Lideri i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë që e ka nisur duke hequr xhaketën dhe kollaren. “Koha për të përveshur mëngët”, nisi Meta fjalën e tij.

Ai theksoi më tej se Shqipëria është në një drejtim të gabuar dhe shumë të gabuar, por nuk do të jetë më kështu duke u fokusuar te shpopullimi si një dramë dhe armik të së ardhmes së vendit.

“Pas vendimit historik për krijimin e Partinë e Lirisë kisha kënaqësinë dhe kam kënaqësinë që një nga takimet e para ta zhvilloj me ju si përfaqësues të studentëve dhe gjimnazistëve të qytetit.
Shqipëria është në një drejtim të gabuar dhe shumë të gabuar, por nuk do të jetë më kështu, prandaj e kemi sot edhe partinë e Lirisë si Parti të shpresës, të rinisë, si një parti kundër shpopullimit, dramës jo vetëm më të madhe që po përjeton çdo familje shqiptare, por njëkohësisht dhe kundër armikut më të madh të së ardhmes së Shqipërisë dhe interesave kombëtare. Që Shqipëria është në drejtimin e gabuar nuk është një retorikë dashakeqe, është një e vërtetë thellësisht shqetësuese dhe ulëritëse që e tregojnë të gjitha faktet”, tha Meta.

Ish- presidenti shtoi se largimi i të rinjve nga vendi, është një politikë e qëllimshme. Ish- presidenti deklaroi se nëse kjo do të vijojë me të njëjtin ritëm, popullsia e Shqipërisë do të përgjysmohet, dhe se kjo do të thotë një tretje e historisë, traditës dhe kombit tonë

“Largimi i shqiptarëve është një e vërtetë ulëritëse dhe e qëllimshme.

Jeni gjimnazistë dhe studentë, 79 përqind e studentëve shqiptarë duan të ikin nga vendi. Studiojnë këtu e duan të largohen, 59 përqind  e maturantëve planifikojnë të largohen nga vendi dhe një nga dramat më të mëdha 95 përqind e atyre që kanë studiuar jashtë vendit nuk duan të kthehen.

Dihet që shumica e atyre që largohen, 78 përqind e aplikantëve për azil janë nën moshën 34 vjeç, mosha më krijuese, më me ëndrra, më aktive largohet nga vendi.

Pse janë gjërat në një drejtim kaq të gabuar që duhet të marrim një kthesë të fortë që do ta marrim sesbën së bashku, me të rinjtë dhe prindërit e tyre që vuajnë dramën e vetmisë, sepse nëse vazhdohet kështu, OKB deklaron që në disa dekada Shqipëria do të përgjysmohet. Një tretje e historisë, traditës kombit tonë. Është një detyrë patriotike të bëjmë një kthesë të madhe, të japim prespektive dhe shpresë.

Ky do të jetë prioriteti ynë më i rëndësishëm, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes sepse politikat përjashtuese e denigruese ndaj të rinjve kanë sjellë atë cenim të dinjitetit dhe respektimit të personalitetit të tyre, të kthehet në revoltë për të gjetur veten, për fat të keq jashtë vendit.

Pamundësia për vende të reja e të mirëpaguara pune, pasiguria për të ardhmen i shtyn të rinjtë të largohen.

Do t’ju ftoja të gjithëve të japim një ritëm tjetër përfshirjes së rinisë jo vetëm në Partisë së Lirisë por në jetën politike në tërësi, sepse ka një mungesë vëmendjeje për tu dhënë të rinjve mundësi.

Nuk mund tu vesh të rinjve barriera, duhet edhe të investosh që të rritet potenciali i tyre.

Ndërkohë kjo qeveri ul investimet për arsimin, ndërsa rrit atë për inceneratorët, se prioritet është korrupsioni. Ndërsa rinia nuk ka nevojë kjo lloj qeverisje. Qëllimi i PL nuk është thjeshtë pushteti, por referendumi”, u shpreh ai.

Meta tha se është shumë optimist se hapësira e vendimmarrjes tuaj do jetë e pamatë dhe e gjithë të rinjve që do bashkohen me Partinë e Lirisë. “Unë e kam dëshmuar në të kaluarën se u kam dhënë hapësira të rinjve si askush tjetër, për të qenë vendimmarrës, deputetë, për të demonstruar lidershipin e tyre në mënyrë të pavarur dhe për t’u rritur.
Përpara do të ecim duke i përfshirë të rinjtë në çdo fushë. Referendumi nuk është një mjet, por është mjeti kryesor që populli dhe sovrani të kenë nën kontroll klasën politike.
Ndaj ne atë mjet që kemi në Kushtetutë dhe e ka vendosur populli ne të bëjmë një ligj që të jetë i zbatueshëm dhe i aplikueshëm dhe kërkoj mbështetjen tuaj dhe të të gjithë të rinjve të Shqipërisë për referendumin. Është fuqia e popullit, e vetë të rinjve.
Ne do bëjmë politika model për familjet e reja, që t’i nxisim, t’i mbështesim që të mos thonë nuk na del llogaria këtu. Do bëjmë çdo politikë mbështetëse për të rinjtë, për familjet e reja, për fuqizimin ekonomik të të rinjve. Nuk po them se do bëjmë gjëra që i bën Danimarka, po këto gjëra që nuk i bën Maqedonia, që i bën Serbia, pse. Ato politika sociale që po bën qeveria në Kosovë mos t’i bëjmë ne? Pse? Kjo qeveri prioritet kryesor ka korrupsionin”, deklaroi Meta.

Ai theksoi se Partia e Lirisë është këtu për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje.
“Shikoni mbështetjen për bujqësinë, për agroturizmin në krahasim me vendet e rajonit. Si mos të shpopullohet Shqipëria po nuk u mbështetën fermerët, blegtorët, fabrikat në vend që të punojnë. Padyshim që Shqipëria do vazhdojë të ecë në rrugën e shpopullimit. Partia e Lirisë është këtu për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje. Ju ftoj ju, të gjithë të rinjtë e kryeqytetit, të gjithë Shqipërisë që të jenë shumë herë më aktivë në jetën politike dhe njëkohësisht të bëhemi bashkë në një aleancë mbarëkombëtare për t’i dhënë ndal shpopullimit dhe për të ndërtuar politika konkrete, me ligje, me paketa të plota ligjore të cilat mbështesin të rinjtë dhe të rejat, mbështesin zhvillimin cilësor, gjithëpërfshirës të arsimit”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: