Ish-kryeministri dhe presidenti shqiptar, Sali Berisha, me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, ka zhvilluar homazhe në bustin e tij.

Në një prononcim për mediat, Berisha është shprehur se Partia Demokratike ndodhet në një gjendje kritike. Ai e cilëson vendimin e Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, si poshtërim të paparë për historinë e PD.

“Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj, në fakt po kështu edhe Partia Demokratike. Ndaj është në nderin dhe detyrën e demokratëve, kudo në Shqipëri, që të ngrihen, të ngrenë kokën lart. Trashëgimia e tyre e shkëlqyer u jep nder dhe frymëzim në çdo kohë.
Një poshtërim i pa dëgjuar dhe paparë ndonjëherë në historinë e partisë së lirisë ka ndodhur dhe jam i sigurt se anëtarët, mbështetësit, drejtuesit e të gjitha niveleve të PD, do të dinë të hedhin në koshin e plehrave, vendimin antistatutor, antiligjor, antidemokratik, të atij që sot është në krye të PD, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal.
Merreni këtu, këtë prani sot, si zotim para tribunit legjendar, që ne, PD do ta ngremë në piedestalin që e meriton, që demokratët dhe demokratet nuk ka forcë në botë që ti mposhtë ata. Do ngrihen dhe do ecin të sigurt, më të bashkuar se kurrë, për të përmbysur regjimin e drogës, të vjedhjes dhe të pazareve”, tha Berisha.

Të pranishëm ishin mbështetës të Sali Berishës, por edhe djali i Azem Hajdarit.

Kujtojmë që paraditen e sotme, kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në bustin e Hajdarit. Ai shoqërohej nga drejtues të Partisë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb