolitike duket se rimerret si një nga arsyet supreme për njohjen dhe ringritjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, pavarësisht oscilacioneve dhe nuancave të qëndrimeve politike midis Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Gjithsesi, autori i qëndron fort tezës se “roli kryesor në këtë luftë i përket popullit shqiptar, i materializuar sidomos te Lëvizja Nacionalçlirimtare. Për rolin e kësaj të fundit nuk ka asnjë dilemë në burimet arkivore britanike e amerikane” (f. 132). H. Kaba ka hedhur dritë e ka sjellë burime të shumta lidhur me UNRA-n dhe ML, si dy organizma të aleatëve për të ndihmuar rimëkëmbjen e vendeve të shkatërruara nga lufta, pra edhe të Shqipërisë. Studimi është i përimtuar me veprimet dhe qëndrimet konkrete të palëve, çka paraqet interes jo thjesht në rrafshet e dokumentacionit gjegjës, por sidomos për situatën dhe sjelljen politike të palëve si një tregues më shumë i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Fuqive të Mëdha, posaçërisht me anglo-amerikanët.
Në pjesën “Dokumente” libri ofron disa raporte tejet kureshtare për lexuesin, të pahasura më parë si dhe dokumente të tjera që paraqesin situatën e Shqipërisë fill pas çlirimit të saj, siç është studimi i Sektorit Historik britanik për operacionet e ndihmave civile të forcave anglo-amerikane në Shqipëri (i 31 marsit 1946), por edhe studimi apo raporti i Stavro Skëndit, drejtuar OSS në Uashington DC me titullin “Shqipëria nën pushtimin gjerman”, i shkruar më 12 prill 1944, ku përshkruhet harta e konfiguracioneve politike shqiptare para dhe pas pushtimit gjerman, relievi politik dhe organizativ i grupeve më në zë (Partia Komuniste, Balli Kombëtar), veprimet luftarake gjatë pushtimit gjerman, tok me analiza, shqyrtime e disa përfundime në trajtë rekomandimi për Departamentin e Shtetit lidhur me situatën, çështjen e kufijve, problemin e Kosovës etj.
Pjesa e tretë e librit merret me raportin e ndërlikuar të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe vendet Perëndimore, e këqyrur më së shumti në divorcin e vrazhdë të saj nga kampi socialist me qendër Moskën, flirti me Kinën komuniste për të ruajtur formën ortodokse e të ashpër të regjimit ekstremist stalinist të Enver Hoxhës, radikalizmin e tij dhe pozicionet refraktare ndaj shanseve të ofruara për ndryshim, mosbesimi i faktorit politik amerikan dhe evropian ndaj kastës komuniste të Hoxhës në krizën shqiptaro-sovjetike, problemi çam në kontekstin ballkanik, optika politike mbi marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me fqinjët e saj, Shqipëria miope, ortodokse dhe e skajshme në raport me mundësinë e pranimit të KSBE, raportet delikate me Greqinë, Jugosllavinë etj. Te kjo pjesë, më e vëllimta e librit, Hamit Kaba realizon disa këqyrje e qasje fort të bukura, gjithherë duke e ruajtur drejtpeshimin dhe “ftohtësinë”, pa rënë në kurthet e analizave nacionaliste e romantizante.
Paçka se në mendjen tonë shpesh fle ideja mburravece se “i dimë të gjitha”, në fakt libri i prof. Hamit Kabës artikulon diçka tjetër, grishëse e provokuese njëherazi: “Jo të gjitha gjërat i dimë!”. Me këtë ftesë unë i drejtohem gjithkujt që dëshiron të dijë më shumë për Shqipërinë tonë të vogël dhe Moirat e saj, Të Mëdhenjtë, në disa çaste historike tejet delikate kur fatkeqësia rrinte sipër si sëpata e Damokelut, ndërsa fatmirësia si një aureolë hyjnish, çka asnjëherë s’e kishin lënë pas dore atë, përkundrazi, ia kishin ndriçuar dhe ndriçonin udhën mes territ të zgjatur historik të saj…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb