Shqipëria është pjesë e agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të qëndrueshëm, ku deri në vitin 2030 duhet të bëhet përparim në 17 objektiva themelore për zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria bëri hapa pas në vitin 2022 në shumë prej treguesve kryesorë, që kanë të bëjnë me varfërinë, shëndetësinë, arsimin, punësimin, aksesin në ujë etj.

Objektivi 1 “Pa Varfëri” në përkeqësim

Të dhënat kombëtare nga INSTAT tregojnë se përqindja e popullsisë në rrezik për të qenë të varfër u rrit me 0.5 pikë % në vitin 2021. Përqindja e popullsisë që jeton në rrezik për të qenë të varfër ose përjashtim social ishte 43,9 % më 2021. Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Zhdukja e varfërisë ekstreme për të gjithë njerëzit kudo që janë deri në vitin 2030, është qëllimi kryesor i Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030. Midis viteve 2015 dhe 2018, varfëria globale vazhdoi rënien e saj historike, me shkallën e varfërisë që ra nga 10,1 për qind në 2015 në 8,6 për qind në 2018. Parashikuesit sugjerojnë se për shkak të pandemisë COVID-19, shkalla e varfërisë globale u rrit ndjeshëm nga 8,3 për qind në 2019 në 9,2 për qind në 2020Ndikimi i pandemisë COVID-19, përmbysi progresin e qëndrueshëm të uljes së varfërisë gjatë 25 viteve të fundit. Ky ndryshim i paprecedentë po përkeqësohet më tej nga rritja e inflacionit dhe ndikimet e luftës në Ukrainë. Vlerësohet se këto kriza të kombinuara do të çojnë 75-95 milionë njerëz të tjerë që jetojnë në varfëri ekstreme në vitin 2022, krahasuar me parashikimet para pandemisë.

Objektivi 2 “Zero Uri” përkeqësim

Objektivi 2 i Zhvillimit të Qëndrueshëm ka të bëjë me krijimin e një bote pa uri deri në vitin 2030. Në vitin 2020, nga 720 milionë deri në 811 milionë persona në mbarë botën vuanin nga uria, afërsisht 161 milionë më shumë se në vitin 2019. Gjithashtu në vitin 2020, 2,4 miliardë njerëz, ose mbi 30 për qind e popullsisë së botës, ishin mesatarisht pa akses të rregullt në ushqyerjen e duhur. Shifra u rrit me afro 320 milionë njerëz në vetëm një vit. Në nivel global, 149,2 milionë fëmijë nën 5 vjeç, ose 22,0 për qind, vuanin nga mos-zhvillimi, frenimi i rritjes (gjatësia e ulët për moshën e tyre) në vitin 2020, një rënie nga 24,4 për qind në 2015. Numri i njerëzve të uritur dhe që vuanin nga pasiguria ushqimore ishte rritur gradualisht midis 2014 dhe fillimit të pandemisë COVID-19. Kriza e COVID-19 i ka shtyrë ato norma në rritje edhe më të larta dhe gjithashtu ka përkeqësuar të gjitha format e kequshqyerjes, veçanërisht te fëmijët. Lufta në Ukrainë po prish më tej zinxhirët global të furnizimit me ushqim dhe po krijon krizën më të madhe globale të ushqimit që nga Lufta e Dytë Botërore.

INSTAT referon se, prevalenca e nënpeshës tek fëmijët 1,6 % e fëmijëve nën moshën 5 vjeç; -7,5 pike 5 krahasuar me 2008 – 2009, por nuk ka të dhëna krahasuese me vitin 2021

Objektivi 3 “Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie”, përkeqësim

Sigurimi i një jete të shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies në të gjitha moshat, është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm. Pandemia e COVID-19 vazhdon të përhapë vuajtje njerëzore. Deri në mes të vitit 2022, COVID-19 infektoi më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën. Vlerësimet e fundit tregojnë se “vdekjet shtesë” globale, që i atribuohen drejtpërdrejt dhe indirekt COVID-19 mund të përllogariten rreth 15 milionë deri në fund të vitit 2021. Pandemia ndërpreu shërbimet thelbësore shëndetësorë në mënyrë drastike, duke shkaktuar rritje të prevalencës së ankthit dhe depresionit, ujle të jetëgjatësisë globale, stopimin e luftës kundër parandalimit të HIV-it, tuberkulozit (TB) dhe malaries. Si rezultat, mbulimi i imunitetit dështoi për herë të parë në 10 vjet dhe vdekjet si pasojë e tuberkulozit dhe malaries u rritën. Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme dhe e përbashkët për ta kthyer botën në një trajektore drejt arritjes së Objektivit 3.

Në Shqipëri shkalla e vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet e trafikut rrugor për 100 mijë banorë më 2021 u rriten me 9,9 % krahasuar me 2020.

Përqindja e popullatës e vaksinuar nga të gjitha vaksinat që janë të përfshira në programin kombëtar të vendit ra me 2021 me -2,7 pikë % për kollen e mirë dhe gjithashtu ra -1.8% për fruthin në krahasim me vitin 2020..

Koeficienti i lindshmërisë në adoleshencë (10-14 ose 15-19 vjeç), i shprehur për 1.000 femra të grup moshës respektive shënoi rënie -9,0 % krahasuar me 2020.

Objektivi 4, “Arsim Cilësor” treguesit me luhatje

Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe promovimi i mundësive te të nxënit gjatë gjithë jetës për të gjithë.

Ofrimi i arsimit cilësor për të gjithë, është thelbësor për krijimin e një bote paqësore dhe të begatë. Arsimi u jep njerëzve njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të qëndruar të shëndetshëm, për të gjetur punë dhe për të nxitur tolerancën. Megjithatë, pandemia e COVID-19, ka shkaktuar një krizë globale arsimore. Shumica e sistemeve arsimore në botë janë prekur rëndë nga ndërprerjet e arsimit dhe janë përballur me sfida të paprecedentë. Mbyllja e shkollave, shkaktuar nga pandemia, ka pasur pasoja shkatërruese për mësimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Vlerësohet se 147 milionë fëmijë, humbën më shumë se gjysmën e mësimeve të tyre në klasë gjatë dy viteve të fundit. Ky brez fëmijësh mund të humbasë një total prej 17 trilion dollarësh të ardhura gjatë jetës në vlerën aktuale. Mbyllja e shkollave ka prekur më shumë vajzat, fëmijët me prejardhje të pa favorizuara, ata që jetojnë në zonat rurale, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga pakicat etnike sesa bashkëmoshatarët e tyre.

Në Shqipëri përqindja e popullsisë 18-24 vjeç që ka arritur në arsimin e mesëm të ulët dhe nuk është përfshirë në asnjë shkollim apo trajnim u rrit për femrat; +1,6 pp krahasuar me 2020 dhe për meshkujt; +2,1 pikë % krahasuar me 2020.

Përqindja e të rinjve dhe të rriturve me aftësi të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), sipas llojit të aftësive u përmirësua +6,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021.

Objektivi 5 “Barazia Gjinore”, përmirësim

Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore e njeriut, por një themel i domosdoshëm për një botë paqësore, të begatë dhe të qëndrueshme. Ka pasur progres gjatë dekadave të fundit, por bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur barazinë gjinore deri në vitin 2030. Pasojat sociale dhe ekonomike nga pandemia COVID-19, e kanë bërë situatën edhe më të zymtë. Përparimi në shumë fusha, duke përfshirë kohën e shpenzuar për kujdesin e papaguar dhe punën në shtëpi, vendimmarrjen në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues, dhe buxhetimin e duhur ndaj gjinisë, po lihet pas. Shërbimet shëndetësore ndaj grave, që deri më sot kanë një financim të dobët, janë përballur me ndërprerje të mëdha. Dhuna ndaj grave mbetet e përhapur. Pavarësisht lidershipit të grave në përgjigjen ndaj COVID-19, ato ende janë nuk sigurojnë pozicione vendimmarrëse që meritojnë. Nevojitet angazhim dhe veprim i guximshëm për të përshpejtuar progresin, duke përfshirë promovimin e ligjeve, politikave, buxheteve dhe institucioneve që avancojnë barazinë gjinore. investimi më i madh në statistikat gjinore është jetik, pasi më pak se gjysma e të dhënave të nevojshme për monitorimin e Objektivit 5 janë aktualisht në dispozicion.

Në Shqipëri përqindja e vendeve që mbahen nga gratë në parlament u rrit me +8,2 pikë % në krahasim me vitin 2020. Përqindja e grave në pozicione menaxherie u rrit me 1 pikë % më 2021.

Objektivi 6 “Ujë i Pastër dhe Shërbime Sanitare”, me rënie

Aksesi në ujë të rrjedhshëm, shërbime sanitare dhe higjienë është nevoja më themelore e njeriut për shëndet dhe mirëqenie. Miliarda njerëzve do t’u mungojë aksesi në këto shërbime bazë në vitin 2030, nëse përparimi nuk katërfishohet. Kërkesa për ujë po rritet për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë, urbanizimit dhe rritjes së nevojave për ujë nga sektorët e bujqësisë, industrisë dhe energjisë. Dekada keqpërdorimi, menaxhimi i dobët, nxjerrja e tepërt e ujërave nëntokësore dhe ndotja e furnizimeve me ujë të ëmbël kanë përkeqësuar cilësinë e ujit. Përveç kësaj, vendet po përballen me sfida në rritje të lidhura me ekosistemet e degraduara të lidhura me ujin, mungesën e ujit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, investimet e pamjaftueshme në ujë dhe shërbime sanitare dhe bashkëpunimin e pamjaftueshëm në ujërat ndërkufitare. Për të arritur akses universal në ujin e rrjedhshëm, shërbime sanitare dhe higjienën deri në vitin 2030, ritmet aktuale të progresit do të duhet të katërfishohen. Arritja e këtyre objektivave do të shpëtonte 829,000 njerëz në vit, të cilët vdesin nga sëmundjet që i atribuohen drejtpërdrejt ujit jo të pijshëm, shërbimeve sanitare të pamjaftueshme dhe praktikave të dobëta higjienike

Në Shqipëri përqindja e popullsisë që përdor shërbimet e ujit të pijshëm të menaxhuara në mënyrë të sigurte shënoi rënie 0,1 pikë% më 2021 krahasuar me 2020.

Ndërsa përqindja e popullsisë që përdor shërbime sanitare të menaxhuara në mënyrë të sigurte, duke përfshirë larjen e duarve me sapun dhe ujë u rrit me 1.9 pikë % më 2021.

 

Objektivi 7”, “Energji e Përballueshme dhe e Pastër”, në përmirësim

Objektivi 7 ka të bëjë me sigurimin e aksesit në energji të pastër dhe të përballueshëm është kyç për zhvillimin e bujqësisë, biznesit, komunikimit, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe transportit. Mungesa e aksesit në energji pengon zhvillimin ekonomik dhe njerëzor. Të dhënat e fundit, sugjerojnë se bota vazhdon të përparojë drejt objektivave të qëndrueshëm të energjisë. Megjithatë, ritmi aktual i progresit është i pamjaftueshëm për të arritur objektivin 7 deri në vitin 2030. Vazhdojnë pabarazitë e mëdha në aksesin ndaj energjisë moderne të qëndrueshme. Rritja e çmimeve të mallrave, energjisë dhe transportit ka rritur koston e prodhimit dhe transportit të moduleve fotovoltaike diellore, turbinave të erës dhe biokarburanteve në mbarë botën, duke shtuar pasigurinë në një trajektore zhvillimi që është tashmë e theksuar nën ambiciet e Objektivit 7. Arritja e objektivave të energjisë dhe klimës do të kërkojë mbështetje të vazhdueshme të politikave dhe një mobilizim masiv të kapitalit publik dhe privat për energji të pastër dhe të rinovueshme, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Në Shqipëri përqindja e popullsisë që mbështetet në burime kryesore në lëndë djegëse të pastra dhe teknologjike u rrit me +4,95 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020

Objektivi 8, “Punë Dinjitoze dhe Rritje Ekonomike”, rënie

Rritja ekonomike e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse mund të nxisë përparimin, krijimin e vendeve të punës të denja për të gjithë dhe të përmirësojë standardet e jetesës. COVID-19 ka ndërprerë jetën e miliarda njerëzve dhe ka rrezikuar ekonominë globale. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret një recesion global po aq të keq ose më keq sesa në vitin 2009. Goditjet ekonomike dhe financiare të lidhura me COVID-19, të tilla nga ndërprerjet në prodhimin industrial, rënia e çmimeve të mallrave, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare dhe rritja e pasigurisë, po dëmtojnë rritjen ekonomike tashmë të vakët, së bashku me rreziqet e rritura nga faktorë të tjerë.

Në Shqipëri përqindja e të punësuarve informalë në sektorin jo-bujqësor u rrit me +0,3 pikë % me 2021 Përqindja e të rinjve (15-24 vjeç) as në punësim dhe as në trajnim dhe as duke ndjekur shkollën u rrit 2,6 pikë % krahasuar me 2020

Objektivi 9, “Industri, Novacion dhe infrastrukturë”, në përmirësim

Industrializimi gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm, së bashku me inovacionin dhe infrastrukturën, mund të çlirojë forca ekonomike dinamike dhe konkurruese që gjenerojnë punësim dhe të ardhura. Ato luajnë një rol kyç në prezantimin dhe promovimin e teknologjive të reja, lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare dhe duke mundësuar përdorimin efikas të burimeve. Megjithatë, bota ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të shfrytëzuar plotësisht këtë potencial. Vendet më pak të zhvilluara, në veçanti, duhet të përshpejtojnë zhvillimin e sektorit të tyre të prodhimit nëse duan të përmbushin objektivin e vitit 2030 dhe të rrisin investimet në kërkimin shkencor dhe inovacionin. Rritja globale e prodhimit ka qenë në rënie të vazhdueshme, edhe para shpërthimit të pandemisë COVID-19. Pandemia goditi fort industritë prodhuese dhe po shkakton ndërprerje në zinxhirët e vlerës globale dhe furnizimin e produkteve. inovacioni dhe përparimi teknologjik janë çelësi për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme si për sfidat ekonomike ashtu edhe për ato mjedisore, të tilla si rritja e burimeve dhe efiçenca e energjisë. Globalisht, investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D) si përqindje e PBB-së u rritën nga 1,5 për qind në 2000 në 1,7 për qind në 2015 dhe mbetën pothuajse të pandryshuara në 2017, por ishin vetëm më pak se 1 përqind në rajonet në zhvillim. Për sa i përket infrastrukturës së komunikimit, më shumë se gjysma e popullsisë së botës është tani online dhe pothuajse e gjithë popullata botërore jeton në një zonë të mbuluar nga një rrjet celular. Vlerësohet se në vitin 2019, 96,5 % mbuloheshin nga të paktën një rrjet 2G.

Në Shqipëri volumi i mallrave dhe pasagjerëve, sipas mënyrës së transportit ishte me rritje në vitin 2021 për të gjitha llojet e transportit

Ndërsa punësimi në industrinë përpunuese si përqindje e punësimit gjithsej nuk ndryshoi në vitin 2021 në krahsim me vitin 2020.

Objektivi 10, “Zvogëlim i Pabarazive”, rënie

Zvogëlimi i pabarazive dhe sigurimi që askush të mos mbetet prapa, janë pjesë përbërëse e arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pabarazia brenda dhe midis vendeve është një shkak i vazhdueshëm për shqetësim. Efektet e pandemisë COVID-19, duket se po përmbysin çdo tendencë pozitive të ngushtimit të pabarazisë së të ardhurave. Pandemia gjithashtu ka intensifikuar diskriminimin strukturor dhe sistemik. Tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim po përjetojnë rikuperime të ngadalta, duke zgjeruar pabarazitë në të ardhura midis vendeve. Numri i vdekjeve të refugjatëve dhe emigrantëve në mbarë botën arriti numrin më të lartë absolut të regjistruar në vitin 2021. Ndërkohë, lufta në Ukrainë vazhdon, duke detyruar edhe më shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke krijuar një nga krizat më të mëdha të refugjatëve.

Në Shqipëri ndryshimi vjetor në përqindje i raportit të të ardhurave disponibël të ekuivalentuara midis 40 përqindëshit të popullsisë me të ardhura më të ulta dhe popullsisë totale shënoi rënie me -4 pikë % krahasuar me 2020.

Përqindja e popullsisë që jetojnë nën 50 për qind të medianës së të ardhurave disponibël të ekuivalentuara u rrit me +0,6 pikë % krahasuar me vitin 2020.

Objektivi 11, “Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme”, përmirësim

Bota po urbanizohet gjithnjë e më shumë. Që nga viti 2007, më shumë se gjysma e popullsisë së botës ka jetuar në qytete dhe kjo përqindje parashikohet të rritet në 60 për qind deri në vitin 2030. Qytetet dhe zonat metropolitane janë fuqitë e rritjes ekonomike – duke kontribuar rreth 60 për qind të PBB-së globale. Megjithatë, ato përbëjnë gjithashtu rreth 70 për qind të emetimeve globale të karbonit dhe mbi 60 për qind të përdorimit të burimeve. Urbanizimi i shpejtë po rezulton në një numër në rritje të banorëve të lagjeve të varfra, infrastrukturë dhe shërbime të papërshtatshme dhe të mbingarkuara, (siç janë grumbullimi i mbeturinave dhe sistemet e ujit dhe kanalizimeve, rrugët dhe transporti), përkeqësimi i ndotjes së ajrit dhe shtrirja e paplanifikuar urbane. Ndikimi i COVID-19, do të jetë më shkatërrues në zonat urbane të varfra dhe me popullsi të dendur, veçanërisht për një miliard njerëz që jetojnë në vendbanime informale dhe lagje të varfra në mbarë botën, ku mbipopullimi gjithashtu e bën të vështirë ndjekjen e masave të rekomanduara si distanca sociale dhe izolimi. Agjencia e OKB-së për ushqim, FAO, paralajmëroi se uria dhe viktimat mund të rriten ndjeshëm në zonat urbane, pa masa për të siguruar që banorët e varfër dhe të cenueshëm të kenë akses në ushqim.

Në Shqipëri përqindja e popullsisë urbane që jeton në lagjet e varfra, vendbanimet jo formale ose strehime jo të përshtatshme ra me -0,5 pikë % krahasuar me 2020.

Raporti i mbetjeve të ngurta urbane të mbledhura rregullisht dhe të depozituara sipas normave, ndaj sasisë gjithsej mbetjeve të ngurta urbane të gjeneruara u rrit me +2,3 pikë % krahasuar me 2020.

Objektivi 12, “Konsum dhe Prodhim i Përgjegjshëm”, rënie

Konsumi dhe prodhimi mbare botëror, një forcë lëvizëse e ekonomisë globale, mbështeten në përdorimin e mjedisit natyror dhe burimeve në një mënyrë që vazhdon të ketë ndikime shkatërruese në planet. Progresi ekonomik dhe social gjatë shekullit të kaluar është shoqëruar me degradim mjedisor që po rrezikon vetë sistemet nga të cilat varet zhvillimi ynë i ardhshëm në të vërtetë, vetë mbijetesa jonë. Pandemia e COVID-19, u ofron vendeve një mundësi për të ndërtuar plane rikuperimi që do të ndryshojnë tendencat aktuale dhe do të ndryshojnë modelet tona të konsumit dhe prodhimit drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Konsumi dhe prodhimi i qëndrueshëm ka të bëjë me të bërit më shumë dhe më mire, me më pak burime. Ka të bëjë gjithashtu me shkëputjen e rritjes ekonomike nga degradimi i mjedisit, rritjen e efikasitetit të burimeve dhe promovimin e stileve të qëndrueshme të jetesës. Konsumi dhe prodhimi i qëndrueshëm gjithashtu mund të kontribuojnë në mënyrë thelbësore në zbutjen e varfërisë dhe tranzicionin drejt ekonomive me karbon të ulët dhe të gjelbër

Në Shqipëri shkalla e riciklimit kombëtar, sasia në tonë e mbetjeve që riciklohen ra me -12,33 pikë %, krahasuar me 2020.

Objektivi 13, “Veprimi për Klimën” nuk ka përmirësim

Temperatura globale tashmë është rritur 1,1°C, mbi nivelin para-industrial, me shkrirjen e akullnajave dhe rritjen e nivelit të detit. Ndikimet e ndryshimeve klimatike përfshijnë gjithashtu përmbytjet dhe thatësirën, zhvendosjen e miliona njerëzve, fundosjen e tyre në varfëri dhe uri, mohimin e aksesit në shërbimet bazë, si shëndetësia dhe arsimi, zgjerimi i pabarazive, mbytja e rritjes ekonomike dhe madje edhe shkaktimi i konflikteve. Deri në vitin 2030, rreth 700 milionë njerëz do të jenë në rrezik të zhvendosjes vetëm nga thatësira. Prandaj, ndërmarrja e veprimeve urgjente për të luftuar ndryshimin e klimës dhe ndikimet e tij shkatërruese është thelbësore për të shpëtuar jetë, për të bërë realitet Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe 17 Objektivat e saj – plani për një të ardhme më të mirë. Në vitin 2020, përqendrimet globale të gazeve serrë arritën nivele të reja maksimale dhe të dhënat në kohë reale tregojnë për rritje të vazhdueshme. Me rritjen e këtyre përqendrimeve, rritet edhe temperatura e Tokës. Në vitin 2021, temperatura mesatare globale ishte rreth 1,1°C mbi nivelin para-industrial (nga 1850 deri në 1900). Vitet nga 2015 deri në 2021 ishin shtatë vitet më të ngrohta të regjistruara. Për të kufizuar ngrohjen në 1,5°C mbi nivelet para-industriale, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Parisit, emetimet globale të gazeve serrë do të duhet të arrijnë kulmin përpara vitit 2025. Më pas ato duhet të ulen me 43 për qind deri në vitin 2030 dhe në zero deri në vitin 2050. Vendet po flasin për plane veprimi për klimën për të ulur emetimet dhe për t’iu përshtatur ndikimeve klimatike nëpërmjet kontributeve të përcaktuara në nivel kombëtar. Megjithatë, angazhimet aktuale kombëtare nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur objektivin 1,5°C.

Objektivi 14, “Jeta Nën Ujë”, Shqipëria pa të dhëna

Objektivi 14 ka të bëjë me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të oqeaneve, deteve dhe burimeve detare. Oqeanet dhe detet e shëndetshme janë thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe jetën në Tokë. Ata mbulojnë 70 % të planetit dhe ofrojnë ushqim, energji dhe ujë. Oqeani thith rreth një të katërtën e emetimeve vjetore të dioksidit të karbonit (CO2) në botë, duke zbutur kështu ndryshimin klimatik dhe duke lehtësuar ndikimet e tij. Është thelbësore që ato të ruhen dhe të përdoren në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, aktiviteti njerëzor po rrezikon oqeanet dhe detet, ekosistemin më të madh të planetit, dhe po ndikon në jetesën e miliarda njerëzve.

Shqipëria nuk ka të dhëna për rezultatet në këtë objektiv.

Objektivi 15, “Jeta në Tokë”, përmirësim

Natyra është thelbësore për mbijetesën tonë: natyra na siguron oksigjenin, rregullon modelet tona të motit, fertilizon të korrat tona, prodhon ushqimin dhe fibrat që na nevojiten. Aktiviteti njerëzor ka ndryshuar pothuajse 75 % të sipërfaqes së tokës, duke zvogëluar jetën e egër dhe natyrën në një cep gjithnjë e më të vogël të planetit. Rreth 1 milion specie shtazore dhe bimore kërcënohen me zhdukje – shumë prej tyre brenda një dekade – sipas Raportit të Vlerësimit Global të 2019-ës, për Shërbimin e Biodiversitetit dhe Ekosistemit. Raporti bëri thirrje për ndryshime transformuese për të rivendosur dhe mbrojtur natyrën. Ai zbuloi se shëndeti i ekosistemeve nga të cilat, ne dhe të gjitha speciet e tjera varemi, po përkeqësohet më shpejt se kurrë, duke ndikuar në vetë themelet e ekonomive tona, mjetet e jetesës, sigurinë ushqimore, shëndetin dhe cilësinë e jetës në mbarë botën. Shpyllëzimi dhe shkretëzimi i shkaktuar nga aktivitetet njerëzore dhe ndryshimet klimatike paraqesin sfida të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm dhe kanë ndikuar në jetën dhe jetesën e miliona njerëzve. Pyjet janë thelbësore për ruajtjen e jetës në Tokë dhe luajnë një rol të madh në luftën kundër ndryshimeve klimatike. investimi në restaurimin e tokës është kritik për përmirësimin e jetesës, reduktimin e dobësive dhe reduktimin e rreziqeve për ekonominë.

Në Shqipëri zona pyjore si pjesë e sipërfaqes së përgjithshme të tokës u rrit me 2021 me +3,30 pp krahasuar me 2020.

 

Objektivi 16 “Paqe, Drejtësi dhe institucione të Forta”, përkeqësim

Konflikti, pasiguria, institucionet e dobëta dhe aksesi i kufizuar në drejtësi mbeten një kërcënim i madh për zhvillimin e qëndrueshëm. Numri i njerëzve që arratisen nga lufta, persekutimi dhe konflikti, tejkaloi 70 milionë në vitin 2018, niveli më i lartë i regjistruar nga agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) në pothuajse 70 vjet. Në vitin 2019, Kombet e Bashkuara, regjistruan 357 vrasje dhe 30 zhdukje me forcë të mbrojtësve te të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe sindikalistëve në 47 vende. Lindjet 1 në 4 fëmijë nën moshën 5 vjeç në mbarë botën, nuk regjistrohen kurrë zyrtarisht, duke i privuar ata nga një dëshmi e identitetit ligjor, thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe për aksesin në drejtësi dhe shërbime sociale.

Në Shqipëri numri i viktimave të vrasjeve me dashje për 100.000 banorë u rrit me +0,2 pikë % krahasuar me 2020.

Objektivi 17, “Partneriteti për Objektivat”, përmirësim

OZHQ-të, mund të realizohen vetëm me partneritete dhe bashkëpunim të fortë global. Një agjendë e suksesshme zhvillimi, kërkon partneritete gjithëpërfshirëse, në nivel global, rajonal, kombëtar dhe lokal – të ndërtuar mbi parime dhe vlera dhe mbi një vizion të përbashkët dhe qëllime të përbashkëta që vendosin njerëzit dhe planetin në qendër. Shumë vende kërkojnë Asistencë Zyrtare për Zhvillim për të inkurajuar rritjen dhe tregtinë. Megjithatë, nivelet e ndihmës po bien dhe vendet donatore nuk e kanë përmbushur zotimin e tyre për të rritur financimin e zhvillimit. Për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomia globale parashikohet të tkurret ndjeshëm, me 3 %, në vitin 2020, duke përjetuar recesionin e saj më të keq që nga Depresioni i Madh. Një bashkëpunim i fortë ndërkombëtar është i nevojshëm tani më shumë se kurrë, për të siguruar që vendet të kenë mjetet për t’u rikuperuar nga pandemia, për t’u rikthyer më të fortë dhe për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Në Shqipëri të ardhurat totale të qeverisë si pjesë e PBB-së, u rrite me +1,11 pikë % krahasuar me vitin 2020.

Volumi i remitancave (në dollarë amerikanë) u rrit me +9,41 % me 2021 në krahasim me 2020./monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: