Shqipëria ka mirëpritur sot shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerët Mesdhetarë në Konferencën e OSBE-së për Mesdheun, duke kurorëzuar kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun.

“Pas një pune të vyer një vjeçare në kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun, sot në Tiranë po qëndrojnë mbi 200 përfaqësues të vendeve pjesëtare të OSBE-së, vendeve partnere të Mesdheut dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, shkruan ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në rrjetet sociale.

Për Ministrin Cakaj, “kjo Konferencë mundëson një diskutim përmbajtësor për bashkëpunimin mes vendeve të OSBE-së dhe partnerëve të Mesdheut në çështje si rinia, energjia, ekonomia, siguria kibernetike, dialogu ndër-fetar dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

Nisur nga fakti se, përtej referencave gjeografike, Shqipëria ndan lidhje të forta kulturore dhe politike me rajonin e Mesdheut, Ministri Cakaj premtoi se, Shqipëria do të vazhdojë t’i ruajë këto marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi dhe do t’i trajtojë çështjet me përparësi gjatë Kryesisë së saj të OSBE-së, në vitin 2020.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb