TIRANË- Është vetëm 23 vjeçe por tashmë ka hedhur në treg parfumin që mban emrin e saj por edhe të Shqipërisë. Me një dizajn, kuq e zi, me emrin “Shqipëria ime”, vajza nga Vlora Jola Hasimi, prezanton parfumin e krijuar prej saj, i pari parfum shqiptar që është në shitje në të gjithë botën. Ky parfum kushton 80 euro dhe është për të dyja gjinitë, si për meshkujt edhe për femrat.

Në një prononcim për BalkanWeb, Jola tregon që jeton prej disa vitesh në Firenze ku studion për Fashion Design. Por pavarësisht studimeve, 23-vjeçarja nuk ka ndenjur duarkryq por ka krijuar shtëpinë e saj të modës “JH” dhe ka punuar për projektin “Shqipëria ime”. Pas 23-vjeçares qëndron bashkëshorti i saj Nertil Boraj, i cili është edhe themeluesi i markës JH Jola Hasimi dhe çdo produkti që përmban këtë logo.

Ajo thotë se familja e saj ka patur një dyqan ku tregtoheshin markat më të mira të parfumeve, çka ka qenë edhe një pikënisje për të. Jola tregon se punën për këtë parfum ja ka besuar një prej përfaqësuesve më në zë të kësaj fushe, që ka punuar edhe për aromat Gucci apo Beirut, ndërsa deri tani aroma e re e Shqipërisë është pritur më së miri nga blerësit.

“Ne kemi zgjedhur ti besojmë projektin tonë, Sileno Chelinos i cili identifikohet lehtë në botë si pjesë e këshillit botëror të parfumeve artizanale ose thjesht nëpërmjet aromave Gucci, Beirut, Wood, etj. Siç dallohet shishja është tërësisht e personalizuar që nga tapa dru arre e lyer me dorë, shishja kuq e zi. Po ashtu dhe certifikata e lëshuar nga shteti italian që vërteton Made in Italy, kutia bijou dhe qeska e realizuar përsëri me dorë. Për të gjithë punën estetike i kemi besuar duarve të arta te stafit të Coverpla (Francë) dhe veçanërisht Sonia Karaski dhe Carole Pastorelli”, tregon 23-vjeçarja.
Jola tregon se ka pasur vështirësi deri në regjistrimin e këtij brandi, dy vite më parë, për të cilin i janë dashur një sërë dokumentesh të posaçme.

Por pse zgjodhi emrin “Shqipëria ime”?
“Unë jam larguar nga Shqipëria e vetëdijshme që e ardhmja ime ishte diku tjetër, por edhe pse kështu fillova t’ia ndieja mungesën deri në dhembje. Unë dhe Nertili si shumë të tjerë vuajmë racizmin dhe famën e keqe dhe nëpërmjet parfumit, edhe pse ende s’kam shpërndarë videon, vijnë jo vetëm aroma e Shqipërisë por edhe ngjyrat, vargjet dhe muzika shqiptare. Parfumi ka një piramidë olfative unike ku çdo element është i krijuar për herë të parë. U deshën 1020 prova përpara se të zgjidhej përfundimtarja. Notat e zemrës ose mesi i piramidës është tërësisht Shqipëria”, tregon jo pa emocione Jola.

Para 23-vjeçares, një tjetër shqiptare, stilistja Enada At’nikolla krijoi një parfum por që doli në shitje veç në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb