Përpara një samiti madhor që do të mbledhë shqiptarë nga 50 vende të botës, debati ende vazhdon për mënyrat më të mira që Shqipëria të tërheqë talentet e emigrantëve të vet.

Përpara një samiti madhor të komuniteteve shqiptare në diasporë kudo në botë, Shqipëria po peshon mënyrat më të mira për të shfrytëzuar diasporën e vet të madhe.

Në nëntor 2016, për herë të parë, qeveria planifikon të mbajë samitin e parë të diasporës, për të shënuar gjithashtu 25-vjetorin e emigrimit post-komunist.

Kryeministri, Edi Rama, tha në një takim me shqiptarët në Nju Jork të hënën e shkuar se samiti do të hapë një kapitull të ri për vendin.

“Samiti i nëntorit do të jetë çasti kur ne do të tregojmë kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të bërë edhe më shumë,” tha Rama.

Samiti do të mbledhë shqiptarë nga 50 vendet e botës, përfshirë emigratë para dhe pas komunizmit.

Organizatat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit e kanë pritur prej kohësh krijimin e një ministrie për diasporën dhe kërkesa e tyre mbështetet nga presidenti shqiptar, Bujar Nishani.

Partia për Drejtësi dhe Integrim, PDIU, që përfaqëson komunitetin çam dhe është pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Rama, gjithashtu e konsideron të rëndësishëm krijimin e një ministrie.

Çamët janë shqiptarë etnikë të dëbuar nga veriu i Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Marselino Troshani, kryetar i forumit të shoqatave shqiptare në Emilia Romana, Itali, FARE, i tha BIRN se shqiptarët në Itali kishin dorëzuar një kërkesë formale në parlamentin shqiptar për krijimin e një ministrie.

“Ministria do të ndihmojë në votimin e emigrantëve në zgjedhje dhe gjithashtu do të ndihmojë në promovimin e vendit jashtë kufijve shqiptarë,” tha ai duke cituar ministrinë kosovare të diasporës si një model.

Por jo të gjithë përfaqësuesit e diasporës shqiptare mbështesin idenë e një ministrie. Ish-drejtori i këshillit kombëtar shqiptaro-amerikan, Avni Mustafaj, i tha BIRN se fuqizimi i ambasadave të vendit do të ishte mënyra më e mirë për të tërhequr talentet e diasporës.

Ai bie dakord se bashkimi i anëtarëve të diasporës shqiptare nga e gjithë bota është një ide e shkëlqyer, pasi shumë prej tyre kanë arsimi, aftësitë dhe eksperiencën e duhur për të ndihmuar atdheun.

“Nuk bie dakord me një ministri të diasporës, por jam pro fuqizimit të ambasadave, në mënyrë që të bëhen më aktive me komunitetet shqiptare në vendet e tyre,” tha ai.

“Koordinimi i kësaj duhet të bëhet nga ministria e jashtme. I druhem strukturave paralele brenda ministrive,” tha Mustafaj. /Reporter.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: