Skiatori shqiptar Denni Xhepa ka bërë një paraqitje të mirë në garën e sllallomit special në Lojërat Olimpike dimërore “Pekin 2022” që po zhvillohen në Kinë. Pas dy zbritjeve, ai u klasifikua në vendin e 28-të në renditjen përfundimtare, me kohën 1’53”28.

Xhepa bëri një garë të mirë, duke i realizuar me sukses të dyja provat. Në zbritjen e parë, Xhepa u rendit në vendin e 34-t, duke dhënë kohën 58”32. Falë kësaj kohe, skiatori shqiptar arriti të sigurojë një vend mes 44 më të mirëve që avancuan në zbritjen e dytë.

Në zbritjen e dytë, Xhepa dha kohën 54”96, duke u renditur në vendin e 28-të, një rezultat mjaft i mirë për Shqipërinë në këtë Olimpiadë dimërore. Koha e tij ishte +9”19 nga vendi i parë (francezi Clement Noel, medalje ari). Në total, në këtë garë ishin 88 garues.

Kjo ishte gara e dytë dhe e fundit e skiatorit shqiptar në Olimpiadë. Në garën e sllallomit gjigant të zhvilluar pak ditë më parë, ai nuk arriti të japë kohë, pasi u rrëzua dhe u eliminua. Denni Xhepa është përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Olimpiadën dimërore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb