Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Çlirim Gjata në një komunikim për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor të shpopullimit të vendit. Gjata theksoi se largimi i shqiptarëve nga vendi është në nivele alarmante dhe se kjo vjen për shkak se kryeministri Rama e ka bërë të pamundur jetesën në vend.

Deklaratë e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Çlirim Gjata

Për shumë shqiptarë, vendi i tyre nuk është i sigurt për të jetuar. Mbi këtë përfundim Ministria e Brendshme britanike ka vendosur të rrëzojë një vendim të mëparshëm, sipas të cilit emigrantët shqiptarë që zbarkonin në ishujt britanikë do të deportoheshin.

Media britanike e quan një kthesë të fortë vendimin e Home Office i cili merrej në kundërshtim me një marrëveshje të para disa muajve të ministrit të Brendshëm shqiptar Çuçi dhe asaj britanike Priti Patel.

Sipas atij pakti emigrantët ilegalë shqiptarë do të deportoheshin, fillimisht në Ruanda, dhe më pas ktheheshin në Shqipëri.

Shtypi britanik i ka bërë jehonë para disa javësh një studimi të Home Office sipas të cilit 6 në 10 emigrantë që kalonin kanalin e La Manshit me varka dhe gomone ishin shqiptarë.

Këto shifra alarmante, që janë pjesë e shpopullimit dramatik të vendit, si edhe vendimi i Home Office për t’i konsideruar si të ardhur nga një vend i pasigurt emigrantët shqiptarë, është një tjetër sinjal që bota i jep Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Partia Demokratike e ka përsëritur dhe rithekson vazhdimisht alarmin e shpopullimit, i cili nuk vjen për arsyen që thotë Rama, sipas të cilit njerëzit ikin se u pëlqen, por sepse jetesa në vendin e tyre u bëhet e pamundur.

Partia Demokratike e sheh me keqardhje teatrin absurd të Ramës dhe sejmenëve të tij, që këndojnë për një Shqipëri “që hedh valle të lumtur në gojën e ujkut dashakeq”, ndërkohë që shifrat, raportet, studimet, artikujt e shumtë dëshmojnë për një Shqipëri që braktiset, shpopullohet, lihet pas, sepse kushtet, siguria, ekonomia, nuk premtojnë për sot dhe as për nesër.

Nën qeverinë e Edi Ramës shqiptarët marrin detrat e trazuar të veriut të Europës, kamionët e pasigurt të rrugëve të Francës, kampet e azilantëve në Gjermani, sepse duan t’i largohen një Shqipërie që është rrezikshme për shumicën dhe Eldorado e shfrenuar për një grusht grabitësish.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb