TIRANE- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla nënshkroi sot me qeverinë italiane, kontratën që mundëson ndërtimin për herë të parë në vendin tonë të rrjetit kombëtar të arsimit dhe kërkimit. Kjo kontratë është pjesë e projektit ambicioz mes dy qeverive tona që ka për qëllim të lidhi Shqipërinë me rrjetet e tjera të kërkimit dhe edukimit simotra në evropë, duke e bërë atë pjesë të rrjetit paneuropian të kërkimit dhe arsimit GEANT.

Ky rrjet do t’u sigurojë universiteteve tona shërbim të shpejtë dhe të sigurtë të rrjetit telematik dhe do të bëjë të mundur që nga ky shërbim të kenë akses jo vetëm pedagogë dhe studentë, por dhe më gjerë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, duke vlerësuar dhe falenderuar qeverinë italiane si një vend mik dhe mbështetës ndaj projekteve arsimore në vendit tonë, por nga ana tjetër duke folur edhe për rëndësinë që vendi ynë ka për të qenë pjesë e rrjeteve të avancuar evropiane në fushën e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, ministrja Nikolla u shpreh, se: “Qeveria italiane është një vend mik që ka investuar për Shqipërinë, e veçanërisht për arsimin. Ky është një projekt ambicioz, që po vijon me një intensitet të ri për të mundësuar që edhe Shqipëria të jetë pjesë paneuropiane e edukimit me rrjetet simotra të hapësirës evropiane të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, duke qënë pjesë e një rrjeti të fuqishëm siç është ai GEANT.”

“Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj kontrate, më lejoni të shpreh edhe përgjegjësinë e palës shqiptare për të mundësuar në kohë arritjen e objektivave që ky projekt i rëndësishëm i qeverisë italiane ka për Shqipërinë pasi jemi të bindur që aderimi i mëtejshëm do të sigurojë për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencor një mundësi krejtësisht të re për të mundësuar efiçencë, duke përfituar nga përvojat më të mira të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor evropiane”- u shpreh ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Nga ana e tij, ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, duke falënderuar znj. ministre për angazhimin e saj në promovimin dhe mbështetjen e këtij projekti kaq të rëndësishëm për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në vend u shpreh, se: “Financimi prej 3,6 milion euro i qeverisë italiane për realizimin e projektit telematik ndëruniversitar tregon për rëndësinë që ky projekt ka për palën italiane. Mbetet padyshim shumë i rëndësishëm roli shtytës, impulset dhe mbështetja që do të japi japi Ministria juaj, znj. ministre, në realizmin e këtij projekti që për ne ka një rëndësi të veçant, si për arsimin e lartë në Shqipëri dhe universitetet shqiptare që shpresojmë që do të marrin pjesë në këtë rrjetë gjithnjë e më të shumta.”

Për ndërtimin e kësaj Qendre dhe rrjetit akademik shqiptar është ndërthurur eksperieca më e mirë nga Italia fqinje e dy konsorciumeve më të mëdha të botës universitare italiane Cineca dhe GARR. Financimi i këtij projekti, është pjesë e një investimi shumë vjeçar prej 3,6 milion euro dhuratë e qeverisë italiane dhe 900 mijë euro investime të qeverisë shqiptare. Ndërtimi i rrjetit telematik universitar mendohet të përfundojë brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: