Në emër të Qeverisë Shqiptare, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ervin Mete prezantoi sot në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në Gjenevë arritjet dhe reformat ekonomike e tregtare për periudhën 2010-2015.

Në një njoftim për mediat të mërkurën nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, thuhet se “Raporti i Qeverisë Shqiptare dhe zhvillimet në Shqipëri u konsideruan të suksesshme dhe në drejtimin e duhur për rritjen ekonomike të qëndrueshme të vendit. Anëtarët e OBT-së, ndër të cilët Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Turqia, Kina, Brazili, Mali i Zi, Moldavia etj, vlerësuan reformat e ndërmarra për rimëkëmbjen ekonomike, investimet e huaja, investimet në infrastrukturë, lehtësirat tregtare dhe doganore etj”.

“Vendet anëtare përgëzuan Shqipërinë për qasjen e re të konsultimit me biznesin duke inkurajuar konsolidim të mëtejshëm në këtë bashkëpunim. Anëtarësimi në BE u vlerësua si një nga shtysat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe tregtar. Shqipëria mori gjithashtu mbështetjen dhe përgëzimet e të gjitha vendeve anëtare për vijimin e konsolidimit ekononomik të vendit.Shqipëria është anëtare në OBT që prej 8 shtatorit të vitit 2000, duke luajtur një rol aktiv në negociatat që zhvillohen në nivel komitetesh, grupe pune etj”, thuhet në njoftim.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: