Kombëtarja shqiptare në gjysmën e parë të vitit nuk mori asnjë fitore. Pesë ndeshje deri më tani ku sidomos në sfidat e qershorit, zhgënjeu jo pak. Trajneri i mirënjohur Bledi Shkëmbi, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, në News 24, analizoi këto sfida.

Sipas Shkëmbit, pozitiv është fakti që kuqezinjtë dominojnë në lojë, por nuk godasin portën dhe për pasojë nuk vjen as rezultati. Megjithatë, nëse Shqipëria arrin të zërë vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve, cdo gjë harrohet.

Ndeshjet e qershorit – “Në fakt, nuk e prisja, ose më saktë do të dëshiroja të mos ishte kështu. Por duke parë ndeshjet në vazhdimësi, nuk duhet të ishim shumë pozitiv. Prisnim ndryshime, sidomos në ndeshjen me Izraelin që deri diku pjesën e parë arritëm ta bëjmë, pjesa e dytë ishte ndër më të dobëtat e për t’u harruar.

Mendoj se nuk janë gabime vetëm të trajnerit, por të të gjithë skuadrës e futbollistëve. Këto emra në letër janë shumë të mirë, por në fushë nuk po arrijnë të japin atë që presim. Duhet të kemi shumë stabilitet në emra në formacion, nga ndeshja e parë në të dytën, duke e njohur Rejan e prisnim që do të kishte ndryshime dhe ishte gjysma e ekipit.

Do na duhet stabilitet me emra por me në fund duhet edhe të ndryshojë skemë se edhe trajneri e pranon se me këtë skemë nuk jemi gati. Mendoj se gjëja më e mirë për të ndryshuar edhe të provohet ndërrimi i kësaj skeme.

Pozitive – E thashë edhe nga ndeshja me Islandën, pozitive është që ekipi kërkon të luajë, dominojë lojën dhe kjo më pëlqen. Ka momente shumë të mira dhe ndjejmë kënaqësi kur e shohim. Por duhet të kemi vazhdimësi edhe gjatë 90 minutave.

Nuk e kemi pasur në asnjë ndeshje, kemi momente shumë të mira dhe shumë të dobëta, Unë mendoj që më mirë të jesh i mesëm dhe i fortë. Këtë duhet ta rregullojmë. Por duhet shtuar se ka shumë gjëra negative. Edhe miqësorja me emra të rinj, po u dukën pa dëshirë.

E kuptoj që për futbollistët është e vështirë, por kur vjen me kombëtaren duhet të sakrifikosh, të jesh mbi maksimumin me rezultat se përfaqëson një komb, fanellën tënde, pak më ndryshe se pjesa e klubit.

Trajneri Reja – Personalisht nuk jam dakord që çdo gjë duhet ta mbajë trajneri. Nuk jam dakord që sa mbaron ndeshja, dalim e duam kokën e trajnerit. Për mua është gabim, trajneri ka kontratë dhe mendimi im është që ai trajner që fillon punën ta mbarojë ditën e fundit dhe pastaj bëhen analizat.

Përgjegjësia është e përbashkët e të gjithëve sepse ndonjëherë trajneri ka të drejtë, e shoh tani si trajner që ndodh shpesh që pavarësisht asaj që bën në stërvitje a kërkon, ekipi nuk të përgjigjet në fushë.

Dhe në këto raste nuk është përgjegjësia e trajnerit por lojtarëve. Për fat të keq ndodh kështu, më vjen keq që sa mbaron ndeshja të gjithë kryqëzojnë trajnerin, për mua kjo është e tepërt.

Unë mendoj që ndoshta jemi pak të mbivlerësuar, nga dëshira e mirë ndoshta mbivlerësojmë mundësitë që kanë këta lojtarë e emra të veçantë. Është e vërtetë që kemi lojtarë që luajnë në kampionate të mira e të forta, por thuajse të gjithë luajnë në ekipe të dorës së dytë.

Ndonjëherë duhet të kuptojmë sa mundësi kemi. Pjesa tjetër është që kjo kombëtare me emra të rinj në çdo grumbullim do kohë, ndaj them që duhet të kemi të stabilizuar edhe grupin, edhe formacionin se shohim që ka në çdo grumbullim të rinj, provojmë gjëra të reja.

Një grup i ri do kohën e vet dhe ne duhet të jemi të duruar për t’i pritur. Këto ndeshje nuk duhet të përsëriten, por duhet të themi që kemi bërë një lojë të mitë, duhet të kthehemi të laujmë ai ekipi me zemër. Se Shqipëria mund të jetë mundur e me futboll të bukur, por ka lënë shijen e lojës së fortë, një lojë me zemër me fanellë.

Ka të bëjë edhe me pjesën që aktualisht vuajmë pjesën e individëve, një grup që të jetë lider, apo lojtarë lider. Akoma në syrin tim nuk është krijuar ai boshti i liderëve që ngrenë skuadrën gjatë 90 minutave.

Gjithmonë brenda ekipit është ai grupi i liderëve që rregullon atmosferën në ekip edhe brenda 90 minutave. Duket se mungon dhe ky është problem i madh me atë që shihet nga jashtë.

Nuk kemi ditur të administrojmë lojën si duhet  apo rezultatin dhe nuk është problem trajneri apo vetëm i tij. Për mua më shumë ka të bëjë me lojtarët në fushë. Këta me eksperiencë duhet të bëjnë më shumë për të marrë maksimumin apo të sillemi si duhet që rezultati të jetë në favorin tonë.

Trajneri thotë që ka marrë mendimin e lojtarëve për skemën? Ndoshta ka pasur bisedë me lojtarë të pjesës mbrojtëse apo ata që luajnë në Serinë A. U bë shumë kohë që Reja e provon këtë skemë dhe mendoj se ka ardhur momenti ndoshta të ndryshojmë.

Vetëm Gjimshiti është ai që luan me këtë skemë çdo javë në kampionat, të tjerët luajnë me katër në mbrojtje. Ndoshta Reja kërkon të ulë pak forcën e goditjes së gazetarëve e specialistëve por ndoshta ka ardhur momenti të provojë për të ndryshuar diçka tjetër.

Nuk kemi pasur forcë sulmuese fare, edhe pse me 2-3 sulmues. Sidomos nga krahët, me mënyrën se si luajmë ne, duhet të shkojnë në fundore e krosojnë, mbështetin sulmuesit.  Kemi bërë shumë pak por mendoj se edhe sulmuesit nuk i kemi pasur në formën më të mirë të mundshme, duhet të japin më shumë e të tregohen altruistë duke filluar nga Broja. Kombëtarja është ndryshe nga klubi, janë pak ndeshje dhe nuk ke kohë të rikuperosh gabimet dhe kjo është domethënëse.

Negative – Ne nuk shfrytëzojmë goditjet standarde, shoh që ka rrëmujë, nuk mendoj se është problem stafi e trajneri se jam i bindur se i thonë kush i bën. Por nuk po arrijmë të përqendrohemi siç duhet për t’i justifikuar këto faulle a goditje këndi që fitojmë.

Më vjen keq ta them por në momente të veçanta ekipi po shpërbëhet, duket që skuadra nuk është grup. Ndoshta i duhet më shumë kohë që të luajnë bashkë e stërviten bashkë se në futboll shërben që të kapim rezultatet.

Mendoj se mund t’ia dalim në ndeshjet e mbetura, kam shumë besim. Por nuk duhet të harrojmë se në futboll e sidomos në ekipin tonë në momentin kur duhet të fitosh bëhet më e vështirë. Duhet presion, por jam i bindur që do të ndryshojnë. Kjo është periudhë pak e vështirë për ta, të luajnë në shtator nga ana psikologjike do të jemi më ndryshe, më mirë.

Rinovimi i Rejës? Gjithçka varet nga rezultatet, nuk mendoj se ka të bëjë emri dhe mosha. Nëse trajneri Reja arrin të fitojë këto dy ndeshje dhe jemi në vend të parë në grup, pse jo”, tha Shkëmbi.

Trajneri Shkëmbi foli edhe shortin e skuadrave shqiptare në Evropë: “Teorikisht ekipet shqiptare duhet ta kalojnë turin e parë, pasi në letër ekipet rivale janë më të letër. Shoh dhe impenjim dhe vlerësim si nga Tirana, ashtu edhe nga Partizani e Laci. Do të ishte mirë për futbollin shqiptar në tërësi të avanconin sa më shumë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb