Në Akademinë e Shkencave në Shqipëri është përkujtuar kompozitori i njohur slloven Bojan Adamiç, i cili ka shkruar xhaz dhe muzikë filmash. I larguar nga vendi i tij për shkaqe ideologjike menjëherë pas luftës së dytë botërore, ai do të jetonte disa kohë në Shqipëri, ku njohu shumë mirë kulturën, traditën dhe folkun e vendit tonë. Në vitet 1947-1948 ai bashkëpunoi me orkestrën e Radio Tiranës, punoi me muzikë shqiptare dhe mbajti koncerte.

“Shqipëria ka qenë pjesa sekrete e jetës së babait tim. Ai i shkroi nënës sime 25 letra, duke i treguar se sa e bukur ishte Shqipëria dhe duke e ftuar te vinte këtu. Nëna nuk mund të vinte sepse nuk kishte pasaportë. Ndaj jam e lumtur që jam këtu bashkë me tim bir, duke ndjekur gjurmët e e babait. Ai i vlerësonte vallet shqiptare. Sipas tij, ishin pa koreografi, por pasioni dhe qëndrimi i valltarëve ishte aq fisnik dhe entuziazmues”, tha Alenka Adamic, e bija e kompozitorit Bojan Adamic.

Studiuesit po hulumtojnë kompozimet e tij për të parë nëse ka ndikime shqiptare. E bija, thotë se përveç një bashkëpunimi me Dhora Lekën, nuk ka dijeni për krijime të tjera me ndikime të vendit tonë. Megjithatë ajo ka besim se ai duhet të ketë muzikë me ndikim shqiptar duke qenë se ishte magjepsur nga folku.

Aktiviteti u mbajt në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb