Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo në një deklaratë për mediat u shpreh se qeveria vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje. Bozdo tha se sipas Eurostat, në një klasifikim të fundit, Shqipëria renditet “në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021”.

“Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak. Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina. Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. Serbia 12 pikë më lart.

Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE. Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një Shekull.

Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit. Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare.

Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani NUK bën përpara”. Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: