TIRANË

“Shqipëria është shumë larg asaj që ishte në 1990. Ka bërë shumë rrugë, shumë progres por nuk është aty ku ne duam që të jetë dhe prandaj po punojmë me të gjitha forcat tona për ta vënë Shqipërinë në piedestalin e vendeve europiane dhe për materializuar ëndrrën e atyre studentëve të guximshme që atë ëndërr të mos e marrin peng, por Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar, një vend i punës”.

Kështu deklaroi Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në rubrikën “Opinion” në News24 teksa ka folur për 30-vjetorin e nisjes së demonstratave nga studentët që sollën më pas përmbysjen e sistemit totalitar në Shqipëri.

Spiropali tha se nuk është nihiliste duke folur për ndryshimet që ka pësuar Shqipëria dhe atë çfarë është bërë në 30 vjet.

“Demokracia nuk mund të dështojë por vetëm të përmirësohet, të kolaudohet dhe demokracia ka mësuar nga gabimet e saj. Nuk jam as fare në kategorinë e nihilistëve që flasin për dështime. Shqipëria është kthyer në rrugën e mbarë të zhvillimit, të ndryshimit e transformimit. Një rrugë pa kthim që nuk do kthehemi pas.

Kemi pasur uljet e ngritjet tona por besoj se marrëdhënia me të vërtetën është një nga problemet tona. Ne duhet të bëjmë më shumë për ta parë të vërtetën në sy. Kemi bërë mirë ecjen përpara për sa i përket hapjes së tregut, ekonomisë, demokratizimit të shoqërisë, medias së lirë dhe procesin e ngritjes së një infrastrukture. Kemi bërë shumë sa i përket ndryshimit të shëndetësisë e arsimit, kthimin e financave në binarë. Kemi transformuar qytetet tona. Rilindja urbane një nga gurët e çmuar të ndryshimeve që kanë ndodhur në vend. Shqipëria nuk është një nga vendet të varfra në botë, por në të gjitha raportet figuron vend me të ardhura të mesme. jemi më pranë se kurrë nisjes në negociatave. Ka shumë arsye për të besuar jo vetëm tek politika por dhe tek shoqëria shqiptare që ka forcën e duhur për të ecur përpara”, deklaroi Spiropali.

Sa i përket negociatave dhe konferencës së parë me BE në kuadër të anëtarësimit në BE, ku Shqipëria ka ‘jo’ deri tani, Spiropali tha se jemi në rrugën e duhur për ta marrë këtë vendim.

“Vetëm sot ne kemi një deklaratë të ministrit gjerman që i bën thirrje këshillit dhe vendeve që sipas tij po pengojnë këtë proces të mbajnë premtimin e tyre sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. E konsideron një gabim strategjik që vende të tjera do pengojnë këtë proces. Gjermania është një mbrojtëse dhe shtytëse shumë e fortë në këtë proces dhe besojmë që do mbërrijë të bëjë realitet kornizën negociuese në tryezën e parë të BE-së. Ky është një nga premtimet e BE. Jemi në rrugën e duhur për ta marrë këtë vendim dhe për t’u ulur në tryezën e negocimit. Opozita jashtëparlamentare dhe posaçërisht Lulzim Basha i konsideron dështimet suksese dhe sukseset dështime. nuk mund të merren për bazë fjalët e Lulzim Bashës para veprave të KE, BE. Shqiptarët besojnë institucionet kredibël të BE që analizojnë me detaje proceset dhe zhvillimet në Shqipëri”, theksoi ajo.

Ndër të tjera Spiropali u ndal dhe tek pandemia e COVID-19, ndërsa theksoi se situata është e menaxhueshme dhe se janë marrë të gjitha masat.

“Sa i përket reagimit nga komitetit teknik, si buxhetet e alokuara, ne kemi rriten më të madhe për Shëndetësinë, për të përballuar COVID-19. Kemi ‘prenotimin’ për vaksinën. Takimet e Ramës në SHBA do të ndikojnë. Kemi ndërtuar 3 strategji të rëndësishme. Mjekët janë në shërbim. Situata është e rëndë për çdo familje që humb betejën nga virusi i pabesë. Sa i takon shifrave të vdekshmërinë, ne jemi nën mesataren e Europës. Situata nuk është e lehtë, kemi paralajmëruar dhe marrë masat, për shkollat, dhe kapacitetet spitalore. Nuk është një fatkeqësi e bërë nga njeriu, por një pandemi që ndodh një herë në 100 vite. Ka vështirësitë e saj dhe përballimi ka qenë krejt normal. Keqardhje për jetët e humbura dhe në radhët e mjekëve, pasi janë heronj, sepse përballen me sëmundjen. Ju jemi gjendur në krah dhe do i gjendemi. I lutemi opozitës që të lërë sulmet për shifrat e të vdekurve. Qeveria është në dorë të qytetarëve, ne veprojmë në bazë të rekomandimeve të Komitetit Teknik. Ka dhe figura politike që sillen karagjozë, për mosmbajtjen e maskave. Tallen me mundin e njerëzve, me faktin se jemi në presion, disa mbajnë maska, dhe bëjnë shakara duke iu thënë njerëzve që thonë; mos të mbrohen e se virusi nuk ekziston. Kemi gati 3 skenarët. Ato i kanë shpjeguar stafet mjekësore. Ka vende ku njerëzit duhet të shtrohen. Nuk duhet t’ju bëhet thirrje qytetarëve që mos të shkojnë në spitale. Drejtues politik që bëjnë deklarata të tilla, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kemi dhënë 4 mln dollarë për prenotimin e vaksinës.”, tha Spiropali.

Duke u ndalur tek projekti “Deputeti që duam”, Spiropali tha se deri më tani në Tiranë ka pasur 1250 aplikime.

“Ky proces përmbyllet tani. Kemi mijëra aplikantë, që dëshmon një dëshirë të njerëzve për të marrë pjesë jo vetëm në jetën publike por dhe si kontribute të PS-së. Kjo parti nuk ka krahësim me asnjë forcë tjetër politike, sa i përket jo vetëm demokracisë së brendshme, por përfaqësisë gjinore dhe rinisë. Ne do bëjmë një përzgjedhje së shpejt di do të të kemi kandidatë të rinj shumë cilësor në listat e prillit. Nuk janë zgjedhur ende kandidatët. Do shqyrtohen aplikimet. Vetëm në qarkun e Tiranës ka 1250 aplikues për Deputetin që Duam. Jo të gjitëh do bëhen deputetë, por ka mënyra kontributi në të gjitha nivelet.”, përfundoi Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb