Shqipëria firmos sot një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ekstradimet. Marrëveshja pritet të firmoset në pallatin e Brigadave nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Në ceremoni merr pjesë dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i SPAK Arben Kraja, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të ambasadës.

Ministrja Gjonaj e cilësoi një ngjarje historike dhe tha se është një sinjal i qartë ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.

“Është një ngjarje historike që shënon një hap të ri bashkëpunimi gjyqësor. Jemi mbledhur për të nënshkruar marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve pas 100 vjetësh nga marrëveshja e parë. Marrëveshja e re zëvendëson traktatin dy palësh të ekstradimit i firmosur nga Faik Konica. Kjo marrëveshje është rezultat i një punë të gjatë dhe një bashkëpunimi shumë të ngushtë. Me marrëveshjen e re realizojmë përditësimin dhe kategorizimin e veprave penale mbi bazën e të cilave kërkohet ekstradimi.

Një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit.
Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.
Akti që formalizojmë sot përmes këtij nënshkrimi, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët”, deklaroi Gjonaj.

Ministrja shtoi se me këtë marrëveshje, jemi shpresëplotë se do i japim shteteve tona një marrëveshje historike.
“Shumë përpjekje janë bërë më parë për të firmosur këtë marrëveshje. Historia na e mundësoi ne kënaqësinë për ta firmosur dhe legjitimuar. Falënderoj SHBA-të dhe ju ambasadore Kim për mbështetjen që i keni dhënë Shqipërisë”, tha Gjonaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb