Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me raportin e “Wold Justice Project për Treguesin e Shtetit Ligjor”, ku Shqipëria renditet në vendin e 87-të, një vend më poshtë se Gambia.

Sipas Berishës, Shqipëria renditet edhe më poshtë se Kosova, ndërsa shtoi se zgjidhja është revolucioni demokratik.

REAGIMI I BERISHS
Të bëjmë Shqipërinë si Kosova!
*Vietnami, Shqipëria, Kosova!
*Treguesi i Shtetit Ligjor!
*Shqipëria një rekord tjetër i zi!
*Kosova një rekord tjetër krenar!
*Treguesi i shtetit ligjor!
Shqipëria, sipas “Wold Justice Project për Treguesin e Shtetit Ligjor”, renditet në vendin e 87-të, apo 4 vende nën Vietnamin komunist dhe një vend më poshtë se Gambia.
Vietnami është diktaturë komuniste, pra të gjitha pushtetet i ka Partia Komuniste e cila bazuar në doktrinën Marksiste-Leniniste dhe jo votën e qytetarëve, ka rolin e saj rolin udhëheqës të garantuar me ligje. Në Vietnam zgjedhjet bëhen, por janë fiktive. Pra, në Vietnam kemi të bëjmë me diktaturë ideologjike.
Në Shqipëri, e cila për “Treguesin e Shtetit Ligjor” renditet katër shkallë apo katër vende më poshtë se Vietnami, të gjitha pushtetet i ka Partia Socialiste e cila bazohet në vjedhjen, krimin dhe drogën.
Në Shqipëri, njesoj si në Vietnam, zgjedhjet janë fiktive sepse votën Edi Rama e plaçkit dhe e dhunon me patronazhistët, bandat e krimit dhe narko-eurot. Pra në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me diktaturë ideologjike por kemi të bëjmë me sundim njëpartiak të bazuar në drogën dhe krimin, pra me narko-diktaturë. Me të drejtë lind pyetja: Po si ka mundësi që Vietnami i diktaturës komuniste qëndron katër shkallë më lartë për “Treguesin e Shtetit Ligjor” se Shqipëria e Narkodiktaturës të Edi Ramës?!
Shpjegimi është vetëm një!
Reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri që i këputi kolonën vertebrale shtetit shqiptare dhe i’u mohoi shqiptarëve të drejtën e një procesi të rregullt ligjor.
Edhe në Vietnam sigurisht drejtësia kontrollohet nga partia, por aty vendimet jepen brenda afateve ligjore të pranueshme. Kurse në Shqipërinë, Republikën e George Soros, qytetarit për të marrë vendimin në gjyq i duhet të prese edhe 10 apo 15 vite, ose të paguajë rryshfet “Dvoranëve” të drejtësisë për të afruar shqyrtimin e çështjes në gjyq.
Kosova qëndron 53 shkallë mbi Shqipërinë sepse në Kosovë bëhen zgjedhje të lira e të rregullta. Ajo nuk është Republikë George Soros dhe narko-diktaturë si Shqipëria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk u shkatërrua nga Reforma e George Soros. Revolucioni Demokratik është vendimtar për të bërë Shqipërinë si Kosova dhe për ta shpëtuar atë. sb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb