Festat e Krishtlindjeve nuk festohen në të gjitha vendet e botës, por përveç që nuk festohen, ato kohë më parë ishin të ndaluara nga disa vende.
Së fundmi, është Somalia ajo që ka ndaluar festat e të krishterëve, transmeton Koha.net.

“Metro” raporton për tetë vendet në botë që kanë ndaluar krishterimin gjatë historisë, ndër to është edhe Shqipëria, që një gjë të tillë e kishte bërë në vitin 1967, e që madje ka hyrë në histori si vendi i parë i shpallur zyrtarisht ateist.

Arabia Saudite

Si një vend që njihet për rregullat rigoroze në fenë islame, nuk është edhe aq befasuese që festat e të krishterëve nuk inkurajohen të mbahen.

Në vitin 2015, Qeveria e këtij vendi ka ritheksuar qëndrimin e saj anti-krishterë, përmes gazetës Arab News, kur kishte lejuar punëtorët jo-myslimanë të festojnë Krishtlindjet brenda ndërtesës.

Sheikh Mohammed Al-Oraifi, dijetar saudit, ka thënë se “myslimanët nuk lejohen të festojnë dhe të përkrahin festat e të tjerëve”. Sipas tij, në rast se e bëni këtë, atëherë e predikoni besimin e tyre.

“Nëse ata e festojnë lindjen e të birit të Zotit dhe ju i mbështetni, do të thotë se ju e predikoni besimin e tyre”, thuhet në shkrimin e kësaj gazete.

Anglia

Ndërmjet viteve 1647-1660, kur një lëvizje puritane e udhëhequr nga Oliver Cromwell u vendos në Angli, festat e shenjta ishin dekurajuese. Krishtlindjet në veçanti konsideroheshin si ditë “që i jep liri trupit dhe kënaqësisë seksuale”.

Dyqanet duhej të mbeteshin të hapura dhe për shkak të ndalimit kishte pasur përleshje të mëdha në këtë vend gjatë këtyre festave.

Koreja Veriore

Ky vend është mjaft armiqësor ndaj festimit të Krishtlindjeve. Aq shumë saqë ka qenë shumë afër që të hyjë në luftë me Korenë Jugore, për shkak se ata kishin dashur të ndërtojnë një bredh rreth 10 metra të lartë afër kufirit.

Koreja e Veriut nuk ishte e lumtur, duke e quajtur atë një mjet të luftës psikologjike dhe duke kërcënuar se do të përdor artileri.

“[Kulla] nuk është vetëm një mjet për ngjarjet fetare, por një simbol i dallaveres për të rënduar konfrontimin për përshkallëzimin tensioneve”, kishte shkruar media shtetërore e Koresë së Veriut.

Koreja e Jugut përfundimisht hoqi dorë nga ndërtimi i tij.

Taxhikistani

Në vitin 2013 kishte ndaluar të shfaqet në TV një version të Babadimrit. Ndërsa këtë vit, vendi ka ndaluar edhe bredhin e Krishtlindjeve dhe dhënien e dhuratave fëmijëve në shkolla.

Ministria e Arsimit në këtë vend gjithashtu ka lëshuar një dekret përmes së cilit ndalon “përdorimin e fishekzjarrëve, ushqimet festive, dhënien e dhuratave si dhe ngritjen e fondeve për festat e Vitit të Ri”.

Brunei

Ky është vendi i tretë që gjatë këtij viti ka ndaluar festimin e Krishtlindjeve. Sulltani i Bruneit ka thënë se shtetasit e vendit të tij mund të dënohen deri në pesë vjet burgim në rast se festojnë Krishtlindjet.

Jomyslimanët janë të lejuar që të festojnë këtë festë në komunitetet e tyre, por nuk lejohen që të ndajnë planet e tyre me myslimanët e vendit, që përbëjnë 65 për qind të popullsisë.

Në një deklaratë, Ministria e Çështjeve Fetare të këtij vendi ka thënë se ata besojnë se mund të kërcënohet feja myslimane në vend.

“Këto masa kanë për qëllim që të kontrollojnë festimin e Krishtlindjeve dhe haptazi mund të dëmtojnë komunitetin mysliman”.

Shqipëria

Fakt interesant është se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. Shqipëria kishte ndaluar krishterimin si religjion në vitin 1967, që nënkuptonte se nuk mund të festoheshin Krishtlindjet.

Ishte konstituuar Ligji për dënim me burgim nga tre deri në dhjetë vjet për “propagandë fetare dhe prodhimin e saj, shpërndarjen ose ruajtjen e letërsisë fetare”.

Kjo ishte deri me rënien e regjimit komunist, në vitin 1990, kur janë lejuar që njerëzit të predikojnë ritet e tyre fetare.

SHBA

Për herë të parë ndalimi i festës së Krishtlindjeve kishte ndodhur në vitin 1620, kur pelegrinët e krishterë që kishin shkuar në Amerikë ishin detyruar që në ditën e Krishtlindjeve të punojnë.

Ndërsa për vitet 1659-1681 Gjykata e Përgjithshme në Massachusetts kishte ndaluar festimin e Krishtlindjeve, dhe në rast se kapej dikush duke festuar, dënohej.

Krishtlindjet ishin bërë legale në vitin 1840.

Kina

Që kur Partia Komuniste kishte ardhur në pushtet në vitin 1949 dhe kishte ndodhur ristrukturimi i religjionit, Krishtlindjet ishin një subjekt kontrovers.

Në këtë vend mund të shohësh mënyra të ndryshme të festimit komercial, si në Pekin, apo në dyqanet e mëdha të këtij vendi. Megjithatë ka pasur ndalesa në festimin e tyre në shkolla dhe në Universitete.

Kjo ishte bërë për shkak të parandalimit të rritjes së kulturës perëndimore në vend.

“Nuk duam të ndalojmë festivalet e perëndimit, por shpresojmë që të balancojmë këto festa në shkolla. Studentët mund të mësojnë për festivalet perëndimore, por nuk duhet të jenë shumë të entuziazmuar për to”, ka thënë një zyrtar i edukimit nga provinca Zhejiang për “Global Time”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: