Shqipëria është ‘pushtuar’ orët e fundit nga dëbora dhe acari teksa qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar nëpër akset kryesore të vendit.

Reshjet e dëborës filluan intensivisht në thuajse gjithë territorin në orët e vona të pasdites, teksa janë shoqëruar edhe me temperatura të ulëta që kanë sjellë ngrica.

Si pasojë disa akse kryesore të vendit kanë probleme, ndërsa i bllokuar vijon të mbetet momentalisht vetëm ai Milot-Lezhë-Shkodër. Kurse në juglindje e verilindje në akset kryesore kalohet vetëm me zinxhirë, pasi Policia nuk lejon të kalohet ndryshe.

Bllokime ka pasur në akset Milot-Balldre, ku është proceduar dhe kompania kontraktore për mosmarrje masash në kohë, si dhe radhë të gjata ka pasur në Prrenjas-Librazhd apo Elbasan-Librazhd.

 

LISTA ME 11 AKSET PROBLEMATIKE NGA POLICIA

1. Aksi rrugor Milot – Lezhë – Shkodër vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të erës së fortë që po fryn dhe të një kamioni me targa të Malit të Zi që është spostuar për shkak të akullit dhe erës së fortë.
Po punohet per kthimin e mjeteve në akse alternative dhe dhënien e ndihmës drejtuesve të mjeteve.
2. Aksi rrugor Milot – Kukës – Morinë është i kalueshëm, por me prezencë të shtresave të akullit, për shkak të temperaturave mjaft të ulëta (poshtë -12 gradë).
Nga koncensionari vazhdon shpërndarja e kripës dhe pastrimi i karrexhatës prej dëborës dhe akullit.
3. Aksi rrugor Elbasan – Librazhd është i kalueshëm me zinxhirë.
Aksi Elbasan – Pogradec është i kalueshëm dhe i hapur vetëm për mjete autovetura me zinxhirë dhe me goma dimërore;
4. Aksi rrugor Korçë – Pogradec është i kalueshëm me zinxhirë.
5. Aksi rrugor Korçë – Devoll dhe Korçë- Ersekë të kalueshëm vetëm me zinxhirë.
Në këto segmentet ka stuhi dëbore dhe temperatura mjaft të ulëta.Është pezulluar kalimi i mjeteve kamionë dhe autobuzë.
6. Akset rrugore të qarkut Vlorë dhe Fier janë të kalueshme pa probleme;
7. Aksi rrugor Burrel – Bulqizë – Dibër është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë vetëm për mjetet autovetura.
8. Aksi rrugor Peshkopi – Kukës është me prezencë të madhe dëbore dhe i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
9. Akset rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Muriqan janë të hapura dhe të kalueshme.
10. Aksi rrugor Vau i Dejës – Pukë është i hapur.
11. Akset rrugore të Qarkut Gjirokaster të kalueshme pa probleme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb