Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sonte ndaj Lihtenshtejnit në orën 20:45. Kjo ndeshje do të luhet në Lihtenshtajn në qytetin Vaduz.

Ndërsa një pjesë e mirë e tifozëve kosovarë ndodhen në Shkodër për të mbështetur ekipin e tyre ndaj Kroacisë, ka edhe nga ata që kanë udhëtuar drejt Lihtenshtejnit.

Grupi i tifozëve më të famshëm i Prishtinës, “Plisat” kanë krijuar një atmosferë shumë të bukur në kryeqytetin e Lihtenshtejnit, në Vaduz ku kanë ngritur flamurin kuqezi me mbishkrimin e tifo-grupit të tyre.

Pritet që atmosfera sot të jetë e zjarrtë në stadiumin “Rheinpark Stadion”, teksa do të ketë një numër të madh tifozësh që kanë udhëtuar për të mbështetur djemtë e Kombëtares.

Xhani De Biazi ka vendosur që të përdorë një formacion ofensiv në ndeshjen kundër Lihtenshtejnit, duke ditur edhe presionin që ka kjo ndeshje për t’u fituar nga ana e Shqipërisë.

Prej futbollistëve që janë të padiskutueshëm nga minuta e parë në të dyja takimet, si në mbrëmjen e sotme, ashtu edhe kundër Spanjës, do jenë Etrit Berisha në portë, Elseid Hysaj në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Mavraj me Gjimshitin në qendër. Ndërkohë, Naser Aliji do jetë në të majtë ndaj rivalëve të sotëm, duke bërë të mundur që Ansi Agolli të kursejë energjitë për sfidën e fundjavës, ndaj iberikëve, shkruan Panorama Sport.

Në mesfushë do jetë dyshja Kukeli-­Abrashi, me Ledian Memushajn, Ergys Kaçen dhe Taulant Xhakën në stol. Ndërsa, para tyre do jetë një treshe ofensive, me Odise Roshin në të djathtë, Jahmir Hykën në qendër dhe Azdren Llullakun në të majtë.

Formacioni, Shqiperia

Ky i fundit, që aktivizohet në Rumani me ekipin e Gaz Metan, do numërojë edhe ndeshjen e parë me përfaqësuesen tonë, ndonëse ishte grumbulluar edhe në të shkuarën. Të tre lojtarët e avancuar në mesfushë do jenë në mbështetje të shtatlartit Bekim Balaj, që ka treguar një formë të mirë në Rusi me Terek Groznin.

Ai zuri vendin e Armando Sadikut në formacion, pasi ky i fundit pësoi një dëmtim dhe u detyrua të operohet. Skuadra pritet të ushtrojë një presion të vazhdueshëm në sulm dhe për këtë arsye tekniku italian është munduar që të luajë me futbollistët që kanë formën më të mirë fizike. Ndërkohë, kundër Spanjës, ditën e diel, pritet që të ketë të tjera ndryshime, si në emra, ashtu edhe në modul.
Formacioni Shqiperia 2

GJYQTARËT
Ditën e djeshme, UEFA ka përcaktuar edhe trupat e gjyqtarëve që do të vendosin drejtësi në ndeshjet e radhës kualifikuese. Për takimin midis Lihtenshteinit dhe Shqipërisë, është përcaktuar një katërshe gjyqtarësh nga Hungaria. Tamas Bonjar do të jetë kryesori i takimit të radhës për kuqezinjtë.

Asistentë të tij do të jenë Vensel Toth dhe Zsolt Varga, ndërkohë që arbitër i katërt do të jetë Ferenc Karako.

BASTET, SHQIPËRIA FAVORITE
Ndërkaq nga kompanitë e basteve Shqipëria kuotohet favorite absolute. Sipas kompanive të basteve, kuqezinjtë do të jenë ekipi që pritet të dominojë këtë 90­-minutësh përballë Lihtenshtejnit. 1.25
kuotohet fitorja në transfertë e Shqipërisë, kurse koeficienti për fitoren e Lihtenshtejnit është 17.

Kompanitë e basteve e kanë kuotuar me 6.5 mundësinë që kjo sfidë të përfundojë në barazim. Sipas parashikimeve nga bastet, kjo ndeshje pritet që të sjellë një fitore të pastër të Shqipërisë, megjithatë kjo mbetet për t’u provuar në fushën e lojës, shkruan Panorama Sport.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb