Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit në Amsterdam me audiencën holandeze ka zbuluar një prapaskenë të disa viteve më parë, kur një politikan holandez gjatë një vizite në Tiranë e ka pyetur sesi do e zgjidhë Shqipëria problemin me ligjin e Sheriatit.

Rama sqaroi se i kishte thënë këtij politikani se Shqipëria është një vend i lirisë fetare, por ky i fundit sërish kishte publikuar në Holandë një artikull me këtë temë, që ndikoi më pas në pengimin për çeljen e negociatave me BE-në.

“Kemi pasur dhe ca gjëra me Holandën. Se nuk ju pëlqeu raporti i Komisionit iu duk shumë i vetëkënaqur, tepër miqësor dhe iu desh të dërgonin një grup pune për të marrë informacion dhe ndejtën disa orë dhe ikën. Por Ballkani është i çuditshëm. Isha përballë njërit prej tyre dhe më pyeti si do e zgjidhni problemin me ligjin e Sheriatit. I thashë zotëri ne nuk jemi vend mysliman se asnjëherë se kemi pasur ligjin e Sheriatit, ne jemi vend europian dhe model i vëllazërisë fetare që se kam thënë unë por Papa Françesku. Por ky zotëria vjen këtu dhe shkruan një artikull që problemi me Shqipërinë është ligji i Sheriatit. Tani është gjë idiot ky zotëria? Jo s’është, se s’dua të përmend emra. Është tepër inteligjent ai, është lloji i politikanit më inteligjent që unë vetë s’dua të jem, por ai e bën këtë për probleme të brendshme këtu, për të thënë nuk e di çfarë. Dua të them se Holanda ka moton e të qënit rigoroz por të drejtë. Holanda ka ushtruar kaq shumë trysni mbi ne që mendoj se është e padrejtë, por na ndihmoi të përmirësoheshim dhe më në fund vendi ynë është përmirësuar shumë”, rrëfeu Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb