TIRANË

Analisti Arian Vasjari e shikon si një faktor për përkeqësimin e Shqipërisë në lirinë e medias sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij” edhe Edi Rama Televizion.

Vasjari tha në “Real Story” në News24 se kryeministri Edi Rama ka një lloj egocentrizmi që e kalon dhe bonsensin dhe të pranueshmen. Sipas tij, zoti Rama bën edhe politikën, bën dhe lajmin dhe transmetimin e lajmit dhe ky egocentrizëm nuk mund të konsiderohet si një standard pozitiv i medias.

“Një nga kritikat e reporterëve pa kufij është ligji për shpifjen. A duhet të kalojë apo jo? Kjo është një çështje konkrete. Askush nuk duhet të mohojë që zoti Rama ka një lloj egocentrizmi që e kalon dhe bonsensin dhe të pranueshmen. Zoti Rama është një rast unikal që ka një televizion të tij, një televizion personal. Nëse dikush mund të më thotë se është një e drejtë e tij, është një e drejtë e tij. Por funksionari në republikë ka një koeficient demokraciteti të caktuar nuk i shfrytëzon disa liri të tija. Sepse ka në një masë të madhe pushtetin. Nuk mund të thuash që ERTV është një invecion që duhet të çmendet gjithë bota. Nuk është problemi vetëm i një stacioni, problemi është se zoti Rama bën edhe politikën, bën dhe lajmin dhe transmetimin e lajmit. Ky egocentrizëm nuk mund të konsiderohet si një standard pozitiv i medias. Etika institucionale nuk ia lejon që ta bëjë një gjë të tillë. Kjo vizatohet si një përpjekje për ta koncentruar lajmin vetëm tek goja e kryeministrit. Reporterët pa kufij e evidentojnë si një problem. Këtu nuk jemi duke diskutuar se na rrezikohet pluralizmi mediatik. Këtu bëhet fjalë për cilësinë. Edhe sot hasemi në fenomene që nuk duhet të ekzistonin. Sigurisht ka progres në disa gjëra por ka edhe regres”, deklaroi Vasjari.

Ai tha se Shqipëria është renditur edhe poshtë Kosovës, një shtet i ri dhe se ka humbur në 2 vite 9 vende në renditjen e “Reporterëve pa Kufij”. Vasjari thotë se në Shqipëri nuk rrezikohet liria e fjalës por cilësia e lirisë së mediave.

“Ne jemi poshtë Kosovës, poshtë një shteti i cili është infantil por ka një standard për median goxha më i mirë se i yni. Në qoftë se ti nga fillimi deri në fund thua që duhet të ecim mbi standardet, le të merremi me standardet. Në harkun kohor të dy viteve kemi humbur 9 vende. Këtu nuk rrezikohet liria e fjalës, por Shqipërisë i rrezikohet kualiteti i lirisë së mediave”, deklaroi Vasjari.

Gazetari Arion Sulo thotë se tani kemi të bëjmë me një fushatë elektorale permanente.

“Nuk është se kryeministri nuk shkel ndonjë ligj me ERTV. Për kufizimet gazetareske, janë të shkelura plotësisht. Një pjesë e aktiviteteve transmetohen vetëm në ERTV dhe nuk lejohen kamerat e televizioneve të tjera. Pra duhet ta marrësh nga ERTV. Nuk ka ndryshim nga kasetat. Në qoftë se atje jemi në 30 ditë fushatë elektorale dhe ajo është e papranueshme kurse tani kemi të bëjmë me një fushatë elektorale permanente. Nuk kemi mundësinë të kërkojmë vërtetësinë, kemi vetëm rolin e gypit përcjellës”, shprehet Peza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb