TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një mesazh tjetër sot, ku ka folur për vendimin e ministrave të BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë por edhe për situatën nga koronavirusi. Rama deklaroi se dera e BE u hap por se rruga vazhdon dhe puna për t’u bërë është ende e madhe.

Shefi i qeverisë theksoi se nuk do të bënim festë dhe sikur kjo ‘Po’ e shumëpritur dhe plotësisht e merituar prej disa kohësh të na gjente në kohë paqeje. “Sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga ky armik i padukshëm. Sot un jetoj çdo ditë për atë ditë. Atë ditë çlirimi kur t’ia kemi dalë. E dua atë ditë si një ditë lotësh, dhimbjesh për ata që nuk i mbijetuan dot dhe pastaj lot gëzimi për shpëtimin e mijëra jetëve për solidaritetin e madh”, deklaroi Rama.

MESAZHI 
“Mirëdita, mirëdita! Sot Shqipëria mori viston për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Më në fund! Më në fund se për atë Zot u bëmë bajat, shty e shty e sajo lloj-lloj vicklash. Po! Ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona dhe dhe megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kollaj kurrë për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë. As betejën me virusin e vjetër të organizmin tonë shtetëror që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma modernizuese e me durim, as betejën me virusin arkaik të paragjykimeve të të huajve karshi nesh që do ta asgjësojmë pak e nga pak me të vërtetat tona e me durim, as luftën me këtë virusin e ri që po i bën zbor gjithë botës që do ta zmbrapsim me forcën e rezistencës sonë e me durim të shumëfishuar.

Po-ja në bllok nga 27 shtete anëtare, dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së BE-së u hap më në fund, me një kohë të mallkuar kur dyert e gjitha shtëpive tona janë të mbyllura dhe në shtëpitë tona nuk presim dot askënd. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj mu në mes të një lufte botërore që askush nu ke di akoma kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur edhe pse i vonuar jo për shkakun tonë. Sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë duke punuar dhe duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qëkur e merituam.

Po njësoj do vazhdojmë dhe po njësoj do i bëjmë të gjitha detyrat e kësaj shtëpie. Jo se na e kërkojnë ata që thanë sot më në fund Po, por se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që iu kemi fëmijëve tanë. Ne nuk do ndalemi në plotësimin e çdo detyre, deri sa të hyjmë dhe të ulemi në dhomën e madhe të ndenjjes në shtëpinë e BE-së ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të mbarë Europës dhe ku më në fund eshtrat e rilindësve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e dëshmorëve të Europës. Ku më në fund do të valëvitet i barabartë mes të barabartësh edhe flamuri i mrekullueshëm kuq e zi i Gjergj Kastriotit por deri atje rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë dhe puna për t’u bërë është ende e madhe.

Nuk do të bënim festë dhe sikur kjo ‘Po’ e shumëpritur dhe plotësisht e merituar prej disa kohësh të na gjente në kohë paqeje. Por sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga ky armik i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht.

Sot un jetoj çdo ditë për atë ditë. Atë ditë të madhe çlirimi kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte duke ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjes e saj të mëdha falë rezistencës së saj popullore. E dua atë ditë si një ditë lotësh, dhimbjeje për ata që nuk i mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe pastaj edhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra jetëve falë solidaritetit të madh e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare që i vuri kufirin tek thana armikut. E dua atë ditë si një ditë të madhe vetëdije kombëtare e qytetare për forcën dhe për mirësinë e shpirtit shqiptar që po sprovohet fortë në këtë luftë e cila jam përditë e më i bindur do të na sforcojë por do na bëjë më të mirë si njerëz por edhe si vend.

Binduni për këtë bashkë me mua dhe kini besim e bëni durim motra e vëllezër. Ndërkohë të shohim bashkërisht në këtë të përditshme të hatashme jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë por edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë. Dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj pa dallim feje, krahine, ideje apo statusi social. Jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe për sa kohë do të kemi frymë dhe nuk kemi si të jemi tjetër përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare që sot kur jemi të ndaluar të jetojmë siç jemi mësuar përditë na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë dhe se sa kot qahemi në të përditshmen tonë. Le të shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njeri-tjetrit dhe se sa shumë kohë na marrin kotësirat në jetën e përditshme”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: