TIRANË

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është një nga dhjetëra e dhjetëra vendet që po sheh pasojat e një lufte, duke iu referuar rritjes së çmimeve në vend.

Rama kërkoi që të shuajë revoltën e qytetarëve, duke iu referuar zhvillimeve dhe rritjes së çmimeve dhe në vende të tjera europiane. Ai tha se vendet dhe popujt e kanë pranuar këtë gjë.

“Ndërkohë që dëshiroj ta mbyll me domosdoshmërinë që të gjithë të jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk jemi të detyruar as në familje, as në shoqëri, as në kompani, as në mjedisin politik apo publik të biem dakord për çdo gjë. por ka diçka për të cilën shoqëritë e zhvilluara kanë rënë dakord dhe prandaj dhe janë zhvilluar, që faktet nuk luftohen. Faktet janë fakte. Pastaj mbi faktet diskutohet si mund t’i ndryshojmë ato, por nuk mund të debatojmë faktet. Fakti është që sot Shqipëria është një nga dhjetëra e dhjetëra vendet që po sheh pasojat e një lufte, ku bombat dhe raketat bien në Ukrainë, ndërsa këtu lufta paraqitet me faturat. Ky është fakt. Të diskutosh këtë i bie të shkosh në drejtimin më të paditur, të marrësh rrugën dhe të turpërosh kombin tënd, shtetin tënd, në sy të të gjithë vendeve të tjera që kanë vendosur të jenë në krah të Ukrainës, të pranosh që jen në luftë, jo në vijën e parë mbështetëse, por të pranosh çmimin.
Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj, mos më i madhi i grurit. Është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe të gazit. 40% e ngrohjes në Europë varet nga Rusia. Deri në Amerikë ka shkuar efekti. Dje më çonin nga Itali çmimin e naftës në tabelë, 2.4 euro dje. Por vendet e kanë pranuar këtë gjë, e kanë pranuar dhe popujt. Dje zv. presidentja amerikane fliste para një audience këtu në Europë dhe ky thoshte ky është çmimi minimal që ne duhet të paguajmë për të mbështetur ata që po vriten atje. Nuk i mbështesim ata thjesht, por për veten tonë, se nëse i kthejmë kurrizin, ajo gjëja atje vjen këtu dhe kthehet bota përsëri aty ku nuk na e pret mendja kurrë. Në luftën e tretë botërore.
Tani ne nuk e zgjodhëm tërmetin, na zgjodhi. 15 mijë familje e humbën shtëpinë dhe gjithçka brenda 10 sekondash. Ja ku janë sot, po kthehen në shtëpi të reja, më të bukura. Ajo që kaluam ishte shumë më e tmerrshme se ajo që po ndiejmë sot, se humbën të gjitha dhe prapë me dinjitet, me kurajë, me mbështetjen tonë e kapërcyem. Pandeminë nuk e zgjodhëm ne, erdhi, do rezistojmë. Luftën nuk e nisëm ne, e nisi dikush tjetër, çfarë do bëjmë, apo do dëgjojmë këta që thonë më mirë të mos bashkoheshim me sanksionet ndaj Rusisë se sa të paguajmë më shtrenjtë naftën. Është dembelizëm i madh mendor. E para nuk ka lidhje, sepse dhe vendet që nuk kanë vënë sanksione njësoj po paguajnë. Në Turqi është dyfishuar çmimi i energjisë dhe pse nuk ka vënë sanksione”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb