Shqipëria i dërgon notë proteste qeverisë britanike për gjuhën e ministrit britanik të emigracionit ndaj shqiptarëve.

Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Të dyja vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, deklaron MEPJ.

Ministri britanik për emigracionin Robert Jenrick përdori një gjuhë të papranueshme për shqiptarët, në një video të publikuar në rrjetet sociale.

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, thotë ministri në një video.

Pas këtyre deklaratave reagoi ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka e cila u shpreh e tronditur nga gjuha e përdorur kundër shqiptarëve.

“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.

Ky nuk është ‘incidenti’ i parë për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë. Më herët ishte ministrja e Brendshme Suella Braverman e cila i quajti shqiptarët pushtues dhe kjo solli një reagim të kryeministrit Edi Rama si dhe një protestë të shqiptarëve në Londër.

Tirana zyrtare dënoi ashpër deklaratën e fundit nga qeveria britanike dhe thirri ambasadorin Alastair King-Smith, i cili paraditen e kësaj të hëne ka mbërritur në ambientet e Ministrisë Jashtme, ku do i komunikohet dhe nota e protestës nga zyrtarët e kësaj ministrie.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb