ISHP njofton se janë mbi 23 mijë vizita mjekësore të dyshuara me grip në javën e 6 të vitit, nga 25 mijë vizita që ishte rekordi i një jave më parë.

Por të dhënat e buletinit të fundit të gripit të publikuara me 10 ditë vonesë në faqen zyrtare të ISHP dëshmojnë se gripi i sivjetshëm ka një përhapje më të gjerë se epidemia e gripit në sezonin 2016-2017, me 21 mijë vizita në javë, që çoi asokohe në mbylljen shkollave, kopshteve, dhe çerdheve për disa ditë.

Kush mendon se sezoni gripal është në ikje gabohet. Mjafton të pyesësh fëmijët në shkolla dhe ata të thonë se në çdo klasë ka mungesa të konsiderueshme që shkojnë nga 3 deri në 10 fëmijë të dyshuar me grip.
Fëmijët tregojnë se brenda klasës pak kush ka mbetur imun nga gripi i sivjetshëm që në rastin më të mirë i ka mbajtur larg shkollës 2 deri në 3 ditë.

Ndërkohë sipas Institutit Të Shëndetit Publik Incidenca në javën e 6 të vitit ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me javën e 5-të kur sipas të dhënave të marra nga sistemi ALERT i survejancës Sentinel, Shqipëria ishte në krye të listës së vendeve me intensitet shumë të lartë të gripit njësoj si Greqia, Zvicra dhe Luksemburgu.

Referuar të dhënave të vetë ISHP, marrë nga buletini I gripit, piku I gripit sezonal të këtij viti që përkon me datën 2 shkurt 2020 me mbi 25 mijë vizita në javë është më i lartë se epidemia gripale e shpallur në 3 janar 2017 me mbi 21 mijë vizita në javë. Por Pavarësisht shifrave që flasin qartë këtë vit ministria nuk shpalli situatën epidemike, dhe as I mbylli shkollat si para tre vitesh. Krejt ndryshe vepruan autoritetet homologe greke që për të njëjtën situatë shpallën situatën epidemike në fund të muajit Janar cka u pasua me mbylljen e një numri të konsiderueshëm shkollash në zonat më të prekura nga gripi. Vendimi I autoriteteve në Greqi kishte si qëllim shmangien e grumbullimit të fëmijëve në ambiente të mbyllura çka ndikon negativisht në përhapjen më të shpejt të agjentëve viral nga një fëmijë tek tjetri.
Ndërkohë Greqia ka raportuar 53 viktima që nga dhjetori I 2019 e në vijim shkaktuar nga gripi sezonal ndërsa në Shqipëri ku popullata është sa 1 e katërta e popullatës së Greqisë ka vetëm një rast të pranuar nga ministria e shëndetësisë edhe ai pasi u zbulua nga media.
Ajo që të habit është fakti se të dhënat e fundit mbi situatën e gripit në vend të publikuara nga ISHP në faqen zyrtare të saj I takojnë 10 ditëve më parë dhe nuk tregojnë realitetin faktit të sëmundjes, ndryshe nga sa raportojnë institucionet homologe të saj në Greqi, Itali dhe Kosovë, ku përditësimi I të dhënave të gripit bëhet thuajse çdo ditë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: