Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar sot, në orën 13:00, në sallën e Muzeut Kombëtar, albumin fotografik për “Euro 2016”. Albumi do të jetë një promocion dhe ekspozitë e hapur për publikun, e cila do të shërbejë për tri ditë, ku dashamirës të futbollit do të kenë mundësi të shikojnë nga afër një galeri të përzgjedhur fotografish, shoqëruar me fanellat e kombëtares dhe copëza videoje nga momentet magjike të eventit më të madh që kemi marrë pjesë si shtet ne arenën europiane.

Në ambientet e Muzeut Kombëtar prezent kanë qenë edhe ish-futbollistë të kombëtares, trajnerë, njerëz të futbollit, media dhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë dëshiruar të shikonin nga afër ceremoninë.

Gjatë eventit kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit është shprehur: “Është një kënaqësi e madhe sot për mua të jem në këtë promovim të albumit fotografik të “Euro 2016”. Produkt cilësor i FSHF-së, një detyrim ndaj ekipit dhe sportdashësve. Promovim që mban gjallë kujtesën dhe na jep entuziasëm për të vazhduar në të njëjtat gjurmë. Sot të gjithë iu gëzohen arritjeve të kombëtares, por s’duhet harruar nga kemi nisur. Puna e madhe e një stafi, strategji shumëvjeçare, zbulimi i lojtarëve shqiptarë anembanë botës, përzgjedhja e stafeve teknike, krijimi i kushteve optimale, frymës miqësore në grup etj. FSHF do të vazhdojë të ruajë standartin e lartë, siç e meriton futbolli shqiptar”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb