Shqipëria përkujtoi sot 72-vjetorin e dhënies fund të Holokaustit nazist ‪më 27 Janar 1945.‬ Nën kujdesin e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Bashkinë e Tiranës, ministria e Punëve të Jashtme organizoi sot disa aktivitete me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Për të nderuar të gjithë ata qytetarë shqiptarë që rrezikuan jetën e tyre në shpëtimin e hebrenjve, MPJ në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe Ambasadën e Izraelit në Tiranë, përuruan lulishten “Të Drejtët midis Kombeve”. 75 familje shqiptare janë renditur mes “Të drejtëve midis Kombeve” në Qendrën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Ministri Bushati dhe ambasadori i Izraelit në Tiranë, gjatë inaugurimit të parkut, vunë në dukje gjestin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjate ditëve të errëta të Luftës së II-të Botërore.16196079_1165535346893579_619843792372823739_n
Në këtë aktivitet morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.
Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ministri Bushati vuri theksin në rëndësinë e memories historike të një prej ngjarjeve më të errëta të njerëzimit, si mënyra më e mirë për të parandaluar kudo dha nga cilido, cënimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, ai shprehu vlerësimin e tij për të gjitha ato familje shqiptare që pavarësisht rrezikut maksimal, dëshmuan botës vlerat më të mira shqiptare, duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë luftës.
Në vijim, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës u organizua konferenca me temë “Ne përkujtojmë: Promovimi i të Drejtave të Njeriut përmes lenteve të Holokaustit dhe Kujtesës”.Muzeu Historik Kombëtar‬ i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre.
Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‎Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit‬ në nderim të viktimave ‪të Holokaustit‬.
Kjo ditë përkujton miliona viktimat e politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.

15822710_1365609443501825_2164110212964274663_n-249x200
Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom.

Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 72 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪‎

Roli i Shqipërisë‬ për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qëndrore./ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb