TIRANE – Në bazë të parashikimit të Qendrës Europiane të Përmbytjeve me qendër në Slovaki dhe të konfirmuar nga Instituti i Gjeoshkences, rezulton se nga mëngjesi i datës 5.03.2015 deri në datë 6.03.2015 pritet të ketë reshje të dendura shiu mbi vendin tonë. Sasia më e madhe e reshjeve parashikohet të regjistrohet në intervalin kohor 12:00 – 18:00 të datës 5 mars. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Rendit.

Sipas këtij parashikimi intensiteti më i lartë i reshjeve pritet në pjesën Veriperëndimore të vendit, ku në qytetin e Shkodrës parashikohet që sasia e reshjeve të jetë rreth 80 mm për 24 orë. Do të ketë shtrëngata shiu dhe breshëri të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Po ashtu do të ketë reshje bore në pjesën e dytë të ditës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit në pjesën Verilindore të vendit dhe kryesisht në zonën e Alpeve.

Kjo situatë do të shoqërohet me erë të vrullshme ku herë pas herë do të fitojë intensitet deri në 25m/sek kryesisht në zonat bregdetare ku do të shoqrohet me valëzim të forcës 7 dhe 8 në det të hapur me lartësi vale deri në 7 m.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka marrë masat e duhura për të vënë në gadishmëri të gjitha strukturat rajonale dhe lokale si dhe kompanitë që kane akses në menaxhimin e kaskadave të hidrocentraleve, me qëllim parandalimin e fatkeqësive.

Janë njoftuar prefektët në të gjitha qarqet e vendit që të mbajnë në gadishmëri shtabet e emergjencave civile, të sigurojnë gadishmërinë e kapaciteteve njerëzore dhe teknike si dhe të marrin masa mbrojtëse për objektet dhe banesat në afersi të lumenjve dhe vendeve të tjera me rrezikshmeri te lartë përmbytje.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb