Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir meta ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga BE për rikthimin e Shqipërisë në listën e vendeve të cilat do të jenë në monitorim për çështjet fiskale.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se arsyeja e një vendimi të tillë është përpjekja e kryeministrit Rama për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet “Amnistisë Fiskale”.

Kreu i PL ka shtuar se vetëm largimi i Edi Ramës e rikthen ekonominë në shinat e ligjit dhe sjell investime të huaja.

Postimi i plotë:
Vendimi i Bashkimit Europian për të rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve në monitorim për çështje fiskale është një tjetër goditje shumë e rëndë për Edi Ramën dhe Qeverinë e tij të korruptuar, të aferave dhe skandaleve të panumërta financiare.
Ndërkohë që Shqipëria ndodhet prej disa vitesh në listën e vendeve nën monitorim për pastrimin e parave, tashmë përfshihemi dhe në listen e vendeve me regjim të dyshimtë fiskal.
Edi Rama e ka zhytur vendin në paligjshmëri totale duke e shndërruar Shqipërinë në parajsën fiskale të krimit të organizuar vendas e ndërkombëtar nëpërmjet miratimit të një sërë ligjeve që kanë vetëm për qëllim futjen e parasë së pisët në çdo sektor të ekonomisë.
Edhe tentativa skandaloze e Edi Ramës për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet “Amnistisë Fiskale” është një nga arsyet kryesore të këtij vendimi të BE, që dekurajon rëndë afrimin e investimeve të huaja serioze në Shqipëri.
Në dhjetë vite, Kryeministri në largim dështoi totalisht në konsolidimin e një administrate tatimore moderne dhe minoi me qëllim përpjekjet kundër krimit dhe korrupsionit duke dobësuar efikasitetin e mekanizmave shtetërore, që luftojnë paranë e pisët.
Vetëm largimi i Edi Ramës e rikthen ekonominë në shinat e ligjit dhe sjell investime të huaja dhe vendase serioze duke siguruar kështu një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, që prodhon mirëqenie për qytetarët dhe ndalon shpopullimin dramatik!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb